Importet, “Made in Italy” marka më e preferuar për shqiptarët

Importet, “Made in Italy” marka më  e preferuar për shqiptarët
“Made in Italy”, duket se është marka më e preferuar e mallrave që Shqipëria ble nga vendet e tjera. Të paktën sipas të dhënave mbi importet nga jashtë që vijnë në vendin tonë. Konkretisht, ato tregojnë se janë pikërisht mallrat të cilat ne i tërheqim nga gadishulli “çizme” përtej Adriatikut, ato që mbizotërojnë në tregjet shqiptare. Kështu, importet nga Italia kanë zënë gjatë vitit të kaluar një nivel total prej rreth 189 miliardë lekësh. Shifër kjo, së cilës nuk i afrohet asnjë shtet tjetër për nga blerjet prej Shqipërisë. Madje edhe shifrat më e përafërt e importeve që renditet direkt pas Italisë, ajo rreth 50 miliardë lekësh dhe që është e njëjtë për tre vende; Greqi, Turqi dhe Gjermani; vihet re se është mjaft e ulët. Duke krijuar kësisoj një distancë mjaft të madhe mes mallrave që mbajnë markën e tyre, pra “Made in Greece”, “Made in Germany” e “Made in Turkey” dhe atyre me markën “Made in Italy”. Një trend ky i cili në fakt po vazhdon prej vitesh dhe që ende nuk ka mundur të përmbyset dot, edhe pse prej disa vendeve nga viti në vit, ka një shtim të mallrave që vijnë drejt Shqipërisë. Të tilla si Spanja, Zvicra apo Serbia etj. Konkretisht, në shifra, nga secili prej këtyre vendeve, Shqipëria ka tërhequr gjatë vitit të kaluar 13.4, 13 dhe 25 miliardë lekë mallra. Kurse në total, mund të thuhet se importet e huaja prej të gjitha shteteve drejt Shqipërisë gjatë 2017-tës kanë qenë në vlerën e 626 miliardë lekëve. Një shifër në rritje kjo, në krahasim me atë që është vërtitur në nivelet prej rreth 500 miliardë lekëve gjatë tre viteve të fundit, 2013, 2014, 2015 dhe 2016. Dhe që kundrejt tyre, importet nga Italia kanë zënë gjithmonë një nivel prej rreth 20%. E thënë ndryshe, të paktën një ndër 4-5 mallra që tregtarët shqiptarë blejnë jashtë vendit, rezulton të jetë pikërisht me markën “Made in Italy”.

Gjermania, Greqia, Spanja, Kosova, tregjet kryesore për mallrat shqiptare

Pas Italisë, Gjermania, Greqia, Spanja dhe Kosova janë katër tregjet kryesore që “thithin” mallrat e prodhuara në Shqipëri. Të paktën kështu figuron nga shifrat më të fundit të eksporteve gjatë vitit të kaluar që referon Instituti i Stati-stikave. Sipas tyre, rezulton se gjatë vitit të kaluar, eksportet nga katër vendet në fjalë kanë kapur shifrat respektive prej 11, 11.6, 15 dhe 21 miliardë lekësh. Ku kjo e fundit, pra ajo e Kosovës, tregon për një trend të ri të shtimit të shitjes së mallrave me markën “Made in Albania” drejt shtetit fqinj. Sikundër, ka edhe shtete të tjera në Evropë, ku Shqipëria deri pak vite më parë shiste mjaft mallra, si Malta për shembull, me shifra deri në 16 miliardë lekë, por që sot ka arritur në vetëm 40 milionë lekë. Ndërsa disa vende të tjera, po në Evropë, që mund të thuhet se kanë patur një ecuri të madhe rritëse të blerjes së mallrave nga vendi ynë janë të tilla si Bullgaria, Rumania etj.

 

Shesim veshje e këpucë; blejmë bukë e ushqime

Shqiptarët i shesin botës kryesisht veshje dhe këpucë. Gjë që tregon se pikërisht, këto mallra të industrisë fason, janë tashmë të parat që arrijnë të konkurrojnë në tregjet e huaja. Për të vijuar më tej, me shitjen e mineraleve, lëndëve djegëse apo të energjisë elektrike. Që të dyja këto, grupet të cilat kryesojnë listën e eksporteve e mallrave “Made in Albania”. Nga ana tjetër, rezulton se shqiptarët blejnë prej botës kryesisht ushqime dhe pije, si edhe makineri apo pajisje prodhimi. Mesa duket, ende pa mundur dot që të përmbushin nevojat e popullatës me prodhim vendas, pikërisht për këto dy grupe, të cilat sipas INSTAT-it, rezulton se kryesojnë listën e importeve që Shqipëria tërheq nga vendet e tjera të botës.

 

Eksportet vetëm rritje dyshifrore, por ende mbeten “inferiore” para importeve

Eksportet shqiptare jashtë vendit kanë njohur gjatë vitit të kaluar rritjen e tyre më të madhe të viteve të fundit. Kështu, duke vijuar rritjen e tyre progresive, vitin e kaluar ato arritën që ta mbyllin atë me një nivel prej 12%. Gjithsesi, ajo që bie në sy, është dukuria se pavarësisht rritjes së eksporteve, kjo nuk ka qenë e mjaftueshme për të përmirësuar bilancin tregtar të vendit. Dhe kjo, sepse importet vazhdojnë që të jenë domi-nuese ndaj tyre. Konkretisht, sipas të dhënave që jep vetë Instituti i Statistikave, rezulton se eksportet realisht në vendin tonë janë sa 43% e importeve. Duke krijuar kështu një deficit të thellë tregtar, i cili arriti në një nivel prej 353 miliardë lekësh në fund të vitit të kaluar, duke shënuar një rritje të tij në nivelin prej 5% në krahasim me vitin e mëparshëm. Dhe kjo, pasi përveç ecurisë pozitive të eksporteve, importet u rritën me ritme më të larta sesa ato. Gjë që solli pikërisht edhe përkeqësimin e deficitit tregtare. “Gjatë vitit 2017, eksportet u rritën me 12.1%, krahasuar me një vit më parë, kurse importet me 8.1%. Defiçiti tregtar u rrit 5.2%, krahasuar me vitin pararendës, 2016”, cilësojnë ekspertët e INSTAT-it.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: