Poezia e Moikom Zeqos, në kufijtë e së pamundurës

Poezia e Moikom Zeqos, në kufijtë e së pamundurës
KRITIKË/ Poezia moikomiane, që sot na shfaqet në kufijtë e të pamundurës për nga niveli dhe dimensionet e saj, një ditë do të jetë si një bibël e re në kohë të modernitetit

Vështirë të gjendet ndonjë që mund të baraspeshohet me Moikom Zeqon si erudit, me dimensionet e dijes së tij, me kulturën e thellë të gjithanshme dhe gjithëkohëshe, me volumin dhe vlerat e veprës së tij krijuese, me angazhimin e tij politiko-social, me kontributet e ndjeshme në fusha të ndryshme si të historisë, arkeologjisë, estetikës, eseistikës, etj. Si i tillë, ai padyshim mund të vlerësohet si enciklopedisti i madh i yni. Ai nuk është vetëm një prozator dhe një poet krejt i veçantë, por dhe një piktor i shquar me punime të shumta si gravura, skica, portrete, karikatura, etj, duke i cilësuar dhe vetë si metafora memece, por që kumbojnë në ekspozitat e hapura prej tij. Për këdo që është ballafaquar me veprën shumëdimensionale të Moikomit, gati i duket e pabesueshme që ajo të jetë ndërtuar vetëm nga një  njeri, të jetë e një autori të vetëm.

Nga Bardhyl Agasi

Si një mik gjysmëshekullor i Moikom Zeqos, që në adoleshencë, bashkëmoshatar, lindur e rritur në të njëjtin qytet, Durrësin bregdetar, më duhet të shprehem jo pa mburrje se i takoj atij rrethi shoqëror, i cili e njeh veprën e tij krijuese, që nga libri i tij i parë poetik “Vegime të vendlindjes”, në moshë fare të njomë deri në veprat e tij më të fundit. Librat e tij ndjekin njëri-tjetrin me shpejtësi marramendëse dhe tani ato arrijnë rreth njëqind, si askush tjetër në letërsinë tonë. Kushdo me të drejtë mund të pyesë si është e mundur, si mund të shkruhen kaq libra dhe kaq voluminozë, kaq kualitative?! Zeqo e jeton kohën e tij në boten e tij poetike, duke medituar, lexuar, shkruar, duke zgjeruar pafundësisht fantazinë e tij krijuese. Një vetësakrifikim i madh, gati i pakonceptueshëm, që siç shprehet vetë ai: “Gjithë këto libra, janë tullat e burgut tim të lirisë, që ndërtova për veten...”.

Por jo aq për veten, sesa për të gjithë bashkëkombësit e tij, me misionin e një vizionari të madh, të një rilindësi të pashoq të ditëve tona, sepse: “fjalët s’e ndryshojnë gurin, por botën po!”. Askush s’do të kishte kurajën të merrte përsipër studimin e gjithë veprës së Zeqos, do ta kishte të pamundur, jo vetëm për kohën, por edhe për multidimensionalitetin e saj. Por edhe që të ndalej në një anë të saj, do të kërkonte profesionalizëm të lartë..

A mund të studiohet e gjithë poezia e tij?

Vetëm vepra e tij poetike dymbëdhjetë vëllimesh, e titulluar “Miscellanea” përmban mijëra vargje, një univers më vete metaforik, i cili mjafton për të dëshmuar se letërsia jonë, veçanërisht poezia e sotme shqipe ka një talent kaq të fuqishëm, njohja e të cilit i ka kaluar kufijtë, duke kapërcyer oqeane dhe duke u bërë tanimë pronë e lexuesve të huaj, përkthyer në gjuhët e tyre nga poetë nga më të shquarit. Më vjen mirë që në këto vite të fundit po angazhohen krijues, kritikë brenda e jashtë kufijve në studimin dhe vlerësimin e veprës së tij poetike. E them këtë se për një periudhë të gjatë ajo kalonte pothuaj në heshtje, me ndonjë shkrim të rrallë, ku spikat analiza e thellë dhe objektive e një prej poetëve tanë më të shquar, Frederik Rreshpja. Ndërsa botoheshin shkrime më shumë recensionale, (për fat të keq ende mungon kritika jonë profesionale), për vepra dhe libra krejt të zakonshëm, për poezinë brilante dhe të veçantë të Zeqos pothuaj kishte heshtje të plotë. Sjell ndërmend një qëndrim gati revoltues në një intervistë televizive të Vera Ibrahimit, bashkëshortes të kompozitorit tonë Feim Ibrahimi për heshtjen ndaj veprës së Moikomit. Ajo përmendte dy arsye, së pari, mungesën e nivelit të lartë profesional, formimin mediokër intelektual të kritikëve tanë për të mos guxuar të merren me të dhe së dyti, një lloj xhelozie, ambicie e sëmurë për talentin e tij. Do të doja të pranoja më së shumti arsyen e parë, sepse të ndalesh dhe të përcjellësh gjithë ato vlera të mëdha të poezisë moikomiane kërkon vërtet një kulturë të gjerë dhe një përvojë të gjatë krijuese. Sigurisht, të analizosh këtë poezi nuk mund të pretendosh se mund ta arrish me një shkrim brenda kornizës së një faqeje gazete, ndoshta dhe brenda kufijve të një libri kushtuar asaj. Kujtoj me këtë rast një përpjekje serioze të kritikut Fatmir Minguli. Jam i sigurt se në të ardhmen do të shtohen studiuesit dhe hulumtuesit, që do të zbulojnë dhe evidentojnë hapësirën e vlerave të mëdha të veprës së Moikomit. E them këtë se vepra e tij në përgjithësi, por e poezisë në veçanti, jo pa arsye ka krijuar bindjen se ajo i përket më së shumti të ardhmes, kur dhe vetë shoqëria jonë do të ngrihet në atë nivel kulturor të të kuptuarit dhe të konceptuarit të saj. Lexuesi i sotëm në këtë banalitet politik, i mbërthyer nga stresi i jetës së varfër të përditshme, i ushqyer me vulgaritetin e një arti të rëndomtë, pa vlera dhe pa frymë kombëtare, e ka të vështire të ngjitet në shkallaren e lartë deri në qiell të poezisë moikomiane. Poezia e tij është universale në kohë dhe në hapësirë, ku e shkuara, e tashmja dhe e ardhshmja ndërthuren mes tyre, por gjithmonë me tingëllim të ideve të së sotmes, me një mendim filozofik, herë sokratik, herë niçean, me një zjarr Prometheu. Tek ajo ndjen frymën qëndrestare hygoiane në ultima verba, vështrimin faustian të Gëtes, dhimbjen hamletiane të Shekspirit, ironinë sarkastike migjeniane. Por duke qenë autentike, pra komedia e madhe njerëzore e Moikom Zeqos. Pavarësisht nga lartësitë e saj, poeti është i gjithi në jetën tonë të përditshme, ecën këmbëzbathur në tokën tonë dhe të tij, është një rrezatim i paperënduar dashurie për gjithçka të bukur, të mirë, për njerëzit, për nënën, fëmijët, gruan, shokët dhe miqtë, për të varfrit, për romët e braktisur në botën e tyre të madhe: “Njerëz, dy diej ka në planet tani, patjetër njëri, fytyrë e Dashurisë...”.

Metafora, mbretëresha e poezisë së Moikomit

Është e thënë prej kohësh se metafora është mbretëresha e figuracionit poetik. E gjithë poezia e tij është metaforike. Si rrallëkush, ai e përdor atë aq mjeshtërisht me një fantazi krijuese të pashoqe. Metafora është krijuar për Moikomin, apo ai për metaforën?! Në qoftë se do të përdornim  një titull metaforik, do të shpreheshim se Moikomi është  princi i botës poetike metaforike: “ Pronat e mia zyrtare te noteri janë fantazia, mirëbesimi, metafora, ose: ...që në gjenezë metaforat e shenjta janë populli im intim...”.

Diku poeti pyet: A ka ligje të brendshme poezia? Dhe përgjigjja vjen po prej tij: “Ka ligje që janë përtej sistemeve politike. Ligji i parë Talenti... Ligji i dyte Antikonformizmi... Ligji i tretë Vizioni i gjithëkohësisë”.

Vetë ai është i vetëdijshëm se i mishëron më së miri ato. Por, nëse modestia nuk ia lejon t’ia atribuoje vetes, padyshim  shprehemi se ai është një talent i fuqishëm gati i habitshëm, se ai është shembulli i antikonformizmit i manifestuar kudo, në të gjithë veprimtarinë e tij politike, publicistike, artistike. Dhe sa i përket ligjit të tretë, ai është zotërues i plotë i gjithëkohësisë. Dhe ai e ndjen këtë, duke e quajtur veten fëmijë të prehistorisë dhe i ardhshmërisë së atomit. Në këtë hapësirë të shpalimit kohor ai shfaqet kudo me fluturimin e tij poetik dhe profetik, takon me Zotin, kalon nga një planet në tjetrin,prek qiellin me duar, zbret në tokë plot jetë, gjallon me natyrën, takohet me njerëz, qofshin miq të tij apo dhe ata mosmirënjohës, shtrëngon duart me të mëdhenjtë si ai, me Onufrin, De Radën, Migjenin, Çabejin, Kavafin, Borgesin e të tjerë të pafund figurash të shquara nëpër kohë dhe në pozicione të ndryshme gjeografike, i mëson Nënë Terezës se “mëshira e zgjat agoninë e mjerimit dhe nuk heziton të shprehet se: është neveri të jetosh kaq shumë mesjetë në mijëvjeçarin e tretë”..

 

VEÇANTIA

Poezia moikomiane elitare, me drejtimin tek e ardhmja

Duhet pranuar se poezia moikomiane është elitare, aq sa të krijon dyshimin se ajo e ka drejtimin më shumë tek e ardhmja. Lexuesi i rëndomtë e ka të vështirë ta kuptojë dhe konceptojë atë, të shijojë figuracionin e saj mahnitës, të ndjekë metaforat në çdo varg, botën e pafund të ngjarjeve dhe personazheve në periudha të ndryshme historike. Është vërtetë e vështirë të mos humbësh në botën e thellë kulturologjike të tij. Poezia e Zeqos është e shumëllojshme, rrjedh muzikalisht në vargun e lirë, kumbon në atë me rimë dhe asonanca, në atë strofik klasik, të shumta  janë tercinat, përdoret mjeshtërisht haiku, ndërton forma të reja origjinale. E gjithë poezia e tij stoliset me një fjalor aq të pasur poetik të pakrahasueshëm, në shërbim të thurjeve metaforike. Nuk di pse dyshoj se disa kate të grataçelit të tij poetik ende qëndrojnë të mbyllur për t’u hapur kohë më vonë kur Njeriu i madh do të behet Populli i së ardhmes, sepse siç shkruan ai: “Njeriu po vjen, po afrohet Njeriu, kjo racë e fuqishme, e harruar, e vjetër...”. Dhe atëherë, poezia moikomiane, që sot na shfaqet në kufijtë e të pamundurës për nga niveli dhe dimensionet e saj, do të jetë si një bibël e re në kohë të modernitetit.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: