Pas TAP-it dhe Devollit, në Shqipëri po bien investimet e huaja

Pas TAP-it dhe Devollit, në Shqipëri po bien investimet e huaja
Shqipëria po njeh një rënie të vazhdueshme të investimeve të huaja direkte në territorin e saj. Një dukuri të tillë negative e faktojnë edhe shifrat më të fundit të bankës së saj qendrore, sipas të cilave rezulton se pas projekteve të mëdha si gazsjellësi Trans-Adriatik (TAP), apo edhe hidrocentrali i Devollit, niveli i IHD-ve po vjen gjithmonë e më shumë në rënie. Konkretisht, Banka e Shqipërisë raporton se investimet e huaja kanë qenë në nivelin prej 677 milionë eurosh për këtë 9-mujor. Duke shënuar një rënie në nivelin prej -4.2% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipas ekspertëve, në një trend të tillë negativ të IHD-ve po ndikon pikërisht përfundimi i dy investimeve të rëndësishme të kohëve të fundit, realizuar në vendin tonë, siç ka qenë ai i gazsjellësit Trans-Adriatik (TAP) dhe i hidrocentralit të Devollit. Që të dy, projekte të fuqishme në sektorin energjetik të vendit, ku edhe është përqendruar në fakt niveli më i lartë i IHD-ve që mbërrijnë në vendin tonë, konkretisht rreth 59% e totalit. “Për vitin 2016, referuar të dhënave të Bankës së Shqipërisë, Shqipëria ka thithur më shumë investime te huaja krahasuar me vitin e kaluar, duke ruajtur këtë trend.  Konkre-tisht prej vlerës 890 milionë euro në vitin 2015, fluksi i IHD-ve në 2016 arriti në vlerën e 983 milionë euro. Pra, kompanitë e huaja investuan në ekonominë shqiptare 10.5% më shumë se një vit më parë”, citon vetë Agjencia e Investimeve të Huaja Direkte lidhur me një fakt të tillë, duke cilësuar pikërisht peshën që patën investime të tilla me rëndësi strategjike për energjetikën shqiptare gjatë këtyre dy viteve të fundit, 2015-2016.

Energjia, sektori që po “thith” më shumë investime në vend

Energjetika si e tillë është sektori i cili thith më shumë investime të huaja direkte në Shqipëri. Kështu, me një nivel prej 59% të totalit të tyre, ai rezulton të jetë edhe “porta” kryesore ku trokasin sipërmarrësit e huaj, të interesuar për të hedhur paratë e tyre në vendin tonë, përmes investimeve në fusha të ndryshme të tij. Kurse pas energjetikës, vjanë dy fusha të tjera, për të cilat interesi i sipërmarrësve të huaj duket të jetë i njëjtë për të kryer investime në vendin tonë. Konkretisht, fjala është për sektorin e hidrokarbureve dhe atë të ndërmjetësimit financiar, me një nivel prej 12% secili të shpërndarjes së investimeve të huaja direkte në vendin tonë. Ndërsa më pak të tilla tërheqin sektorë të tjera si manifakturat, turizmi, bujqësia etj. Që të gjitha, me shifra më të ulëta se ato që përmendëm më lart.

AIDA: Përse duhet të investosh në Shqipëri?

Janë disa arsye kryesore për të cilat një sipërmarrës i huaj duhet që të marrë guximin dhe t’i hedhë paratë e tij në Shqipëri. Kështu pohon të paktën Agjencia e Investimeve të Huaja Direkte, e cila edhe i ka listuar ato. Ja se cilat janë konkretisht sipas saj, këto arsye: “1. Klimë liberale dhe reformiste investimi. 2. Kosto konkurruese e punës. 3. Popullsi e re dhe e arsimuar. 4. Taksa konkuruese dhe incentiva. 5. Vendndodhja optimale gjeografike. 6. Potencial të fortë rritjeje. 7. Zonat e lira ekonomike. 8. Qasje të lirë në tregjet e mëdha. 9. Stabiliteti makroeko-nomik”, citon AIDA, lidhur me një fakt të tillë. Në një kohë, kur Banka Botërore në raportin e saj të fundit “Të bësh Biznes” ka renditur edhe disa arsye që sipas saj e bëjnë Shqipërinë jo një vend optimal për investime.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: