FOTOREPORTAZH/ Përmeti, afër dhe larg!

FOTOREPORTAZH/ Përmeti, afër dhe larg!
Nga Përmeti, Juela Meçani

Prej disa vitesh, një destinacion i është shtuar qyteteve shqiptare ku ata që duan natyrën dhe ushqimin tradicional, vendosin të kalojnë disa ditë në paqe. E vërteta është që për shumë kohë, ky qytet i vogël mes maleve të jugut, mbushej vetëm nga përmetarët e ikur jashtë kufijve ose drejt Tiranës, të cilët, me shumë besnikëri, kthehen e rikthehen në qytetin e tyre të origjinës, vit për vit. Por ky xhevahir i jugut të vendit, u zbulua pa vonesë dhe sot, sapo hapet koha e del dielli pranveror, familjarisht ose me shoqërinë, mësyjnë aty turistë nga e tërë Shqipëria, por edhe turistë të huaj, të pasionuar pas ecjes, shëtitjeve me biçikleta, eksplorimit të vendeve të kultit ose ushqimit bio. Përmeti, në tërë historinë e tij, ka folur me zë të ulët, gati-gati duket sikur me dashje, qytetarët dhe pushtetarët e këtij qyteti, nuk janë turrur drejt modernizimit ose investimeve madhore në turizëm, si për të ruajtur në zonë trajtat e dikurshme. Sepse Përmeti, edhe sot, është ai që ka qenë dje, qytet i pastër, me panorama marramendëse nga të gjitha pikat e tij, me një gjelbërim që harliset thuajse tërë vitin, me burime ujore që të shfaqen nga çdo skaj, me një ajër të pastër që të ripërtërin mushkrin, njerëz të qetë e të dashur, por delikatë dhe elegantë, biznese pa hile e pa falsitete, që servirin atë që kanë, pa hyrë në mëkatin e zakonshëm kudo gjetkë të falsifikimit të prodhimeve. Pa i dhënë peshë faktit se jam në konflikt interesi sepse i kam rrënjët nga ajo zonë, vendosa të kaloj disa ditë prej turisteje “spartane” në këtë qytezë me kaq shumë aromë e shije.

Do “shkundet” xhepi?

Si fillim u interesova përmes internetit mbi hotelerinë dhe se ku mund të sistemohesha për të fjetur. Kisha qenë më parë por kishin kaluar disa vite e isha kurioze nëse edhe ky qytet e kishte pësuar atë rritjen artificiale të çmimeve. Por për habinë time, në hoteleri, çmimet ose nuk kishin lëvizur aspak ose fare pak në hotelet në qendër të qytetit. Të flasim pa doreza, në këtë qytet mos prisni luks, mos prisni hotele me pishinë ose resorte, janë hotele komode, që jashtë kufijve do të merrnin tre yje, por me një pastërti absolute dhe të gjitha komoditetet. Janë hotele biznes familjar, ndaj mos u habisni kur të ndiheni si në shtëpi e të jetë pikërisht pronari ose pronarja që t’u gatuajë petullat për mëngjes e djali ose vajza t’ua servirin ato.

Veçantitë

Në thuajse të gjitha hotelet ose hanet e zonës, produktet tradicionale i gjeni në shitje në tryeza të ujdisura bukur, ku spikasin liko-të e arrës, shalqirit dhe qershisë, portokallit e patëllxhanit. Do të gjeni prodhimet e baxhove, djathin dhe gjalpin, në përgjithësi dhie, pra edhe të shëndetshme për organizmin. Parkim për makinën tuaj? Sa të doni, vetë struktura e këtij qyteti ju jep mundësinë të keni vend për parkim me bollëk, një hall më pak ky për turistët që udhëtojnë me mjetin e tyre.

Jashtë guidës

Njihet tashmë që Përmeti ka si destinacion kryesor Banjat e Bënjës dhe Grykën e Këlcyrës. Mund të shkosh aty me makinë ose, si në rastin tim, me taksi, të cilat kushtojnë sa çereku i tarifave të Tiranës, për të njëjtën distancë. Ose, me shumë guxim, mund të ecni më këmbë, siç zakonisht bëjnë turistët e huaj, që këtë kanë si qëllim kryesor. Rrugën nuk do e ndjeni sepse ajri është i mrekullueshëm, ka burime me ujë kristal shumë shpesh e vende nën pemët e harlisura, ku të uleni e të pushoni mbi rrasa guri. Por prisni, mos nisni “pelegrinazhet” për mish e banja pa zbuluar atë që pak turistë e kanë bërë. Përmetin e vjetër, lagjet me gurë që i ngjiten kodrës, aty ku jetojnë përmetarët dem babadem dhe aty ku fle historia e këtij qyteti. Pa pasur nevojën e një guide, mjafton ta kërkosh këtë ndihmë nga një përmetar, e me shumë dashamirësi, do të të udhëheqë në lagjet e vjetra. Rrugët janë me gurë e gjithashtu edhe muret, gjen aty grimca nga kultura helene, me dyer të kaltra ose të gjelbra, në mure të bardha me gëlqere. Çatitë me rrasa guri dhe kjo është tipike e shtëpive të kësaj zone, që ngjitet e shkon deri në rrëzë të Leusës. Nuk do të jetë e jashtëzakonshme që “manatë” pra gjyshet me flokë të bardha e rroba të zeza, t’u hapin dyert, të ndalojnë me ju, të hyni në shtëpitë e tyre e të freskoheni pak në oborret me vreshta e lule shumë. Krenarë për Përmetin e vjetër që nis me bllokun “Fanjo Çiçako”, ata do ju tregojnë se si u shpërngulën në apartamente, por që më pas ju erdhi si e natyrshme që të riktheheshin në këto vila me dy ose tre kate, disa prej të cilave janë ristrukturuar por pa ngatërruar stil ndërtimi, me po ato teknika. Lagja “Varosh, lagja “Partizani”, lagja “Meiden” janë disa nga zonat ku mund të shëtisësh nën hijen e portave piktoreske dhe avllive me vreshta. “Dajo është në SHBA, ne familjarët u shpërngulëm nëpër apartamente, por ja që erdhi dita dhe u rikthyem në këtë shtëpi dhe sot as nuk e kuptojmë se si kemi jetuar në kafaz.”-më thotë një qytetar i cili, me profesion marangoz, është rikthyer të banojë në shtëpinë e vjetër të të parëve, që daton vitin 1945. Me fjalë nuk ua shpjegoj dot magjinë që ndjen në këto oborre me lule e pemë. Për rreth tre orë mund të sodisësh kopshtet me vreshta e pemë, shtëpitë shumë të vjetra drejt shkatërrimit, që edhe pse të braktisura, kanë një bukuri të veçantë.

Pranë natyrës, pranë Zotit

“Po shkoj tek vreshti, nesër të sjell verën e kuqe. E ke pa hile se është ajo që pi vetë.”-të flet zonja e një prej shtëpive të vjetra në rrugët e gurta që të çojnë në kishën e vjetër të Shën Kollit. Është kisha më e frekuentuar e qytetit dhe është ajo më në gjendje të mirë. Gratë që kujdesen për të, tregojnë se në kohën e sistemit monist, kjo kishë ishte kthyer në zdrukthtari dhe në të vinin nxënësit e shkollave të mesme për të mësuar punë me dru dhe metal.

Banorët e Përmetit janë nga ata që më me shumë paqe e harmoni kanë përjetuar diferencat në besimin fetar. Me një popullsi të besimit ortodoks, bektashian e mysliman, predominojnë kishat ortodokse dhe teqetë, disa prej të cilave të mbrojtura nga organizmat shtetërorë, edhe ata ndërkombëtarë, por disa të tjera të lëna plotësisht në harresë ose drejt shkatërrimit. Teksa ngjitesh në këmbë drejt Leusës, një ndalesë mbresëlënëse është ajo tek kisha e vjetër Shën e Premte. Ndërtuar mes qiparisash të lartë dhe lëndinash me lule, ky është sheshpushimi i parë që një turist gjen mes qytetit dhe lagjeve periferike drejt fshatit turistik të Leusës. Ta quash këtë kishë një kartolinë është pak. Teqeja e Ali Postivanit është një tjetër atraksion por ka një veçanti më shumë, e ndërtuar në majë të malit, me një panoramë përrallore, kjo teqe është tashmë një destinacion pelegrinazhi për besimtarët bektashianë nga e gjithë Shqipëria. Ka lehtësinë e rrugës së mirë, ndaj lirisht mund të udhëtoni drejt saj me makinë.

Leusa, udhëtim shekullor

Në kilometra, rruga drejt Leusës nuk është e gjatë, por gjendja e saj, plotësisht e shkatërruar, e bën gati të pamundur udhëtimin me makinë. Mjetet motorike mund të ngjiten aty vetëm nëse janë fuoristrada të fuqishme. Gjen ende në këtë pelegrinazh, gjurmë të lashtësisë, kur kjo rrugë të çonte drejt këtij fshati me familje të kamura që hedh valle rrotull Kishës së Leusës, një perle të vërtetë me ikona, gurë, dru dhe sende kulti. Ka një atmosferë mistike në ngjitjen drejt kësaj kishe, has në rrugën tënde një gjelbërim nga bimësi që lëshon aromë të fuqishme, ndërsa burimet me ujë të ftohtë brisk, të lehtësojnë lodhjen. Anës rrugës fshatarët e zonës kanë shfrytëzuar një pjesë të tokës për vreshta e frutore, duke hapur brezare, teksa uji nuk mungon për vaditjen e kopshteve. Për të gjithë ata që preferojnë të ecin dhe të shijojnë një natyrë thuajse të virgjër, pelegrinazhi për në Leusë është zgjedhja e duhur. Të vizitosh kishën në ambientet e brendshme nuk është e lehtë, sepse ajo mbahet mbyllur e duhet të kërkosh çelësin e derës së madhe të drurit tek banorët aty pranë. Pavarësisht se në të është vënë dorë disa herë dhe pavarësisht se kisha ende mbetet një nga veprat më të bukura të llojit të saj në Shqipëri, të pikon në shpirt kur shikon se nëpër vite, fasade  e jashtme me ikona mbi treqindvjeçare është gërvishtur e shkatërruar nga shumë qytetarë që kanë shkruar aty emrat e tyre, kryesisht në kohën e diktaturës. Kisha ndodhet në një vend përrallor, rrethuar me burime ujore, përrenj e ujëvara. Një mjedis të tillë do ta shikoni rrallë në jetë.

Përmeti, trëndafili me gjemba

Akrepat e orës së këtij qyteti kanë mbetur të fiksuara shumë vite më parë, xhelozë për kulturën dhe traditat e tyre, ky qytet dhe njerëzit e saj, janë besnikë të orareve të tyre, pavarësisht turizmit dhe vizitorëve. Sapo të shkelësh në të, do ndihesh i detyruar të ulësh zërin sepse askush, as në telefon e as fëmijët që luajnë, nuk flet me zë të lartë. Orari i drekës sjell një dukuri që nuk e kam hasur askund. Qyteti “fiket” si me komandë dhe boshatiset krejtësisht deri pasdite, kur “ndizet” menjëherë e mbushet me njerëz. Pushimi i drekës në këtë qytet është po aq i shenjtë sa edhe mesha, ndaj në këtë orar, bëni gati makinat dhe lëvizni jashtë qytetit, për t’u rikthyer përsëri në darkë, sepse edhe kafenetë dhe restorantet bien në gjumë. Sheshi i ri i qytetit është i sapo rindërtuar, sipas projekteve të cilat kanë shndërruar shumë qendra qytetesh në Shqipëri, por në rastin e Përmetit, është ruajtur po ajo fizionomi. Ajo që të bën të kesh pikëpyetje është se përse shatërvanët dhe burimet e ujit që janë ndërtuar në qytet, për të zbukuruar edhe më shumë atmosferën në drekë e në mbrëmje, rrinë të mbyllura e pa ujë.

Një dashuri, afër dhe larg

Jo aq pranë Tiranës, por jo më larg se bregdeti i jugut, Përmeti do të lërë tek vizitorët një gjurmë që nuk harrohet lehtë. Ndërkohë që të ripërtërin mendje e trup, ky qytet që ka një mendje moderne por ka ruajtur një veshje muzeale, të thërret në nostalgjinë mbi atë që të bukur ka pasur tradita shqiptare. Njerëzit punëtorë dhe me kulturë e qytetari të këtij qyteti, nuk kanë bërë thjesht një “trapiant” të traditës, duke risjellë gatimet ose zakonet e dikurshme, ata nuk e kanë kthyer në konsumizëm traditën, e kanë lëvruar atë vit pas viti, për ta sjellë me hapa të avashtë, deri më sot. Pa bujë e pa prepotencë, Përmeti ka një siguri mahnitëse në vetvete, që nëse shkon e të mirëpret, do të jetë një dashuri nga ato që mbijetojnë gjatë, afër apo larg tij qofshi.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: