“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Deputeti Sadri shpërndan libra të papërdorur

“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Deputeti Sadri shpërndan libra të papërdorur
Satirë

Fotoja sjell socialistin e njohur, deputetin e Tiranës, shokun Sadri Abazi.

Siç e shikoni edhe vetë në foton që ju kemi dhënë, ai është i veshur rastësisht, në stilin e Ramës, me atlete dhe me këmishë të lëshuar mbi pantallona.

Mësuam prej faqes së tij në Facebook se ai shkoi vetë e dorëzoi libra për fëmijët në nevojë. (Nuk e kuptojmë sesi mund të ketë akoma fëmijë të tillë, në një kohë kur ekonomia rritet.)

Për arsye se neve nuk duam të botojmë foto të fëmijëve, se na ngop ndonjë gjobë kryeredaktori, nuk po vendosim fotografi të deputetit me fëmijët që takoi. (Ato mund t'i gjeni të shumta, kuptohet në Median e Kazanit.)

“Antena” jonë ka mësuar se deputeti u ka folur fëmijëve për rëndësinë e leximit. (Kuptohet, jo të lëndës së Leximit).

Në fund, shoku Sadri u ka dorëzuar fëmijëve edhe disa libra të mbajtura mirë, madje fringo të reja, kuptohet jo ato që i kishte patur vetë kur ishte nxënës. Deputeti u ka folur fëmijëve për rëndësinë që ka njohja. Kuptohet, njohja jo me Kryeministrin, por njohja e dijeve, si proces filozofik, që u hap njerëzve horizonte në jetë.

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: