Në Shën Valentin, muzika është padrone

Në Shën Valentin, muzika është padrone
Flet për Albanian free Press, Ilir Haxhi ose ndryshe i njohur si Mr. Freeman Dj

Është nga të parët Dj profesionistë në Tiranë, që në vitet ’90. Por edhe sot, e gjen kudo në mjediset ku gëzohet e festohet. Duke qenë një nga Dj më me përvojë në tregun muzikor, biseduam me Ilir Haxhin për muzikën që zgjedhin shqiptarët në mbrëmjen e Shën Valentinit.

“Tematika pa diskutim, që është drejt këngëve ose hit-eve mbi dashurinë. Por kjo varet shumë nga orari i aktiviteteve, tipologjia e mjedisit, domethënë nëse është lounge, bar ose club, si dhe varet edhe nga target grupi i klientëve dhe mosha e tyre. Por ajo që nuk ndryshon është se, në këtë natë, dashuria është padrone. Performimi gjithashtu ndryshon, por ajo që më shumë është në trend, vitet e fundit, është muzika live, ajo është më direkte e shkon më shpejt tek njerëzit mesazhi i dashurisë.

Grupet live kanë tashmë një repertor të zgjeruar, komunikim më direkt me publikun. Dj është më i kushtëzuar dhe do të fokusohet tek ajo rrymë muzikore ku luan edhe gjatë gjithë stinës së tij muzikore. Personalisht do të jem në një natë latine e kështu ndodh çdo të mërkurë. Kjo edhe më avantazhon, sepse pjesa më e madhe e hit-eve latine flasin mbi dashurinë. Por edhe kur nuk më ka qëlluar të luaj latine për Shën Valentin, kam zgjedhur të luaj rnb, blues dhe pop music. Megjithatë, ne jemi popull shumë festiv, dinamik, kemi një specifikë në këtë ditë, si për të gjitha festat e tjera. Si në Shën Valentin, po ashtu edhe në 28 nëntor në ditën e Pavarësisë, rinia do të kërcejë, do një arsye ose motiv për të “bërë zhurmë” e për t’u argëtuar.”

Shpërndajeni me miqtë tuaj: