Mallrat “Made in Albania”, ku po i shet më shumë Shqipëria?

Mallrat “Made in Albania”, ku po i shet më shumë Shqipëria?
Italia, Kosova dhe Spanja. Këto janë tre vendet kryesore, tregjet e të cilave po “thithin” gjithmonë e më shumë produktet shqiptare. Një dukuri të tillë e konfirmojnë vetë ekspertët e statistikave, sipas të cilëve, eksportet e tyre në këto tre vende evropiane kanë njohur një rritje të dukshme. “Në muajin nëntor, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me vitin e kaluar janë: Italia me +14.5%, Kosova me +37.5% dhe Spanja me +26.8%”, citon Instituti i Statistikave. Duke shtuar se janë po këto tre vende, drejt të cilave janë shitur më shumë produkte shqiptare gjatë gjithë këtij viti, respektivisht me nivelet rritëse prej +9.3%, Kosova +30.7% dhe Spanja me +107.2%. E duke treguar kështu, se ato janë në kryesimin e listës së vendeve që po paraqesin interes të shtuar për markën “Made in Albania”. Përkrah edhe vendeve të tjera të tilla si Rumania përshembull, drejt së cilës ka gjithashtu një rritje të shtuar të eksporteve të produkteve me këtë markë, përkatësisht me një nivel deri në 3.4 miliardë lekë në vitin e kaluar, nga vetëm 365 milionë lekë që ka qenë kjo shifër para 3-4 vitesh, pra gati 10-fishim i tyre. Por gjithsesi, duhet thënë se tre vendet e lartpërmendura, megjithë ecurinë e mirë vjetore të eksporteve nga Shqipëria, kanë shënuar një rënie të dukshme të tyre, po ta krahasojmë me disa vite më parë. Kështu, Spanja nga ana e saj, nëse në vitin 2012, arriti të blinte deri në 20 miliardë lekë produkte shqiptare, vjet kjo shifër ka qenë deri në 3-fish më pak, ose vetëm 7 miliardë lekë. Kurse Kosova, nëse në vitin 2012 thithi 17.3 miliardë lekë produkte shqiptare, sivjet kjo shifër ishte deri në 16 miliardë lekë. Gjë që nuk mund të thuhet në fakt për  Italinë, e cila nga 108 miliardë lekë blerje produktesh nga Shqipëria në vitin 2012, vjet e pati këtë shifër deri në 130 miliardë lekë.

+37.5%

U shënua niveli më i lartë i eksporteve shqiptare me markën “Made in Albania” gjatë muajit nëntor, pikërisht në Kosovë; pasuar nga ato në Spanjë me rritje prej +26.8% dhe në Itali me +14.5%.

 -55.6%

U shënua niveli më i ulët i eksporteve shqiptare me markën “Made in Albania” gjatë muajit nëntor, pikërisht në Zvicër, pasuar nga ato në Hollandë me -10.1%, apo n ë Turqi me -8.7%

Kina, gjithmonë e më pak e interesuar për mallrat të cilat vijnë nga Shqipëria

Kina, duket se është gjithmonë e më pak e interesuar për mallrat të cilat vijnë nga Shqipëria. Këtë e tregojnë edhe shifrat më të fundit të ofruara nga Instituti i Statistikave, sipas të cilave rezulton se vetëm gjatë muajit nëntor të këtij viti, eksportet tona drejt këtij vendi gati janë përgjysmuar. “Vendi me të cilin eksportet kanë pasur uljen më të madhe është Kina me nivelin prej -40%”, citon INSTAT. Sikundër, kanë pësuar rënie edhe eksportet “Made in Albania” në Austri, gati me dyfishimin e tyre, nga 2.5 miliardë lekë që ishin në vitin 2012, në vetëm 1.1 miliardë të tilla gjatë vitit të kaluar. Sikundër një vend tjetër me rënie të eksporteve “Made in Albania” është edhe ai i Izraelit, i cili nëse në vitin 2012 i ka patur ato në nivelin prej 35 miliardë lekësh, vitin e kaluar ato ranë deri në 20 miliardë të tilla.

 

Shqiptarët konsumojnë më shumë mallra nga Italia, Kina dhe Turqia

Mallrat “Made in Italy”, “Made in China” dhe “Made in Turkey” duket se janë ato që qytetarët shqiptarë konsumojnë më shumë, se ato që vijnë nga vendet e tjera të botës. Dhe këtë e konfirmojnë shifrat më të fundit të Institutit të Statistikave, sipas të cilave, nga këto tre vende burojnë edhe nivelet më të larta të importeve të mallrave të tyre drejt tregjeve shqiptare vendase. “Në muajin nëntor 2017, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me nëntorin e vitit të kaluar janë Italia me +11.3%, Kina me +17.3% dhe Turqia me +15.8%”, citojnë ekspertët e statistikave shqiptare. Duke shtuar se vendet me të cilat. Shqipëria ka shënuar nivelin më të ulët të importeve janë Greqia me -8.2%, Spanja me -17.1% dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës me nivelin prej -33.1%.

 

Tregu i vendeve të Ballkanit, ky “thithës” i vazhdueshëm i produkteve shqiptare

Tregu i vendeve të Ballkanit rezulton të jetë një “thithës” i vazhdueshëm i produkteve shqiptare. Bëhet fjalë për vende të tilla si Serbia, Mali i Zi, Maqedonia, Kosova, e më tej Bullgaria dhe Rumania,  të cilat në tërësinë e tyre përbëjnë një fuqi të madhe blerëse të produkteve që vijnë nga Shqipëria. Konkretisht, veëm në Bullgari rezulton se gjatë të vitit të kaluar janë eksportuar rreth 2.7 miliardë lekë me mallra shqiptare. Kurse në Greqi, një tjetër vend i rëndësishëm ballkanik ky dhe fqinj kryesor me Shqipërinë, janë eksportuar rreth 11 miliardë lekë produkte me markën “Made in Albania”. Pasuar nga Serbia, e cila gjithashtu zotëron një treg të interesuar për produktet tona, me shifra në rritje nga viti në vit, konkretisht deri në 4.7 miliardë lekë etj.

Shkëmbimet me vendet e Bashkimit Evropian, 66% të gjithë tregtisë

Shkëmbimet tregtare me vendet e Bashkimit Evropian, që realizon Shqipëria, zënë rreth 66% të gjithë tregtisë së kompletuar të saj me vendet e botës në kuadrin e një viti. Siç referon vetë banka qendrore e vendit tonë, vetëm në muajin nëntor të këtij viti, eksportet drejt këtyre vendeve zënë rreth 78.3% të eksporteve gjithsej. Kurse sa u përket importeve, mund të thuhet se ajo janë më pak, deri në nivelin prej 60% të totalit. “Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia me nivelin prej 37.1% të shkëmbimeve tregtare, Kina me nivelin prej 7.1%, Gjermania me 6.5% dhe Turqia 6.2%”, thonë mes të tjerash ekspertët e Institutit të Statistikave. Duke shtuar më tej se shkëmbimet tregtare, për 11-mujorin 2017, me vendet e Bashkimit Evropian zënë rreth 66.3% të gjithë tregtisë. “Në periudhën janar-nëntor 2017, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 77% të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 61.6% të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë Italia 36.3%, Greqia 6.9%, Gjermania 6.9% dhe Kina 6.4%”, përfundon INSTAT-i.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: