RENDJE PAS FANTAZMËS – OPINION NGA FRROK ÇUPI

RENDJE PAS FANTAZMËS – OPINION NGA FRROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Të gjithë bashkëpatriotët tanë, po rendin drejt BE-së. Dikush me mendje, dikush me shpresë, dikush me hile, dikush sepse të gjithë bëjnë ashtu..., dhe, më në fund, politikanët në BE shkojnë e marrin pushtet. Në fakt, të gjithë këta që rendin janë të gjallë, por të gjithë rendin pas një fantazme.

BE ishte një herë e një kohë...

Më të ndershmit e këtyre që po shtyhen drejt BE-së, janë ata që mbajnë mend BE-në. Ose e mbajnë mend se e prekën, ose më shumë e mbajnë mend si një ëndërr. Tani që ndodhemi në prag të përkujtimit të ngjarjeve të Dhjetorit ’90, kur nisi rrugë demokracia në vend, d.m.th., kur u lejua të përmendet Europa, mund të sjellim ndërmend si idealistë, atë BE që ishte atëherë. Matanë Adriatikut mund të ishte edhe vetë djalli, por ne, me mendje, e kishim bërë zot. Madje edhe na doli zot, sidomos u doli zot forcave të demokracisë që luftonin kundër diktaturës komuniste. Mundëm t’i prekim, mundëm t’i takonim personalitetet e mëdha të kohës. Takuam Valery Giscard d’Estaing, Zhak Delor, Francoids Miterrand, Julio Andreoti, Helmuth Kohl... Ata ishin njerëz të gjallë, jo vetëm për vete, por të gjallë edhe për ne, në bregun tjetër të Adriatikut...

Mund të mos ketë qenë as atëherë, ajo BE që ne ëndërronim, por ishte një “zot” ndryshe.

Sot, jo vetëm pse këta burra (shumica) kanë vdekur, por vetë BE-ja është kthyer në një fantazmë. BE-ja nuk ekziston më “për demokracinë”. BE funksionon për qeveritë dhe për përfitimet. Shumëkush e mendon se, duke u shtyrë, do të gjejë atë BE. Jo, nuk është më as BE e vitit ’90, as e vitit ’92, madje as e ’97 ose 2000. Ndërsa për politikanët e këqij, kjo sigël (“BE”) është më e dobishme se atëherë. Tani burokratët e BE-së, marrin e japin nën dorë me qeveritarët dhe mund të pranojnë që qeveritë të kultivojnë e trafikojnë drogë, ose të bëjnë krime.

BE e ndjen se ka vdekur, por as gjen diagnozë, as kurë...

Duglas Murray, një studiues dhe autor anglez bashkëkohor, shkruan se të nisësh të ribësh BE-në, “është njësoj si të nisësh një luftë të re me armët e vjetra”. Tipike për vdekjen e këtij “supershteti” është fakti se gjatë betejës “ra në shtëpinë e vet”. Shumë ushtri dhe luftëtarë në histori, kanë rënë në tokën e tjetrit; ndërsa BE-ja vdiq në shtëpinë e vet, brenda Europës. Më shumë se 56 për qind e qytetarëve në Gjermani, ku ndodhet koka e BE-së, nuk e duan më BE-në. Vende të tjerë si Holanda, Italia, Franca..., e kanë më të lartë shifrën e mosdashjes. Ndërsa anëtarë të BE-së si Hungari, Poloni, Çeki, Sllovaki mund të kenë një përqindje shumë më ulët se 20, që të thonë se e duan. Eurokratët janë në luftë me këto vende “tradhtare” dhe po tentojnë t’u presin edhe fondet. Vetë zonja Merkel, bose e vërtetë e BE-së, nuk po arrin të krijojë qeveri pas zgjedhjeve të shtatorit. Mund të mos krijojë dot vitin që vjen - sipas premtimit. Nuk ka ndodhur kjo që nga koha e Hitlerit në Gjermani. BE-ja e ka zgjedhur vdekjen e vet që në maksimalizimin e burokracisë, në mungesën e demokracisë brenda vetes, në dështimin para emigracionit masiv në Europën “pa porta” dhe “pa kufij’... Tani BE-ja është një fantazmë që po përdoret për të gënjyer popujt, që rishtas e njohën qytetërimin europian dhe e aspirojnë.

BE, si fantazmë vërtitet mbi kokat e të varfërve dhe kënaqet kur i gënjen

Të paktën 3.4 milionë shqiptarë, nga 3.5 që mendohet se janë në atdhe, vdesin që të jenë anëtarë të BE. Është një përrallë e vjetër të cilën ende nuk e kanë harruar. Këta shtyhen që të realizojnë ëndrrën. Mirëpo duke u shtyrë, turmat pro- BE mund të shtypin me dashje secilin që do të guxonte të mos ishte aq luftarak sa të shtyhej për atje. Këtu mund të ndërtohet një ‘ferr’ në emër të BE-së që të ndëshkohet secili që nuk e do BE-në. Ka qenë një kohë kur njerëzit shkuan në burgje pse nuk donin BS...

Ky është faji i këtij komuniteti njerëzish që kanë vuajtur për pak BE. Faji- jo pse e deshën, por pse qytetarët tanë nuk po mësojnë se nuk është më ajo BE që ëndërruan. Sa herë ka ndryshuar moti, aq herë ka ndryshuar edhe BE... megjithatë ‘krimi’ i eurokratëve është se e shikojnë një popull të etur dhe prandaj e gënjejnë më shumë. Pesë ditët e fundit, janë përhapur lajme bombastike se “Junker i tha Ramës se do të nisin negociatat” me Shqipërinë për pranim. Edhe Donald Tusk, edhe Mogherini, edhe Trajani, me një fjalë. Çfarë ka ndodhur, në fakt?...

Si eurokratët, ashtu edhe kryeministri i Shqipërisë, e dinin mirë se po thuheshin fjalë të pavërteta. Megjithatë, ua përcollën “deleve” në Shqipëri si një “lumturi të madhe”. Pa asnjë keqardhje, pa asnjë dhimbje në zemër se po mashtronin viktimat. Po këta persona kanë deklaruar në forumet e tyre në shtator, më parë - në gusht e korrik..., se “nuk ka zgjerim të BE-së”. Ku e gjetën kurajën të thonë kaq të pavërteta para njerëzve që “duan të besojnë” edhe gënjeshtrën?

Por edhe viktimat nuk kanë bërë kurrë pyetje. Në cilën BE po rendim? A ekziston më ajo BE-ja apo është një fantazmë? Pse na duhet të vrapojmë për në BE?...

Ç’rëndësi ka pse atje është një Fantazmë!

As nga qeveria shqiptare dhe entourage, por as nga pala e zyrtarëve të BE-së, nuk duan t’ia dinë pse e kuptojnë që në të dy anët ka veç fantazma. As në Shqipëri nuk e besojnë se do të bëhemi anëtarë në BE, as në BE nuk e besojnë çfarë kanë thënë vetë për të njëjtën gjë, - kjo është fantazma. Por fantazma shërben në të dy anët.

Në anën e BE-së, fantazma e “pranimit” shërben për të bërë atë që mund të bëjnë. Pasi BE-ja ka humbur Europën, po tenton të vendoset në këto zona lehtësisht të manipulueshme, si Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor. Zona është mjaft e përshtatshme, sepse është e dominuar nga idetë libertariane të miliarderit, George Soros, aktivistë të të cilit janë pjesa më e madhe e nëpunësve të BE-së.

Në anën e Shqipërisë, fantazma BE shërben për të manipuluar qytetarët se “BE lavdëroi qeverinë”. Nga fantazma fitohet pushtet.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: