Kavalli, fyelli i Gramshit me vlera unike artistike

Kavalli, fyelli i Gramshit me vlera unike artistike
VËZHGIM - Format polifonike në repertorin e fyejve të Gramshit, në politikat zhvillimore të programit të UNESCO-s

***

Nga Mariola Miso*

Kavalli është një ndër instrumentet më tërheqës e më të lashtë në fondin e artë të trashëgimisë muzikorë shqiptare, si dhe një ndër dokumentet më të rëndësishëm të muzikës instrumentale polifonike shqiptare që në mijëvjeçarin I p.e.s. Ky instrument konsiderohet si pjesë e rëndësishme e kulturës muzikore tradicionale shqiptare. Kavalli, ose fyelli i Gramshit, siç quhet edhe nga vendasit, paraqet një ndër format më të hershme të polifonisë instrumentale. Këtë fakt e vërteton dokumenti arke-muzikologjik i shek. V p.e.s. përmes një bazorelievi, i zbuluar në territoret shqiptare, i cili pasqyron qartë një instrument të dyfishtë me përmasat dhe tiparet organologjike të kavallit.

Tipari themelor i kësaj periudhe, siç gjykohet nga tiparet organologjike të instrumentit me dy tyta, është që në njërin instrument, instrumentisti luan melodinë, ndërsa në tjetrën mban një notë e gjatë, që vazhdon pa ndërprerje në mbështetje të melodisë. Ky pozicion i lojës së këtij instrumenti rezulton se produkti të jep të kuptosh se instrumenti emeton një diafoni instrumentale, që mesa duket, kjo ka qenë edhe praktika e lojës muzikore e shekujve të V-të p.e.s. Analizat e regjistrimeve audiovizive të kryera në një ekspeditë kërkimore në rrethin e Gramshit, konfrontuar me qenien e këtij grupi, praktikave muzikore në kohët e sotme, tregojnë qartë se ushtrimi i praktikave instrumentale të tyre ka vazhduar pa ndërprerje edhe gjatë mesjetës se errët, edhe pse kanë munguar tërësisht dokumentimi i tyre përmes objekteve arkeo-muzikologjike dhe ikonografike, duke ruajtur dhe zhvilluar më tej format polifonike instrumentale përmes lojës ekzekutuese. Por, theksojmë se në rastet e praktikimit aktual,  rolin e dy kavallave që dikur luhej nga një instrumentist, e realizojnë dy instrumentistë të veçantë ku, njëri  luan melodinë ndërkohë që tjetri mban një notë të gjatë   të pa ndërprerë në trajtën e një burdoni.

Fuzioni

Fuzioni i formacionit të fyejve të Gramshit është unikal. Ai jep ndjesi të veçanta estetike. Ky fuzion i fyelltarëve të Gramshit ka sensibilizuar mjaft kritikë të muzikës, brenda dhe jashtë vendit dhe ka bërë që mjaft studiues dhe estetë, apo personalitete të kulturës dhe artit kanë dhënë vlerësime të veçanta për efektet, si edhe për format polifonike interesante të traditave të muzikës së këtij formacioni. Mjaft kompozitorë kanë zhvilluar mjaft nga temat e kësaj muzike të zhvilluar në krijimtarinë e muzikës kulte si kompozitori i njohur, Tish Daija, Aleksandër Peçi etj., duke u vlerësuar edhe me çmime ndërkombëtare.

Struktura patogjenike, më të rëndësishmet

Struktura e tretë, ajo patogjenike, konsiderohet si më e rëndësishmja në muzikën instrumentale. Këto struktura njihen paraprakisht nga ato vokale, kryesisht nga vajtimet, të transformuara dhe të përshtatura me vetë mundësitë teknike dhe shprehëse të llojit të instrumenteve që i ekzekutojnë në stilin e instrumentalizuar. Këto konsiderohen si format më evolucionare, por edhe si strukturat që kanë një ngarkesë më të ndjeshme emocionale. Ato dallohen lehtë nga pathosi i theksuar, i realizuar mes mjeteve të fuqishme artistike instrumentale. Në strukturat patogjenike instrumentale polifonike ndjejmë një atraksion të fortë të vëmendjes, të ndjeshëm, tek cilido njeri që e dëgjon pasi, ato prekin aspektet më të ndjeshme të jetës së tij. Në muzikën instrumentale, kryesisht në format e vajtimeve me kavall këto struktura janë më të prekshmet emocionalisht, pasi në to trupëzohen elemente vajtimor të grave. Pikërisht, këto elemente të kësaj kategorie, pra të strukturave patogjenike, ndjehen në përgjithësi mjaft elemente edhe në muzikën popullore shqiptare në mjaft zhanre të saj. Formacionet e kësaj strukture janë të kufizuara. Zakonisht, patogjenia me kavall shprehet veçmas, në monofoni, pasi aty instrumentisti vajton i vetëm duke kërkuar të nxjerrë sa më shumë dhimbje me intervalet e ngjashme të vajtimit të kësaj zone. Ka edhe raste kur në këtë kategori, fyelltari shoqërohet edhe nga një fyell tjetër duke formuar një sfond me burdonin e vazhdueshëm, që ai mban duke krijuar një diafoni instrumentale në trajta rudimentale. Ka edhe raste, kur burdoni apo isoja mbahet nga një zë gruaje dhe këto raste e bëjnë repertorin patogjenik më të ndjeshëm me ngarkesa emocionale më të fuqishme. Format polifonike më të zhvilluara i ndeshim në formacionet instrumentale të përbëra nga 18 kavalla. Formacioni i rrethit të Gramshit u paraqit në një nga festivalet e viteve 80’ me më shumë se 20 kavalla. Ky formacion paraqet format më të zhvilluara polifonike pasi, në përjashtim të një grupi prej katër kavalla që mbajnë ison në këtë formacion, të tjerët improvizojnë në format imituese ndaj njëri-tjetrit, duke krijuar një nga fuzionet më tërheqëse të muzikës instrumentale tradicionale, në një polifoni me përmasa mbresëlënëse. Ky formacion është nderuar me vlerësime tepër të larta edhe në simpoziumet ndërkombëtare në Luçerna te Zvicrës në vitin 1993, në një organizim tepër specifik të zhanrit të “fishkëllimës” i inkuadruar në 100-vjetorin e vdekjes së kompozitorit Richard Vagner. Ky grup i veçantë i kavallave të Gramshit është pjesëmarrës i mjaft koncerteve si dhe konkurrimeve te tjera jashtë vendit ku është pritur me vlerësimet më të larta, mbi te gjitha, për format interesante dhe të zhvilluara  e autoktone të polifonisë popullore shqiptare. Pikërisht, për këto vlera tepër të veçanta të muzikës tradicionale polifonike është e domos-doshme që politikat kulturore që janë në ruajtje nga organizata e UNESCO-s të drejtohen edhe në përkrahje të aktiviteteve koncertale të këtij grupi instrumentistësh, në ruajtje dhe zhvillim të mëtejshëm të një prej formave polifonike tradicionale që trashëgohet nga një e kaluar e largët.

 

REPERTORI

Kavalli, 3 struktura melodike themelore

 - Strukturat logogjenike,

- Strukturat melogjinike,

- Strukturat patogjenike.

Strukturat logogjenike të muzikës popullore instrumentale  përmbajnë dukshëm dukuritë si dhe elementët e këngës vokale monofonike të grave të zonës (melodi-tekst-poetik), strukturat e të cilave dallohen për nga karakteri përsëritës i preludeve dhe interludeve instrumentale, në fund të çezurave, në rendin përsëritës të tyre, në ngarkesat e pakta të elementëve zbukurues, në gjatësinë dhe thekset e frazave, si dhe në trupëzimin e intonacioneve muzikore, të ngjashme me ato të tekstit poetik etj. Formacionet që praktikohen në luajtjen dhe shoqërimin e kësaj strukture, në dekadat e fundit, paraqiten në trajta solistike, kur ata luajnë një melodi kënge, por edhe kur ata shoqërojnë këngëtarë apo formacione vokale, madje edhe duke u integruar edhe në formacione orkestrale në rastet e konkurrimeve zonale apo kombëtare. Në strukturën e dytë, atë melogjenike repertori i kavallit zakonisht merr trajta instrumentale, duke u pasuruar me elementë strukturorë të shumë prej zhanreve të muzikës popullore, të këngëve, të melodive instrumentale të huazuara nga instrumente të kategorive të tjera, të vajtimeve, por të transformuara instrumentalisht në plane të ndryshme teknike e emocionale, gjithmonë me elemente të theksuara pastorale.

* Etnomuzikologe & Etnoorganologe       

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: