BE, 350 miliardë euro drejt fqinjëve të Shqipërisë, shqetësohen Varshava e Budapesti

BE, 350 miliardë euro drejt fqinjëve të Shqipërisë, shqetësohen Varshava e Budapesti
Brukseli po planifikon të zhvendosë dhjetëra miliarda euro nga fondet e BE-së, duke i devijuar paratë që kishte planifikuar deri tani për vende si Polonia, Hungaria dhe Republika Çeke.

Nga ky ndryshim fondet pritet të shkojnë kryesisht ndaj atyre vendeve që janë goditur rëndë nga kriza financiare, si Spanja dhe Greqia.

Reformat do të jenë një nga pjesët më kontestuese të buxhetit të BE-së për periudhën 2021-2027 të Komisionit Europian, i cili do të zbulohet muajin e ardhshëm dhe do të ketë një planifikim dramatik të “politikës së kohezionit” të rreth 350 miliardë euro, shumë që ka pasur si synim të mbështeste deri tani vendet më pak të zhvilluara të Bashkimit Eurpian.

Brukseli dëshiron të përfundojë praktikën e shpërndarjes së parave të kohezionit në bazë të produktit të brendshëm bruto, duke e zëvendësuar atë me kritere shumë më të gjera me qëllim për të mbuluar çdo gjë nga papunësia e të rinjve, arsimi dhe mjedisi deri tek migracioni dhe inovacioni.

Në krye të rishikimit të alokimit të fondeve, komisioni po forcon kushtet për përshtatshmërinë, duke përfshirë pajtueshmërinë e sundimit të ligjit dhe duke aplikuar më shumë kufizime se si mund të përdoren paratë e BE-së.

Projekt-dokumenti politik u zbulua dhe u publikua nga Financial Times.

Por lidhur me përmirësimet që kërkon të realizojë fondi, projekti i ri shihet veçanërisht shqetësues për Varshavën dhe Budapestin, dy përfituese më  të mëdha të fondeve të kohezionit, pasi këto vende kanë pasur kontradikta me Brukselin mbi sundimin e ligjit dhe standardet demokratike. Polonia pati paralajmëruar se financimi i BE-së është i lidhur me pavarësinë gjyqësore, çka do të shkaktonte “probleme të mëdha” dhe do të shkelte të drejtat sovrane.

Detajet precize të reformave janë ende duke u diktuar prapa skenave. Por diplomatët dhe zyrtarët presin që rezultati të sjellë një drejtim tjetër të fondeve nga Polonia, Republika Çeke dhe shtetet baltike që ishin planifikuar deri tani drejt shteteve jugore dhe me standarde më të larta ligjore, si Italia, Spanja, Greqia, dhe madje disa rajone të Francës.

Edhe diplomatët e vendeve që rezikojnë të humbin fondet nga ky ndryshim, janë shprehur të shqetësuar në Bruksel.  Ndryshimet në termat e alokimit jo vetëm që do të rishikojnë gjeografinë e fondeve të BE, por do të krijojnë një arsyetim të ri mbi politikën e rishpërndarjes së pasurisë së vendeve të bllokut.

Pas valës së zgjerimit të BE-së në vitin 2004, të ashtuquajturat fonde strukturore të BE-së ishin më shumë të orientuara drejt mbylljes së hendekut ekonomik midis vendeve anëtare të vjetra dhe atyre të reja. Polonia siguroi rreth 77 miliardë euro nga politika e kohezionit në periudhën buxhetore 2014-2020, Hungaria 22 miliardë euro dhe Sllovakia 14 miliardë euro, ose gjithsej 350 miliardë euro.

John Bachtler, një ekspert në politikën e kohezionit në universitetin Strathclyde, tha se negociatat buxhetore mund të jenë “më të vështirat në këto 30 vjet”.  Kur buxheti i fundit afatgjatë u miratua në vitin 2013, shtete jugore të Be-së si Greqia dhe Spanja dolën keq në terma relativë, duke çuar në shkurtime prej rreth 30 për qind të alokimeve.

Angela Merkel, kreu i qeverisë gjermane, dhe Emmanuel Macron, i Francës, kanë mbështetur idenë e buxhetit të BE për të siguruar mbështetje financiare për rajonet që strehojnë një numër të madh të azilkërkuesve, si Gjermania dhe Suedia.

Gjatë muajve të ardhshëm, diplomatët presin që një nga elementët kyç të negociatave të kohezionit të jetë një “rrjet sigurie” dhe një tavan mbi fitimet nga çdo shtet anëtar.

Këto do të kufizonin ndryshimet e mundshme në nivelet e përgjithshme të financimit për të dy palët, si për përfituesit ashtu edhe për humbësit, nga këto reforma.

Zyrtarët e BE po rishikojnë gjithashtu mundësinë që disa vende anëtare të përdorin më shumë para kombëtare në projekte.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: