Paraja virtuale, BSH ripërsërit: Jeni të pambrojtur!

Paraja virtuale, BSH ripërsërit: Jeni të pambrojtur!
Nëse papritur vendosni të investoni në të ashtuquajturën “paraja virtuale”, ta dini se nuk jeni fare të mbrojtur. Mund të humbisni shuma të tëra parash dhe askush nuk do të kujdeset për kthimin mbrapsht të tyre. Sepse kjo mbetet një mënyrë investimi e parregulluar dhe aspak e garantuar. Ky ka qenë mesazhi që ka dashur të përcjellë dje Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ndaj qytetarëve shqiptarë lidhur me trendin më të fundit të përhapur në botën financiare, të të operuarit përmes parasë elektronike, siç njihet ndryshe edhe “kriptomania”. Konkretisht, gjatë forumit të vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore në Vjenë, ai pohoi se këto instrumente nuk janë zëvendësuese të parasë tradicionale. “Por janë alternativa investimi të parregulluara dhe të pagarantuara, përdorimi i të cilave kërkon kujdes maksimal nga të gjithë agjentët ekonomikë”, mësohet të jetë shprehur ai më tej lidhur me rolin dhe implikimet konkrete që ka sipas tij ekspansioni i “critpocurrencie”-s. Në këtë mënyrë, ai ka përsëritur pozicionin e shprehur në fakt zyrtarisht që para disa muajsh nga Banka e Shqipërisë se kuadri ligjor në fuqi nuk e parashikon kryerjen e një veprimtarie të tillë në vendin tonë. “Banka e Shqipërisë nuk ka licencuar asnjë subjekt financiar në veprimtarinë e të cilit të përfshihet përdorimi i monedhave virtuale. Për rrjedhojë, çdo shoqëri e cila përfshihet në këtë aktivitet në Republikën e Shqipërisë nuk është e licencuar, e për rrjedhim aktiviteti i saj nuk i nënshtrohet kuadrit rregullues e atij mbikëqyrës nga ana e Bankës së Shqipërisë”, ka qenë saktësisht qëndrimi zyrtar i bankës sonë qendrore lidhur me këtë aktivitet financiar, i cili duhet thënë se edhe pse informal, tashmë po ushtrohet nga persona të posaçëm në vendin tonë. Mesa duket, as mosnjohja e tij nga ana e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare si i tillë, nuk po e pengon atë që të ekzistojë dhe tashmë të jetë një realitet i ri edhe në botën financiare të Shqipërisë.

 

Bitcoin, autoritetet e pranojnë ekzistencën e përdorimit informal të monedhës në Shqipëri

Që shqiptarët tashmë kanë nisur ta njohin dhe madje të operojnë përmes parasë informale, Bitcoin, një fakt të tillë e pranojnë edhe vetë autoritetet zyrtare. Porse ato mbeten të qëndrimit se ky mbetet një aktivitet informal dhe madje, i rrezikshëm. Po si funksionon në praktikë operimi përmes Bitcoin? Gjithçka fillon me interesimin që një person ka për të investuar një shumë të caktuar parash cash, duke i kthyer ato në pará virtuale, kundrejt një interesi të caktuar. Ky operacion mundësohet përmes administrimit prej personave të caktuar të pajisjeve të caktuara kompjuterike, të posaçme këto për t’i kryer ato. Juve u jepni atyre paratë, ndërsa ata i investojnë ato në Bitcoin, kundrejt nivelit aktual të këmbimit që kjo e fundit posedon në atë moment. Ndërkaq, në Shqipëri, meqë një aktivitet i tillë financiar është ende i palicencuar, nuk ka ende një seli, apo edhe bankomat, ku mund të tërhiqen shumat respektive të parave. Prandaj personat që e ushtrojnë atë dhe që selitë zyrtare mund t’i kenë në vende të tjera të Evropës, ku ai është i ligjëruar, mund të përdorin bankomatet në vendet e afërta, të posaçme për Bitcoin, siç është një i tillë edhe në Kosovë për shembull. Kësisoj, edhe në kushtet e mosligjërimit ende në Shqipëri, ai duket se nuk e ka aspak të pamundur ushtrimin e tij këtu. E pikërisht për një arsye të tillë, duke e pranuar se ai tashmë është i pranishëm, autoritetet më të larta të Bankës së Shqipërisë, herë pas here po i drejtohen publikut me apelin për të treguar kujdes ndaj tij.

Sipas Autoritetit Bankar Europian, një monedhë virtuale është një formë e parregulluar e parave dixhitale, e paemetuar dhe e pagarantuar nga një bankë qendrore, e cila mund të veprojë si mjet pagese. Monedhat virtuale janë krijuar në shumë forma, duke filluar si monedha brenda mjedisit të lojërave online kompjuterike dhe rrjeteve sociale, dhe duke u zhvilluar në mjete të pagesës të pranuar ‘offline’ ose në ‘jetën reale’.

Ulje-ngritje të befta, vlera e Bitcoin lëviz në mënyrë të paparashikuara

Ulje dhe ngritje të befta të vlerës, edhe brenda pak çasteve. Lëvizje të paparashikueshme të saj, të cilat siç mund t’u sjellin shumë fitime investitorëve, në të njëjtën kohë, në një moment të caktuar edhe mund t’i “rrënojnë” ata. Kjo është ajo çka po karakterizon së fundmi paranë virtuale në tregjet ndërkombëtare. Duke e kthyer kësisoj nga një investim sa joshës për të fituar shumë pará brenda një kohe të shkurtër, edhe në një rrezik të mundshëm që të humbasësh edhe ato që ke hedhur nga vetja. Mjafton të kujtojmë se fund të vitit të kaluar, Bitcoin, u zhvlerësua me nivelin prej -30% vetëm brenda pak orëve, duke arritur në 14 mijë dollarë, nga rreth 20 mijë të tillë që ai ishte më parë. E megjithë këto risqe që ajo mbart, (shto këtu, edhe atë të moskthimit mbrapsht të parave, siç funksionon në rastin e depozitave kur falimenton një bankë dhe deri në 25 milionë lekë i ke të paktën të garantuara nga shteti që do t’i marrësh), sërish Bitcoin po josh shumë persona që të investojnë shuma të mëdha përmes tij. Ekspertët e fushës e shpjegojnë këtë me një sërë faktorësh, të tillë siç janë ato që  përdoruesit e Bitcoin nuk preken nga inflacioni. E thënë ndryshe, që ndryshe nga paraja cash e cila emetohet vazhdimisht nga bankat, kriptomonedhat do të kenë një limit. Konkretisht, vetëm 21 milionë të tilla do të emetohen. Nga ana tjetër, fakti që Bitcoin nuk është i rregulluar nga asnjë qeveri, e bën atë të jetë një monedhë virtuale globale dhe të mos i nënshtrohet aventurave të asnjërës prej tyre. Sikundër, i favorshëm për monedhat virtuale mbetet edhe fakti që ato mund të transportohen lehtësisht.

 

 

 

 

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: