Papunësia, plagë më e rëndë në Vlorë, Lezhë edhe Tiranë

Papunësia, plagë më e rëndë  në Vlorë, Lezhë edhe Tiranë
24.6%

Është norma më e lartë e papunësisë në rang vendi, e shënuar pikërisht në qarkun e Vlorës; pasuar nga ajo prej 17% në qarkun e Tiranës dhe 16.6% në qarkun e Tiranës

13.6%

Është vlerësuar norma zyrtare e papunësisë në Shqipëri për këtë viti, normë kjo që pakësohet deri në gjysmën e saj në qarqe të tilla si Dibra me nivelin 6.7% apo Korça vetëm 7.3%

Kudo që është e pranishme, ajo shkakton vetëm probleme sociale, të shoqëruar me një mirëqenie të ulët. Porse aty ku ajo shkakton një plagë më të rëndë për shoqërinë shqiptare, duket se janë qarqet kryesore në qendër të vendit, Lezhë dhe Tiranë. Sikundër, edhe ai i juglindjes së tij, Vlora, ku ajo shënon aktualisht edhe nivelin më të lartë të saj, deri në 24.6%. Një dukuri pak paradoksale kjo, po të mendojmë se që të tre janë ndër qarqet kryesore të vendit që gjenerojnë zhvillim ekonomik. Por që mesa duket, sipas ekspertëve, pikërisht për një arsye të tillë, pse jo, edhe të dyndjeve të fundit të popullatës drejt tyre shkaktojnë një normë të lartë të papunësisë. Konkretisht, sipas Institutit të Statistikave, rezulton se në qarkun e Tiranës, norma aktuale e papunësisë ka arritur deri në nivelin prej 17%. Pra, më e lartë se ajo prej 13.6%, e cila është vlerësuar edhe si norma zyrtare e këtij treguesi në Shqipëri. E që tejkalohet edhe nga qarku i Lezhës, i cili e ka për momentin papunësinë deri në nivelin prej 16.6%. Ndërkaq, siç referon INSTAT-i, të gjitha qarqet e tjera në rang vendi e kanë papunësinë rreth nivelit zyrtar të saj, madje në disa prej tyre edhe shumë më të ulët, gati sa gjysma e tij. Një rast i tillë është për shembull ai i qarkut të Dibrës, i cili e ka papunësinë në nivelin prej vetëm 6.7%. Edhe pse në fakt, një ndër zonat më të varfra në Shqipëri, ajo gjeneron një nivel të ulët papunësie. Dukuri kjo që shoqëron edhe qarkun juglindor të vendit, atë të Korçës, i cili e ka papunësinë vetëm në nivelin prej 7.3%. Apo edhe atë të Elbasanit, ku norma e papunësisë, sërish është më e ulët se mesatarja, vetëm 8.5%. Që të gjitha këto shifra të tremujorit të tretë të këtij viti dhe të cilat përkojnë në fakt, me periudhën e paszgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 25 qershorit, që ndikuan në ndryshimin e jo pak treguesve të ekonomisë në vend.

KRAHASIMI

Meshkujt, më të papunë sesa femrat

eshkujt shqiptarë rezultojnë të jenë më pak të angazhuar me punë, sesa femrat. Një dukuri e tillë konfirmohet nga vetë ekspertët e statistikave, sipas të cilëve rezulton se ndërsa shkalla zyrtare e papunësisë për meshkujt në Shqipëri është në nivelin prej 14.3 %, ajo për femrat është vetëm 12.6%. “Shkalla e papunësisë për femrat është -1.7% më e ulët sesa për meshkujt”, cilësojnë ekspertët e INSTAT-it, lidhur me një dukuri të tillë. Duke shtuar në këtë aspekt se madje, meshkujt e kalojnë normën zyrtare të papunësisë në rang vendi, e cila është 13.6% për këtë vit, ndërsa femrat rezultojnë se janë poshtë saj.

DUKURIA

Të rinjtë, po nisin të angazhohen me punë

Të rinjtë shqiptarë duket se po e kuptojnë gjithmonë e më shumë rëndësinë e punës si të tillë, duke i ulur nivelet e larta të papunësisë që kanë shënuar në fakt deri tani. Kështu, Instituti i Statistikave pohon aktualisht shkalla zyrtare e papunësisë për të rinjtë është 26%. Një normë më e lartë kjo në fakt sesa ajo zyrtare e këtij treguesi në rang vendi, prej vetëm 13.6%, por që pasohet nga konstatimi se në terma vjetorë shkalla e papunësisë së të rinjve shfaq tendencë në rënie. “Kështu, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2016, shkalla e papunësisë për të rinjtë në tremujorin e tretë të vitit 2017 është -1.4% më e ulët”, vlerëson INSTAT. Duke shtuar më tej faktin se krahasuar me tremujorin e dytë të këtij viti, shkalla e papunësisë për të rinjtë ka pësuar një rënie prej -0.4%.

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: