“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Arben Ahmetaj: E kemi bërë ekonominë, si gjeli i detit

“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Arben Ahmetaj: E kemi bërë ekonominë, si gjeli i detit
Satirë

“Antena Jashtë Familjes” vjen sot me një lajm të mirë për të gjithë pensionistët që fillimviti tjetër do t’i gjejë. Këtë fundviti, shpërblimi për çdokënd prej tyre do të jetë plot pesë mijë lekë, kuptohet të reja.

Siç do thoshte analisti ynë i artë, kjo është një rritje mjaft e ndjeshme që tenton rritjen në rritje që pëson ekonomia jonë, që sigurisht e ka ëndrrën e saj ne kryeqytetin e vendit tonë.

Duke marrë për mesatare pensioni shumën prej 17 mijë lekësh të reja, ky shpërblim i fundvitit përbën një rritje prej 2.5%, e ndarë ne çdo muaj. (Rubrika jonë nuk ka ndërmend të merret me llogaritje të detajuara, pasi siç edhe e kemi sqaruar edhe herë të tjera, i drejtohet lexuesit që të paktën shkollën tetëvjeçare e ka përfunduar gjatë sistemit të kaluar.

E meqë ra llafi te ekonomia. Ne patëm fatin që të takonim disa kilometra larg Librazhdit, vendit të shokut Balla, në një vend piktoresk, gjeniun e ekonomisë socialiste, shokun Arben Ahmetaj, që i ka bërë ballë çdo ndryshimi në qeveri.

Ja bashkëllafosja e shkurtër e bërë me të:

Antena: Përshëndetje, shoku ministër! Deshëm të dinim diçka për...

Arben Ahmetaj: Po, po! Këtë fundvit do japim 5 mijë lekë shpërblim për pensionistët. Me këtë sasi lekësh, ata mund ta marrin të plotë gjelin e detit. Këtë e kemi bërë jo sepse është vit elektoral dhe na duhen votat e tyre.

Antena: Po përse nuk u dhatë kaq lekë edhe në vitet e ...?

Arben Ahmetaj: Në bazë të studimeve tona është arritur në përfundimin shkencor se gjeli i detit nuk shkakton aspak problem, nëse konsumohet i plotë, vetëm një herë në katër vjet.

Antena: Kush e ka bërë këtë studim, shoku Arben?

Arben Ahmetaj: Studimi ka nisur të bëhet që në kohën kur ministrinë e Shëndetësisë e mori ta drejtonte shoku ynë Ilir Beqaj. Meqë atë e zuri reforma e brendshme, për disa kohë studimi mbeti pa zot. Veçse për pak kohë ama. Unë nuk mund të lë pa përmendur, punën e madhe të ministrit të tanishëm, shoqes Ogerta, e cila me stafin e saj të transferuar nga Bashkia, e çoi më tej këtë studim tepër të rëndësishëm.

Antena: Thuhet se ky shpërblim është rritur për arsyen se vitin tjetër janë zgjedhjet. Pra, më parë u jepnit më pak lekë, sepse....

Arben Ahmetaj: Këto janë gjepura të salistëve. Falë asaj që ne u jepnim të moshuarve pak lekë, vitet e kaluara kemi arritur t'u shpëtojmë jetën mijëra pulave dhe gjelave të detit. Si edhe të shtojmë sasinë e vezëve të tyre në treg, gjatë kohës që nuk janë therur.

Antena: Pak më i qartë, ju lutem!

Arben Ahmetaj: Unë kur kam qenë student për anglisht, kam marrë vesh nga leximet e atëhershme të kryera në fshehtësi, që në Amerikë, një vezë e një pule deti kushtonte e pakta 3 dollarë. Aq sa kushtonin 12 vezë pulash kapanoni.

Antena: Kaq shumë kushtonin?! E çuditshme!

Arben Ahmetaj: Po, po! Tre dollarë, e pakta. Po ju them një sekret. Që atëherë kur isha student, i thashë vetes: Një ditë kur të rritem do ta bëj ekonominë e këtij vendi, të ecë tamam si gjeli i detit.

Antena: "Të këtij vendi", e keni llafin për Amerikën?

Arben Ahmetaj: Jo, jo! Për momentin të Shqipërisë. Po ku i dihet. Një ditë mund të drejtoj edhe të ndonjë vendi tjetër, meqë mua më dëgjojnë edhe ata të FMN-së.

Antena: Më falni shoku Arben, por si aguridhe që jam në këto punët ekonomike, nuk e kuptova atë lidhjen e ecjes së ekonomisë, me gjelin e detit. A mund të...?

Arben Ahmetaj: Meqë ekonomia po ecën krenarisht me kokën lart, tamam siç ecën gjeli i detit. E kush tjetër mund ta bënte këtë gjë, veç meje dhe kuptohet, Edi Ramës.

Antena: Të kishte tjetër, nuk do t’u mbante juve për kaq kohë në krye, shoku Edi.

Arben Ahmetaj: Sigurisht që nuk ka ku gjen më të mirë se unë. Atë e di edhe ai vetë. Ndaj në nderim të ekonomisë, këtë fundviti pensionistëve do t’u sigurojmë ta blejnë të plotë gjelin e detit, këtë shpend kaq krenar...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: