OMËLETA! – PËRSIATJE NGA JUELA MEÇANI

OMËLETA! – PËRSIATJE NGA JUELA MEÇANI
Nga Juela Meçani

Ul e ngri, kjo mund të quhet “vera e omëletës”.

Si matricë e çmendurisë së çmimeve në jug të vendit, këto vezë të rrahura e të skuqura janë tashmë si ajo tortura naziste, si pika e ujit që bie rregullisht mbi krye e që psikopatos dynjanë.

Është shumë e vërtetë që raporti i asaj që ha me atë që paguan është një kataklizëm në këtë vend, që pretendohet të mbështetet tek turizmi, por është po aq e vërtetë që më shumë se sa një omëletë e një shishe ujë, xhepat tona dhe rrjedhimisht të ardhmen tonë po e vrasin çdo ditë shumë zëra të tjerë që na kalojnë si hije përbri, më pas na dalin përpara hundëve, por ne nuk bëzajmë fare.

Mbi të gjitha, nëse marrim rrugën, mbushim makinën me karburant që të shkojmë aty në jug, te deti i bukur e te plazhi ekskluziv, e që në nisje karburantin e blejmë më shtrenjtë se na e mban xhepi e më shtrenjtë se çdo vend në rajon. Kësaj i shtohet fakti se është një karburant mizerabël që periodikisht i bën gati makinat për mekanikët që e kanë biznesin e siguruar.

Ecim nëpër rrugë të cilat po shqepen e ribëhen disa herë si peshqesh për ndonjë kompani rrugësh, ndalemi për një kafe e kafe nën 1000 mijë lek të vjetra nuk ka më askund, ecim e ecim e ja ku mbetemi në rrethrrotullimin e Fierit ose në rrugët e Vlorës, sepse në pikun e pushimeve kanë pasur idenë brilante të bëjnë punime, na shkatërrohen nervat e na ikën përsëri para’ sepse karburanti derdhet lumë.

Më në fund arrijmë në Dhërmi apo Himarë dhe na hahet diçka se mbetëm rrugëve.

Ja ku na vjen omëleta që varion mes 5 mijë lekëve e deri në 9 mijë lekë (të vjetra) e na nxihet damari i nervit e na del koka e shqiptarit.

Kështu ne, njerëzit nikoqirë të këtij vendi, harrojmë se ndërkohë, përgjatë një viti, kemi paguar drita e ujë dyfish, taksat janë si në SHBA, shtëpitë shiten me çmime si në Milano, produktet ushqimore janë dyfishuar, perimet e frutat nuk preken me dorë, në spitale po nuk pate para vdes, në shkollat publike që gjoja janë falas, të ikën një rrogë minimale me fotokopje, kurse private matematike (se ndryshe zysha nuk të jep notën) e shpenzime të tjera shtesë, veshjet kineze shiten me çmime markash etj, etj, etj.

Ndërkohë që qytetari nikoqir nervozohet se e ka paguar omëletën shtrenjtë, miliona euro kalojnë “qeveritarisht” për qokë tek po ata tre njerëz, thuaj se ata janë gjenitë e biznesit e se pa ta ky vend nuk merr dot frymë.

Janë lekë tonat edhe ato, mos harroni kurrë, janë lekë që do u rëndohen juve, mua, edhe atij qytetarit nervoz që po ha vezë.

Vidhemi përditë e pa zë se normal, mediat heshtin, e ndërkohë acarohemi për një vezë.

E para, nuk është faji i qeverisë se kemi një biznes turizmi nga njerëz të pangopur e që duan të na zhvatin, është faji i injorancës së tyre, është faji i makutërisë së tyre, është faji i pacipërisë së tyre, është faji ynë që e dimë që na zhvatin e përsëri shkojmë. Pikë!

Por është plotësisht mëkat e faj i qeverisë ose qeverive që na zhvatin përditë heshtur e paburrërish, duke na katandisur në njerëz që merremi me një vezë nga një fshatar i pagdhendur që deri dje e ka kullufitur të gjallë. Kjo sepse na ka sfilitur ekonomikisht e fizikisht kaq shumë ky sulm “qeveritar” ndaj një jete normale, sa që nuk kemi takat që të ulërijmë për batërdinë që po ndodh.

Ndaj mos të jemi gjoja luftëtarë të betejave me pushkë lodër, për kauza të vogla që vetëm sa harxhojnë energji pa bereqet. Kjo nuk e shpreh aspak shpirtin tonë të paladinit që mbron kauzat e drejta.

Nëse jugu nuk ju mirëpret e ju vjedh, mos shkoni ca kohë, e në momentin që do i braktisni, do ju duan shumë se do ndihet mungesa, psikologji e thjeshtë njerëzore.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: