“Yjet e së ardhmes”, kur shpresa sfidon vdekjen

“Yjet e së ardhmes”, kur shpresa sfidon vdekjen
Nga Juela Meçani

Muaj më parë, gjatë një bisede-intervistë me të madhen Margarita Xhepa, me sytë që i bënin dritë, aktorja më tregoi se ndihej shpirtërisht shumë e ngazëllyer nga xhirimet e një filmi të ri. Më tregoi se filmi xhirohej në një Shtëpi për të Moshuar dhe se e kishte pritur me kënaqësi të madhe e pa asnjë dyshim pjesëmarrjen në këtë film, pavarësisht se me një buxhet minimal. Disa aktorë të staturës së saj, bashkë me të, as që deshën ta dinë nëse do të kishte buxhet, por përqafuan skenarin dhe idenë, e krijuan bashkë një grup aktorësh nga ata që kishim  shumë kohë pa u parë bashkë. Pak kohë më vonë, edhe kompozitori i filmit, Saimir Çili, me të njëjtin emocion, më tregonte mbi këtë projekt të regjisorit dhe producentit Edmond Topi, i cili bënte bashkë dhimbjen dhe shpresën e një brezi, që i ka dhënë shumë këtij vendi të vuajtur. Ndaj premierën e filmit e prita me shumë kuriozitet, por edhe me dyshimet e mia sesi mund të trajtohej një skenar mbi këtë temë, duke qenë larg patetikes. Filmi me metrazh të gjatë “Yjet e së ardhmes” është një surprizë nga fillimi në fund. Një komedi romantike që ka brenda edhe thriller, edhe mister, edhe tragjiken. Tinka Kurti, Reshat Arbana, Margarita Xhepa dhe Luftar Paja, katër kolosë “Nderi i Kombit” do të mjaftonin që të gozhdoheshe përpara ekranit të kinemasë. Por bashkuar kësaj, me mjeshtëri regjisoriale, gjen një Ema Andrea aq brilante sa deri në fund të filmit e urren me forcë, që të kujton aktoren Yllka Mujo në dramën “Natë me hënë”, një Gazmend Paja që deri në fund të filmit të duket si ai djali i lagjes, çapkën e rebel, por që del të jetë njeri më me shpirt e botë se shumica e atyre që ke njohur dhe një Elia Zaharia aq e natyrshme, saqë uron shumë që në jetë, të të shërbejë një infermiere si ajo.

“Andrra vdes me robin”, thotë në një moment Reshat Arbana, që luan në rolin e Besimit, një të moshuari i cili ka humbur bashkëshorten, e bija ka emigruar larg, në SHBA dhe ka zgjedhur ta luftojë vetminë duke shkuar në Shtëpinë e të Moshuarve. Kjo frazë e shkurtër është ndoshta krejt filmi.

Mesazhi që skenari e më pas filmi kërkoi dhe ia doli, sipas mendimit tim, të japë, është se çdo moshë ka ëndrrat, mundësitë, sukseset dhe zhgënjimet e veta, por brezat mund të bashkëjetojnë shumë mirë nëse komunikojnë dhe njihen midis tyre. Dialogu i munguar në shoqërinë shqiptare dhe paragjykimet, që vijnë kryesisht nga mosnjohja, në film, vijnë përmes situatës herë absurde, herë të papërballueshme, herë tragji-komike, por jo rrallë edhe optimiste.

Ky grup të moshuarish fillimisht në krizë vetmie dhe harrese, që vijnë nga drama në jetë e ëndrra të parealizuara, gjejnë dashurinë dhe shpresën në vendin më të pashpresë, sipas tyre, në atë që e quajnë “burg”, e ku nuk mungojnë sërish njerëz hidhtakë e të palumtur, të cilët tentojnë t’u nxijnë dhe ditët e fundit të jetës. Por edhe në këtë vend, në një magazinë të fshehur, një djalë i ri u tregon dritën në fund të tunelit dhe u risjell në mendje se ka ende dashuri në këtë vend të lodhur.

Filmi ka guximin të sfidojë komunitetin, shpesh indiferent, lidhur me sjelljen e shoqërisë ndaj moshës së tretë, duke përcjellë mesazhin se suksesi, lumturia e madje edhe dashuria, as kanë dhe as njohin moshë; nëse tenton drejt tyre, ato mund t’i bësh të tuat deri ditën e fundit të jetës, mjafton të duash, të kesh vullnet dhe të tentosh drejt tyre.

Margarita Xhepa në rolin e violinistes, dikur spalë e orkestrës së RTSH-së, e që në fund lë amanete; Tinka Kurti që braktiset nga i biri, por gjen forcën edhe të këndojë; Reshat Arbana, i moshuari simpatik që shijon alkoolin e cigaren, por ka energji po aq sa nipi i tij i dashur; si dhe Luftar Paja në rolin e të moshuarit që, edhe pse me shëndet të rënduar, i jep frymë harmonikës e nuk dorëzohet. Personazhe që do ju bëjnë të qeshni e të qani gjatë gjithë filmit, por në fund do ju lënë në prehër shpresën e madhe se e bukura dhe dashuria kanë gjithmonë kohë të vijnë në jetën tuaj.

Ky film që nuk duhet humbur, më në fund, sjell në kinematë tona, në ato pak që ende rezistojnë, edhe fytyrën sociale të këtij vendi, traditat, respektin ose mosrespektim ndaj moshës së tretë, muzikën e mirë, nostalgjinë, jetën e natës së Tiranës, fytyrën humane të ligjit dhe fytyrën e ligësisë së drejtuesve të palumtur. Ndaj është një ide shumë e mirë ajo që shprehën realizuesit e saj, se ky film do të shkojë në një turne në të gjithë vendin, në mënyrë që publiku shqiptar, edhe në rrethe, të ketë mundësinë ta shijojë atë.

***

Regjisori dhe producenti Edmond Topi theksoi se skenari origjinal i Uli Bree u ble me të drejta, gjatë një festivali filmi, ku u mundësua blerja me një çmim të volitshëm. Por nuk do të mund të realizohej asnjëherë pa zemërgjerësinë e stafit dhe kastit të aktorëve, të cilët pa bërë asnjë bisedë financiare, morën skenarin dhe thanë “Po”. Mua kjo nuk më ka ndodhur asnjëherë në 35 vite karrierë, e as nuk e kam dëgjuar të ndodhë gjetkë. Nëse pritet mirë, është meritë e tyre. Ai u shpreh se ishte menduar që në fillim si një film për publikun e vetëm për publikun, që t’u rikthehej sallave për filmin shqiptar. I pyetur nga unë se a do ndryshonte mendim, në mënyrë që ky film të përfaqësonte Shqipërinë në një Festival Ndërkombëtar, regjisori Topi u shpreh se nuk ishte aspak ky qëllimi i realizimit të këtij filmi, por nëse stafi do e dëshironte këtë, pse jo.

*foto Albanian Free Press gjatë konferencës për shtyp në premierën e filmit

***

Aktorja Elia Zaharia u shpreh gjatë premierës së filmit se skenari i filmit për të ishte “dashuri me lexim të parë” dhe se ky film sigurisht që do sillte reflektim dhe do linte gjurmë në jetën e saj, nisur edhe nga fakti i aktivizimit të saj përmes Fondacionit, lidhur me moshën e tretë dhe nevojat ose dëshirat e tyre. Më shumë sesa komedi romantike, ajo u shpreh shumë e përlotur dhe e mallëngjyer nga historia që ky film përshkruan.

***

Aktori Gazmend Paja u shpreh i emocionuar për rolin dhe bashkëpunimin me kastën e aktorëve, në mesin e të cilëve ishte dhe babai i tij. Ai u shpreh se kishte edhe siklet, sepse do të ishte përkrah legjendave. “Gjatë këtyre xhirimeve, pashë se këta njerëz, këto legjenda, edhe në jetën e tyre të përditshme e private, janë vitalë e kanë ëndrra. Nuk ishte vetëm filmi që na dha eksperiencë, ishte edhe puna prapa kamerave dhe atmosfera që u krijua gjatë xhirimeve. Këta aktorë të mëdhenj ishin plotësisht të shkrirë me ne aktorët më të rinj dhe me të gjithë stafin e filmit”, - u shpreh aktori.

***

Kompozitori i muzikës së kësaj komedie muzikore, Saimir Cili u shpreh posaçërisht për Albanian Free Press së filmi është mbështetur shumë në muzikë, ai ka momente të gëzuara por edhe të hidhura, siç është jeta vetë. “Jam munduar të jem korrekt me kërkesat e regjisorit, për sa i përket këngës “Kafe Flora” ka qenë kërkesë e regjisorit duke i marre leje paraprakisht me marrëveshje kompozitorit të këngës, të mirënjohurit Agim Krajka, kurse në momentet e tjera muzikore janë përdorur dhe këngë qytetare shqiptare. Pjesa tjetër është muzikë e kompozuar nga unë, ku melodia melankolike është përdorur në momentet më të vështira jetësore në film. Muza dhe krijimtaria ime muzikore gjithmonë është mbështetur ne melodinë shqiptare, theksoj se prirja ime është midis muzikës klasike dhe asaj të lehtë. Pjesa realizuese e materialeve muzikore ka qenë “Keli Band” e drejtuar nga Brikel Guga, si dhe me pjesëmarrjen e këngëtares Marsela Çibukaj dhe Eranda Libohova, gjithashtu dhe e violinesteve Ergi Papadhimitri dhe Elona Islamaj."-u shpreh ai për Albanian Free Press.

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: