“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Nga taksa e Rrugës së Kombit, e pëson Serbia 

“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Nga taksa e Rrugës së Kombit, e pëson Serbia 
Satirë

“Antena Jashtë Familjes” vjen sot me një lajm të mirë. Që prej ditës së djeshme, në Rrugën e Kombit ka filluar pagesa e taksës, për kalim. Themi lajm i mirë, pasi me vendosjen e kësaj takse, dëmtohet ekonomia e kompanive të Serbisë, e forcohet ekonomia e kompanive turistike të Kosovës.

Këtë gjë na e deklaroi edhe analisti ynë. Ja bashkëllafosja e bërë me të.

Antena: Përshëndetje, shoku analist! Deshëm të dinim diçka shkurt rreth taksës së...

Analisti: E pashë edhe unë, megjithëse asnjë televizion nuk e dha. Bravo! Më në fund, po bëhet diçka për goditjen e kompanive të Serbisë, që sjellin miell në Kosovë.

Antena: Kjo taksë sjell goditjen e kompanive të miellit? Si zbatohet kjo?!

Analisti: E thjeshtë fare. P.sh., me vendosjen e taksës për autobusët në vlerën e 22 eurove, kompanitë e udhëtimit do ta rrisin çmimin së paku 0.5 euro për udhëtar.

Antena: Ashtu mendoj edhe unë se do bëjnë, se kompanitë nuk duan që të dalin me humbje.

Analisti: E pra! Me këtë rritje të çmimit të biletës, udhëtari prej Kosove do jetë më i kursyer. Nuk do blejë më suxhuk, se ato pará do t’ia japë biletës. Më kupton?

Antena: Jo shumë, shoku analist.

Analisti: Përderisa suxhuku bëhet me sallam dhe bukë serbe, në fund e pëson Serbia...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: