Policia e Shtetit: Siguri maksimale gjatë festave të fundvitit

Policia e Shtetit: Siguri maksimale gjatë festave të fundvitit
“Ne dëshirojmë që të gjithë qytetarët, vendas e të huaj, të kalojnë sa më mirë festat e fundvitit”.

Ky ka qenë mesazhi i përcjellë nga Albert Dervishi, Drejtor i Rendit dhe Sigurisë pranë Drejtorisë së Policisë së Shtetit.

Sipas tij, Policia e Shtetit ka përcaktuar objektivat në planet e masave që ka hartuar për këtë fundviti, nëpërmjet të cilave synohet rritja e sigurisë në komunitet në të gjithë territorin, parandalimi i ngjarjeve kriminale, nëpërmjet kontrollit të plotë të territorit nga strukturat e Policisë, evidentimi dhe kontrolli i personave me precedent kriminal e penal, mbajtja e tyre nën kontroll dhe automjeteve që përdorin apo ambienteve që frekuentojnë.

“Po ashtu, identifikimi dhe kapja e personave të ngjarjeve kriminale kundër jetës e pronës dhe personave në kërkim; sigurimi në kohë i informacioneve për parandalimin e ngjarjeve kriminale, planifikimi dhe zbatimi i masave për kapjen e autorëve të mundshëm dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore, rritja e prezencës policore në akset kryesore rrugore, në funksion të parandalimit të aksidenteve rrugore dhe ngjarjeve kriminale; forcimi i masave për kontrollin ndaj subjekteve që tregtojnë fishekzjarrë duke bashkëpunuar me strukturat e tjera ligj zbatuese”, tha Dervishi.

Nga ana tjetër, ai theksoi se të gjithë punonjësit e policisë do të jenë të angazhuar në ruajtjen e rendit dhe sigurisë dhe se ligji nuk merr “pushimet për festa”.

“Janë hartuar Planet e Vendosjes së shërbimeve të Policisë Rrugore me qëllim monitorimin e akseve kryesore rrugore kombëtare. Këto struktura mbështeten nga Repartet e FNSH Tiranë, Fier, Shkodër për kontrollin e territorit dhe patrullime të përbashkëta. I bëjmë ftesë të gjithë qytetarëve të kenë kujdes me pijet, pasi ligji është njëlloj dhe në ditët e festive dhe nuk do të ketë tolerime”, shtoi Dervishi.

/n.e/

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: