PORTRET/ Minella Borova, artisti që s’e braktisi teatrin as në Argjentinën e largët

PORTRET/ Minella Borova, artisti që s’e braktisi teatrin as në Argjentinën e largët
Nga Juela Meçani

Rruga Korçë-Ersekë

Minella Borova u shua 5 vite më parë, në moshën 66-vjeçare. Aktori i njohur korçar ndërroi ka jetë në Buenos Aires të Argjentinës, ku edhe jetoi për 20 vjet, pikërisht që prej vitit 1993. Ai numëron dhjetëra filma në karrierën e tij kinematografike, por në morinë e roleve, do të mbahet mend për Besnikun në filmin “Udhëtim në Pranverë”. Por, përveç roleve, ai ka qenë për shumë vite një artist dhe njeri i dashur e i vlerësuar nga komuniteti artistik, i cili edhe sot e kësaj dite vazhdon t’i referohet mendimeve, batutave e thënieve të tij. Minella Borova u shqua më fort si aktor i planit satirik, por herë-herë edhe lirik e romantik. Në lojën e tij spikat një humor i çlirët, shije e hollë, një sjellje e shpenguar, njëherazi edhe elegante, ku ndihet synimi për të skicuar tipa e karaktere të ndryshëm.

Pak biografi

Aktori Minella Borova kreu gjimnazin në Korçë dhe në Institutin e Arteve në Tiranë studioi në degën e Artit Dramatik. Një kohë të gjatë ai punoi në Teatrin e Korçës krahas aktorëve të njohur Thimi Filipi, Pandi Raidhi, Dhorkë e Dhimitër Orgocka, Stavri Shkurti, etj. Atij iu besuan role të ndryshme nga dramat e komeditë që viheshin në skenë. Ndërkohë regjisorët e Kinostudios e zbuluan si aktor filmi duke i besuar role në disa filma si ”Rrugë të Bardha,” “I treti,” “Rrethimi i Vogël,” “Në Fillim të Verës.” etj. Ai luajti edhe në filmin “Pylli i Lirisë” bazuar në tregimin tim “Njeriu që ndiqte kuajt.” Të shkrimtarit të nirënjohur, Naum Prifti. Përmes kujtimeve të tij në një portretizim për mikun e tij të hershëm të viteve 1957-1958 në Ersekë, shkrimtari Naum Prifti shkruan:

“Minella banonte në Korçë, me familjen e tij, por në verë i pëlqente t’i kalonte disa javë pushimi pranë gjyshit nga ana e mamasë, Kolë Ndoni, në Ersekë. Në atë kohë Kola ishte rreth të pesëdhjetave, por ne na dukej plak. Ai mbante një dyqan çikërrimash dhe manifakturash në qendër të qytetit dhe ne hynim ndonjëherë kot, sa për ta përshëndetur. Unë vajta për disa ditë në Divjakë ku po xhirohej filmi “Pylli i Lirisë” dhe kaluam mjaft këndshëm me Minellën dhe Alfred Bualjotin. Një nga filmat e tij më të suksesshëm qe “Udhëtim në Pranverë” ku ai dhe këngëtarja Liljana Kondakçi interpretonin rolet kryesore. Sa ishte Minella në Korçë, vija me qejf të madh në atë qytet, ku natyrisht kisha dhe plot shokë e të njohur të tjerë. Por Minella jo vetëm më shoqëronte, por patjetër do të më ftonte në banesën e tij ku jetonte me nënën, vëllanë dhe familjen e tij. Në tarracën e shtëpisë ndodhej një farë depoje, të cilën ai e modifikoi duke sajuar një dhomë modeste për veten e vet. E quante “Kështjella Elsinor,” ndikuar nga “Hamleti” i Shekspirit, por atje kishte vetëm një shtrat mono dhe një radio, libra, revista, fotografi dhe disa riprodhime pikturash. Mbi të gjitha kishte liri. Mund të rrinte vonë, të ftonte kë dëshironte pa u prishur qetësinë pjesëtarëve të tjerë të familjes. Edhe unë isha ftuar disa herë në Elsinor. Dëgjonim muzikë, pinim nga një gotë konjak ose fërnet dhe bënim muhabet për gjithfarë temash, politike apo artistike. Me ikjen e Minellës, u zbeh edhe dëshira ime për të vajtur në Korçë. Zbulova se qytetin e bëjnë të dashur shokët, miqtë dhe jo rrugët e bukura, apo klima e mirë. Minella shquhej për ndjenja demokratike dhe antikonformiste. Njëherë më dha të lexoja disa poezi origjinale, çka më lejoi të mësoja pasionin e tij të fshehtë për poezinë.

Pasioni i fshehtë për poezinë

Minella Borova dikur i qe lutur Ismail Kadaresë t’ia lexonte disa nga poezitë dhe t’i jepte ndonjë mendim. Më tregoi vetë se Ismaili, pasi i lexoi, e pyeti sa vjet ishte. “Tridhjetë e tre” i tha Minella. “Je vonë,” kishte komentuar Kadareja pa i dhënë shpjegime të tjera. Gjithsesi Minella vazhdoi të shkruante poezi me motive të ndryshme për qejfin e tij, pa i dërguar për botim për vite me radhë. Do të kalonin disa dekada derisa të botonte dy libra me poezitë e tij. Disa poezi, të shkruara në Argjentinë rreth vitit 2005, të servirura nga Kostaq Duka, në sajtin “Bota e re.”

Minella Borova dhe Tirana

Në mesin e viteve ’70, Minella u transferua në Tiranë, si pedagog në Institutin e Lartë tëArteve. Punonte shumë e me dëshirë dhe brenda pak kohe fitoi respektin e kolegëve dhe dashurinë e studentëve. Megjithëse qe aktor i njohur dhe me pozitë të respektuar në shoqërinë tonë, disa vite u detyrua të banonte tok me familjen në një dhomë konvikti nga ato të Universitetit. Më vonë mundi të merrte nga strehimi tipin standard, dy dhoma e një kuzhinë, mbasi atëherë veç dy fëmijëve kishte në ngarkim edhe mamanë.

Nga fundi i viteve ‘70 Minella emërohet inspektor teatri në Ministrinë e Kulturës dhe të Arsimit  ku edhe dha ndihmesën e tij në kohën e krizës më të thellë të teatrit.

Drejt Argjentinës

Ndryshimet e mëdha politike, në vitet ’90, si përmbysja e regjimit komunist dhe vendosja e pluralizmit politik, sollën dyndjen e shqiptarëve jashtë atdheut, pas një vetizolimi gjysmëshekullor. Neta, bashkëshortja e Minellës që ishte  nga Pogradeci, kishte një teto të emigruar që para lufte në Argjentinë. Ajo u dërgoi ftesën tok me garancinë dhe familja Borova u shpërngul në vendin që preferohej nga emigrantët shqiptarë të para luftës. Minella dëshironte të vinte në Amerikë, ku kishte qenë dhe i ati në vitet 1920-1930 para lufte, prandaj m’u lut të shfletoja regjistrat e Federatës Panshqiptare Vatra, të gjeja qytetin ku kishte punuar dhe nëse qe bërë nënshtetas amerikan. Më njoftoi se duhet ta kërkoja me mbiemrin Shtufi, sipas mbiemrit që mbanin në Borovë. Shumë shqiptarë përfituan nga nënshtetësia amerikane e prindërve të tyre dhe erdhën në Amerikë pa telashe. Mirëpo në regjistrat e Vatrës s’kishte asnjë të dhënë përsa i përket nënshtetësisë, kështu që s’kishte kuptim t’i shfletoja.

Pasioni nuk u shua as në botën latine

Merita e Minellës si artist dhe si qytetar është lidhja e ngushtë me artin skenik, edhe gjatë kohës së vështirë të mërgimit, çka dëften se qe me shpirt artisti. Kërkoi të njihej me ndonjë regjisor argjentinas dhe rasti e solli të takonte zotin Daniel Genoud. Interesat artistike i shtynë të njiheshin dhe të bashkëpunonin dhe falë Minellës, Genudi vizitoi Shqipërinë me rastin e Festivalit Ndërkombëtar të Teatrove që zhvillohej në Elbasan. Aty Minella interpretoi një monodramë, gjini letrare thuajse krejt e re për vendin tonë. Genudi dinte vetëm spanjisht, po ndërkohë Minella e kishte përvetësuar gjuhën e vendit. Minella përktheu shqip edhe disa drama ndërsa ndodhej në Buenos Aires.

 

Filmografia

Botë e padukshme (1987), Kristofori

Rrethimi i vogël (1986), Berti kunati i Agronit

Fushë e blertë fushë e kuqe  (1984), Gjenerali

I paharruari (1984), Nesti

Koha nuk pret (1984), zoti Leone, Roberto Altiko

Shoku ynë Tili  (1981) Shpëtimi

I treti (1978) Isai

Flamur në dallgë (1977), Provokatori

Pylli i lirisë (1976), Llazi Tërbufi

Udhëtim në pranverë (1975), Besniku

Në fillim të verës (1975), Fumagali

Shtigje lufte (1974), Studenti

Rrugë të bardha (1974), Bato

Mëngjese lufte (1971), Gjermani

Montatorja (1970), Saldator

Shpërndajeni me miqtë tuaj: