Investimet e huaja po bien, parashikime të zymta dhe sivjet

Investimet e huaja po bien, parashikime të zymta dhe sivjet
Ekonomia shqiptare parashikohet që të përballet gjatë fillimit të këtij viti me një nivel të ulët të investimeve të huaja direkte. Dhe kjo, sipas ekspertëve, pas trendit rënës të tyre të reflektuar gjatë periudhave të fundit. Kështu, siç referon vetë Banka e Shqipërisë, në shifrat më të fundit të publikuara prej saj, rezulton se gjatë tremujorit të tretë të vitit të kaluar 2017, ato kapej një shifër prej rreth 6.937 milionë eurosh, e ngjashme kjo me atë rreth 6.862 të tilla që ajo ka qenë për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Madje edhe gjatë tremujorit të fundit të vitit 2016, ajo ka qenë në vlerën prej 6.974 milionë eurosh, duke treguar kështu se ritmi i shtimit të investimeve të huaja direkte që mbërrijnë në vendin tonë nga jashtë është në rënie. E kjo, sidomos pasi u mbyllën dy investime të rëndësi-shme, siç ishte ai i gazsjellësit Trans-Adriatik (TAP) apo i hidrocentralit të Devollit.

Nga ana tjetër, ajo çka tregon tabela e ofruar prej bankës qendrore për investimet e huaja në vendin tonë është fakti se ato të ofruara prej të gjitha shteteve kanë qenë mjaft të ulëta, apo edhe në rënie. Ndërsa me rritje rezultojnë vetëm ato që burojnë nga Zvicra, e cili është edhe vendi prej nga raportohen se vijnë investimet e gazsjellësit TAP. Konkretisht, nga ky vend kanë ardhur 71% të rritjes së IHD-ve për tremujorin e tretë të vitit të kaluar, një shifër goxha e lartë kjo për një vend të vetëm. Teksa 25 milionë euro ka qenë shtesa e investimeve nga Turqia, 20 milionë euro nga Italia, 16 milionë euro nga Kanadaja dhe 14 milionë euro nga Holanda.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: