“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Ja përse janë zënë Kristiano Panuçi dhe Bujar Nishani...

“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Ja përse janë zënë Kristiano Panuçi dhe Bujar Nishani...
Satirë

“Antena Jashtë Familjes” në bashkëpunim me sektorin sportiv të gazetës, ka mundur të zbulojë shkakun që çoi trajnerin e Kombëtares së futbollit, drejt padisë ndaj ish-Presidentit. Nishani. Në mënyrë të shpejtë telegrafike, ato janë:

Ja përse Panuçi...

A) Panuçi e ka alergji fjalën "nishan", fjalë të cilën e përmban edhe ish-Presidenti. Gjatë karrierës së tij futbollistike, Kristiano ishte i famshëm për mbrojtës, por nuk shquhej shumë për shënues, pra e thënë shqip "nuk kishte shumë nishan".

B) Tronditja e thellë psiqike që mund të ketë pësuar Panuçi gjatë këtyre javëve të fundit.

Nga ato që na spiunoi gazetari ynë sportiv Araniti, trajneri ynë Kristiano, ka pas luajtur futboll në qytetin e Gjenovës. Mendojmë se ngjarja e rëndë e ndodhur atje, me rrëzimin e urës, sigurisht që ka ndikuar në psiqikën e Kristianos.

Jemi të mendimit se gjykata do t’i marrë parasysh këto faktorë.

Ja pse Nishani kritikoi Panuçin...

A) Mendojmë se shkak i kritikës së shokut Bujar, kundrejt trajner Kristianos, ka qenë bujaria që ka patur trajneri i Kombëtares, në marrjen në ekip të lojtarëve të shumtë.

Duhet thënë se gjatë kohës që ekipin kombëtar e ka drejtuar Panuçi, numri i lojtarëve të ardhur rishtas e që janë bërë pjesë e ekipit, ka qenë i konsiderueshëm.

Përveç kësaj, apo siç i themi ne e në gazetari, përveç kësaj, trajneri Kristiano është treguar bujar edhe ndaj kundërshtarëve me të cilën ka pasur shortin, apo zgjedhjen miqësore për të luajtur. Falë kësaj bujarie, duhet thënë se kemi pësuar një thes e ca me gola.

Për ta përmbledhur dhe përmbyllur: Mendojmë se vetia e të qenit kaq bujar, kuptohet i Panuçit, ka krijuar xhelozi te ish- president Bujari. Mesa kuptohet, ai nuk dëshiron që dikush tjetër veç tij të përmendet në shtyp si bujar. Kjo ka qenë arsyeja që ai ka kritikuar "bujar" Panuçin...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: