Shtrëngohen kushtet për kredi në banka

Shtrëngohen kushtet për kredi në banka
“Nga tremujori i dytë i vitit në vazhdim, bankat kanë vendosur për shtrëngim të standardeve të kreditimit, si për bizneset, ashtu edhe për individët”, pohojnë ekspertët e Bankës së Shqipërisë

Doni të merrni një kredi? Mendohuni mirë, pasi nuk është më e lehtë si pak vite më parë. Dhe kjo, pasi bankat po i shtrëngojnë gjithmonë e më shumë kriteret për huadhënie dhe do t’ju kërkojnë më shumë “llogari” për të ardhurat duke vënë më shumë kushte për kolateralin.

Ekspertët e Bankës së Shqipërisë evidentojnë faktin se nga muaji prill 2018, kushtet për huamarrje bankare po bëhen edhe më të vështira sesa në fillim të vitit. “Në tremujorin e dytë të vitit 2018, bankat po aplikojnë shtrëngim të standardeve të kreditimit, si për bizneset, ashtu edhe për individët”, pohojnë ata në një vrojtim të posaçëm, që kanë bërë lidhur me ecurinë e dhënies së kredive. Dukuri kjo që sipas tyre do të vijojë, si për kredinë ndaj individëve, edhe për ato ndaj biznesit, e për më tepër, do të rritet kamata.

“Bankat presin një ngadalësim të kreditimit, si në monedhën e huaj edhe atë vendase. Sikundër, edhe interesat pritet që të jenë më të larta”, pohojnë ekspertët, lidhur me kreditimin. Duke parashikuar kësisoj, një situatë më të vështirë se më parë, për të gjithë ata që do të ulen në sportelin e një banke për t’i kërkuar pará në formë huaje.

Masat shtrënguese vijnë pasi kërkesa për kredi nga individët dhe bizneset është rritur në tremujorin e parë të këtij viti.

Vrojtimi i Aktivitetit Kreditues nga Banka e Shqipërisë, tregon se standardet e kredisë janë shtrënguar si për bizneset, ashtu edhe për individët. Faktorët që kanë ndikuar në shtrëngimin e standardeve për kredinë dhënë individëve, rezultuan gjendja financiare e individëve dhe zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme. Kurse faktorët kryesorë me ndikim në shtrëngimin e standardeve ndaj bizneseve janë problemet specifike të sektorit, mjaftueshmëria e kapitalit, situata e perceptuar makroekonomike, si dhe huatë me probleme.

“Sipas madhësisë së biznesit, vihet re se shtrëngimi i standardeve të kreditimit ka qenë i dukshëm në segmentin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme”, vë në dukje ky vrojtim. Për të vërtetuar kështu se sa më të ardhura modeste të kesh dhe vështirësi në ushtrimin e një aktiviteti privat, aq më të vështirë e ke në bankë për të parë pará hua.

Te bizneset, standardet e kreditimit janë shtrënguar kryesisht nëpërmjet marzheve më të larta për kreditë me rrezik. Kështu nëse një biznes evidenton në bankë, normë fitimi 15 për qind, kjo shifër deri tani e pranuar nga bankat, pason refuzimin e kredive, pasi bankat duan që marzhi i fitimit të biznesit aplikues të jetë më i lartë se ai i pranuar më parë.

E njëjta gjë dhe për kolateralin. Bankat tani duan që vlera e kolateralit të jetë më e lartë se deri sot.

Kjo prek shumë dhe individët. Deri tani, kur një familje aplikonte për kredi blerje shtëpie, kolaterali që i kërkohej, ishte deri 40 për qind mbi vlerën hua. Me shtrëngimet e reja, kjo shifër rritet.

Kurse bizneset e mëdha, megjithë peripecitë që mund të kalojnë në një moment të caktuar të aktivitetit të tyre, i lënë bankës një garanci më të madhe në këmbim të një kredie. Kjo skemë, po aplikohet edhe për individët, ku atyre me kolateral më të besueshëm, bankat u kanë dhënë më lehtë kredi.

Për tremujorin e dytë që ka nisur prej afro katër javësh, bankat presin një ngadalësim të aktivitetit kreditues, si në monedhën vendase ashtu edhe atë të huaj. Për të njëjtin tremujor, normat e interesit të kredisë priten më të larta, si në lekë ashtu edhe në valutë.

 

-5.9%

Është niveli i përkeqësuar i standardeve të marrjes së një kredie që individët parashikojnë për këtë tremujor, ndërsa bizneset e kanë edhe më të lartë këtë tregues, deri në nivelin prej -7.2%

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: