SHPËRDORIMI I PARAVE PUBLIKE – FAKTI I DITËS NGA PLATOR NESTURI

SHPËRDORIMI I PARAVE PUBLIKE – FAKTI I DITËS NGA PLATOR NESTURI
Nga Plator Nesturi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Ndërsa jemi të fokusuar te lufta kundër korrupsionit - një element që vetë ndërkombëtarët e kërkojnë me forcë si kusht për ecjen përpara në rrugën e integrimit - në vëmendjen mediatike, ka gjetur pak vend zëri i shpenzimeve administrative në qeverisjen qendrore dhe atë lokale. Janë shpenzime që shkojnë nga kancelaria, tek automjetet që përdoren, deri te biletat dhe udhëtimet jashtë vendit të zyrtarëve tanë, duke zënë një shumë goxha të madhe për përmasat e vendit. Se sa mund të ndikojnë të gjitha këto shpenzime, nëse do të orientoheshin në sektorë që kanë nevojë për mbështetje më të ngutshme, për këtë nuk është bërë ndonjë studim, por gjithsesi do të lehtësonin jo pak problemet në shëndetësi dhe arsim për shembull.

Këto ditë tërhoqi vëmendjen në median europiane, figura e presidentit të Tanzanisë, Xhon Magufuli, që njihet me nofkën "buldozeri" për luftën e tij kundër korrupsionit në vendin e tij. Nga profili i botuar mësojmë se, prej fillimit të ardhjes në pushtet më 2017, ashtu si kishte premtuar në fushatë, ai ka larguar 10 mijë zyrtarë, të cilët i ka akuzuar për korrupsion. Midis tyre, Magafuli shkarkoi vetë drejtorin e institucionit të luftës kundër korrupsionit, kreun e taksave në vend, drejtorin e hekurudhës dhe drejtorin e porteve. Pasi uli numrin e ministrave nga 30 në nëntëmbëdhjetë, u ka imponuar krerëve të ministrive të deklarojnë pasuritë dhe llogaritë bankare. Kush prej atyre që do të orvatej të fshihte pronat ose llogaritë, do të largohej menjëherë nga puna. Presidenti uli shpenzimet e parlamentit në mënyrë drastike, për t’ia përcjellë këto fonde spitalit ku njerëzit ishin të shtrirë përtokë korridoreve.  U ndalua, përveç rasteve të rralla me firmën e tij, të udhëtimit të zyrtarëve jashtë vendit. Dhe në këto raste, udhëtimet nuk do të ishin të klasit të parë në avion. Gjithashtu, të gjitha makinat luksoze shtetërore 4x4, u nxorën në shitje në ankand dhe ministrat u pajisën me makina të lira. "Buldozeri" zbuloi dhe një rrjet zyrtarësh të korruptuar në portin kryesor të vendit, që kishin sjellë një humbje prej 400 milionë dollarësh. Bashkë me ta urdhëroi dhe arrestimin e kryetarit të gjykatës së Tanzanisë.

Këto bëma të Magafulit, kanë sjellë një rikuperim të madh fondesh publike, të cilat janë investuar sërish në sektorët më të ndjeshëm, që kanë ndikim më të madh te qytetarët. Por ajo çka është më e rëndësishme, është se vullneti për të luftuar këtë dukuri, ka futur në një situatë paniku të korruptuarit, gjë që sjell që paraja publike të japë efikasitet në sektorët që përdoret, si në bujqësi, shëndetësi, arsim e më gjerë. Unë nuk e di se sa janë respektuar normat demokratike apo jo, por në një vend që po i merrej fryma nga korrupsioni, këto masa dhanë efekt.

Tani, duke u hedhur këtej nga lagjja jonë, edhe ne si vend jemi të asfiksuar nga përmasat e korrupsionit. Edhe te ne ka më shpesh zyrtarë e politikanë më të pasur, sesa vetë biznesmenët që operojnë në tregun privat. Dhe këto pasuri natyrshëm nuk u vijnë nga rrogat shtetërore që marrin. Tek ne, në vendin më të varfër në Europë, ka më së tepërmi salltanete për titullarët që nuk kursehen nga paratë shtetërore për makina të shtrenjta dhe mobilim modern të zyrave. Daljet jashtë shtetit të zyrtarëve të lartë, në nivel me buxhetin që kemi dhe të forcave të zëna në punë, janë tmerrësisht jashtë çdo parashikimi. Dalje për konferenca, vizita, çështje të integrimit në Bruksel dhe deri panaire pa produkt, bëhen në përpjesëtim të zhdrejtë me çdo normë të logjikës. Dhe këto kërkojnë shpenzime, jo vetëm në dieta e avionë, por shpesh dhe çarter të vënë në dispozicion.

Nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, në disa raste, janë shpërfaqur në raporte të caktuara shpërdorimet me fondin e shpenzimeve dhe të shërbimeve. Më së tepërmi, kjo ka ndodhur sidomos për krerë bashkish, ku ka rezultuar se gjysma e buxhetit të njësisë vendore ishte vënë në dispozicion të kryetarit për makinën, karburantin, dietat e shërbimeve dhe hoteleve, si dhe shpërblime që titullari i jep vetes! Me pak fjalë, rrumpallhane me paratë e shtetit. Që në fakt janë paratë tona të cilat jepen nëpërmjet taksave!

Kjo panoramë ama, ka kohë që mbetet e njëjtë dhe që nuk ndryshon, sado që hera herës bojatiset ose me blu ose me rozë! Dhe vështirë të ndryshojë, ndërsa korrupsioni, për sa më tepër kohë kalon, shndërrohet në një bimë kacavjerrëse gjithmonë e më të kokolepsur, aq sa për të shpëtuar prej saj do detyrohemi ta presim nga pema ku mbështetet, që është vetë shteti. Nëse Magufuli nga mesi i Afrikës, bëri si bëri, herë me ligj e herë me inat, por e goditi fort si dukuri, në këtë cep të Europës që jemi, të paktën të bëjmë më shumë për shpëtuar paratë e taksave tona! Veçse për këtë, nëse nuk duhet Maguful, të paktën duhet vullnet politik për ta luftuar seriozisht korrupsionin! Gjë e cila ka munguar!

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: