Rikthehet treni në Shqipëri, 300 mln euro investime nga BE dhe BERZH

Rikthehet treni në Shqipëri, 300 mln euro investime nga BE dhe BERZH
Paralizës së hekurudhave të vendit tonë do t’i jepet fund.

Projekti për modernizimin e hekurudhave të vendit tonë dhe të dy vendeve fqinje, Maqedoni e Kosovë, do të tërheqë mbi 300 milion euro investime.

123 milion euro grante të BE-së dhe 190.5 milionë kredi nga BERZH do të investohen në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, për të përmirësuar transportin hekurudhor dhe për të nxitur lidhjen dhe integrimin rajonal të këtyre vendeve me vendet e tjera.

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Bashkimi Evropian (BE) dhe donatorë të tjerë bilateralë synojnë me anë të këtij projekti të përmirësojnë më tej lidhjet e transportit në Ballkanin Perëndimor, të cilat shihen si vendimtare për zhvillimin e ekonomive konkurruese në rajon.

BE investon 123 milionë euro për ndryshimet e mëdha që priten të ndodhin mbi sistemin hekurudhor në Shqipëri, Maqedoni e Kosovë. Këto fonde dhe investime shtesë nga BERZH dhe partnerë të tjerë pritet të nxisin tregtinë në mënyrë të konsiderueshme, si me BE-në, ashtu edhe brenda rajonit.

Në të njëjtën kohë, do të ketë një ndikim të prekshëm pozitiv në jetën e njerëzve përmes udhëtimeve më të shkurtra, më të shpejta dhe më të lira, sikurse udhëtimi i njerëzve gjithashtu shihet më i sigurt me tren.

BERZH vuri në dispozicion 190.5 milionë euro kredi për këto projekte, të cilat mbështeten edhe nga kontribute të mëtejshme të tre qeverive përfituese, Bankës Evropiane të Investimeve si dhe donatorëve të tjerë dypalëshe, që i bashkojnë burimet e tyre përmes Kornizës Investuese të Ballkanit Perëndimor.

Në Shqipëri, investimet do të ndihmojnë fillimisht modernizimin e vijës hekurudhore që lidh kryeqytetin Tiranë me Durrësin, ku ndodhet porti më i madh i vendit. Ata gjithashtu do të sigurojnë financimin e një linje të re hekurudhore nga Terminalja e Transportit Publik Tiranë drejt aeroportit ndërkombëtar të Rinasit. Infrastruktura ekzistuese ka nevojë urgjente për modernizim dhe përmirësimi i saj do të lejojë që trenat të udhëtojnë pothuajse me dyfishin e shpejtësisë aktuale, duke reduktuar ndjeshëm kohën e udhëtimit, si dhe duke ofruar operacione të sigurta hekurudhore nëpërmjet një sistemi të ri sinjalizimi modern.

Në Maqedonisë, ky projekt do të realizojë lidhje më të mira me kufirin bullgar dhe përmirësimin e qasjes në tregun e BE. Projekti është pjesë e një arterie kryesore të transportit, Korridori VIII, i cili është me rëndësi strategjike për Maqedoninë pa dalje në det, çka do të thotë se pritet të lidhë hekurudhat e vendit fqinj me Pogradecin për të arritur në Portin e Durrësit.

Në Kosovë, fondet do të përmirësojnë transportin hekurudhor midis Fushë Kosovës dhe Mitrovicës, duke e lidhur rajonin e Prishtinës me pjesën veriore të vendit. Edhe në Kosovë përmirësimi i infrastrukturës do të të rrisë lidhshmërinë rajonale.

Përgatiti: Aranit Muraçi

/Artikulli dhe foto marrë nga faqja zyrtare e Bankës Europiane për Ndërtim dhe Zhvillim/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: