INICIATIVA PJESORE PËR PRONËSINË – FAKTI I DITËS NGA PLATOR NESTURI

INICIATIVA PJESORE PËR PRONËSINË – FAKTI I DITËS NGA PLATOR NESTURI
Nga Plator Nesturi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Së fundmi ka patur disa iniciativa që kanë lidhje me çështjen e pronës, atyre të legalizimeve, si ndërtimet pa kriter që janë bërë sidomos gjatë vijës bregdetare. Në fakt, çdo iniciativë në këtë drejtim duhet përshëndetur, pasi të paktën ka tentativë për të dalë nga kaosi i ndërtimeve me të cilat ndeshemi prej gati 30 vjetësh. Për më tepër që, rregullimi i çështjes së pronësisë mbetet dhe një nga kriteret e forta që i janë vendosur Shqipërisë për procesin e integrimit në BE. Gjithsesi, nëse këto nisma mbeten të pakoordinuara dhe që për qëllim kanë thjesht faktin për t’u thënë ndërkombëtarëve se po përpiqemi në këtë drejtim, atëherë e gjitha kjo mund të shndërrohet në një mballomë të qepur me pe të bardhë e që nuk do të ketë ndikim efektiv në çështjen e pronësisë.

Në vend vijohet me ritme të larta legalizimi i objekteve të ndërtimeve pa leje në zonat urbane e përreth tyre. Duket se ky ka qenë shqetësimi kryesor i kësaj shumice dhe është lëvizur fuqishëm në fakt, në këtë drejtim. Mbi 150 mijë objekte të legalizuara tashmë kanë vendosur dhe rregulla të reja të pronësisë në këto zona. Për mirë ose me probleme nga pas për pronarët, sidoqoftë realiteti dominon mbi faktin dhe tashmë kjo duket çështje e pakthyeshme. Problem mbetet vetëm çështja e pagesës së shpronësimeve ose kompensimeve siç thuhet rëndom, kur faturën e lartë i duhet ta paguajë një shtet i varfër.

Ndërkohë, nga ALUIZNI janë evidentuar një numër i madh objektesh ndërtimi pa leje,  ndërtuar në zona zhvillimi dhe kryesisht gjatë vijës bregdetare, të cilat nuk mund t’i nënshtrohen procesit të legalizimit. Për këtë, agjencia i ka shpërndarë këtë listë bashkive përkatëse, në mënyrë që të nisë dhe procesi i prishjes së tyre e për të liruar hapësirën, publike ose private qoftë. Në këtë listë përfshihen lokale, restorante dhe deri hotele, të cilat shtrihen që nga zona e Velipojës dhe deri në Ksamil.

Kjo u shoqërua dhe me një "listë të zezë" të paraqitur nga Artan Lame të kompanive të ndërtimit, të cilat nuk kanë shlyer detyrimet e hipotekimit të ndërtesave të banimit duke mashtruar kështu qytetarët. Dhe janë jo pak, por 328 subjekte ndërtimi që u janë shmangur detyrimeve dhe që kanë detyruar qytetarët të nisin individualisht odisenë e përçapjeve në zyrat e shtetit, për të siguruar hipotekimin e pronës së blerë e që duhet ta kishin të garantuar që me kontratën e blerjes së banesës. Në këtë aspekt, ishte për t’u përshëndetur dhe iniciativa që këto subjekte të mos merrnin leje ndërtimi pa shlyer detyrimet e mëparshme, si dhe angazhimi kur u bëhej thirrje qytetarëve të mos blinin te këto kompani.

Të gjitha këto iniciativa dëshmojnë se ka tentativë për të përballuar problemet. Probleme që janë aq të shumta e komplekse kur bëhet fjalë për katrahurën në të cilën ndodhet pronësia e territorit të vendit. Aty ku prona shtetërore është shndërruar në private me akrobaci gjyqësore, ku prona private është grabitur e marrë nga të tjerë nëpërmjet falsifikimeve. Ca më keq kur, katrahura bëhet mullar në zyrat e shtetit ku krijohen mbivendosje dhe ku nuk merret vesh ku fillon prona e njërit e ku mbaron e tjetrit. Kështu ndodh kur bashkëjetojnë prona e grabitur me atë të zotit, prona shtetërore me atë private dhe e shoqëruar me ligjin 7051. Gjithsesi, iniciativat për të shkokolepsur sado pak këtë lëmsh, janë të mirëpritura. Por jo gjithmonë janë komplementare me njëra-tjetrën e sidomos kur vijnë si iniciativa nga institucione të ndryshme. Kështu për shembull, vendimi i paradokohshëm i qeverisë Rama për pezullimin e regjistrimit të pronave të marra nëpërmjet ligjit 7051 në zonat bregdetare, ende nuk ka ndonjë informacion se çfarë ka arritur të japë si efekt. Në atë kohë, kritikët vunë theksin se kjo është shkelje dhe se një vendim i Këshillit të Ministrave vendoset mbi ligjin dhe Kushtetutën, duke penguar ushtrimin e të drejtës së përfitimit të marrjes në pronësi, qoftë edhe nëpërmjet këtij ligji që kundërshtohet prej vitesh prej pronarëve të vërtetë e që ligji nuk ua njeh të drejtën e trashëgimisë mbi të. Të tjerë mendojnë se, me këtë vendim, abrogohet në këtë mënyrë vetë ligji 7051 dhe se pronarët mund të rimarrin pronat e tyre dhe kjo shihet me pozitivitet. Por cila është e vërteta dhe ku do synojë kjo iniciativa? Ende nuk janë dhënë detajet plotësuese, porse në nenet që veshin vendimin vërehet se, së pari ajo fokusohet në bregdet dhe aty ku ka prioritet turizmi. Se me anë të saj mund të goditet abuzivizmi, pasi këto parcela kanë qenë kryesisht livadhe dhe jo toka bujqësore, që mund të përdoreshin si objekt për t’u shpërndarë me ligjin 7051. Së dyti, bllokimi i regjistrimit të tyre, do të hapë mundësinë që në bazë të studimeve mbi zonat përkatëse, ato të zhvillohen si pjesë e strategjisë për turizmin, ose të shërbejnë për kompensimin e ish-pronarëve nga zona të tjera. E thënë në këtë formë, atëherë kjo do të thotë se nga bllokimi i regjistrimit të parcelave të 7051, pronësia mbi to kalon në favor të shtetit dhe jo të ish-pronarëve, dhe kjo hap sërish debat, pasi me çfarë të drejte shteti mund të marrë në pronësi diçka që nuk e ka. Dhe për më tepër që t’ua shpërndajë të tjerëve, atyre që ai dëshiron, pra kush do jetë investitor strategjik në turizëm apo për të kompensuar këdo me anë të këtyre tokave në bregdet. Të gjitha këto pyetje, do të shihen dhe nga qasja shpjeguese që do t’i bëjnë autoritetet përkatëse këtij vendimi, por sidoqoftë çështja duhet të kapet si një e tërë dhe jo si pjesë të veçanta të cilat në vetvete nuk arrijnë të zgjidhin asgjë.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: