Kujtim Gjonaj dhe filmi për shqiptarin e 3-miliontë në vitin 1986

Kujtim Gjonaj dhe filmi për shqiptarin e 3-miliontë në vitin 1986
KUJTIME/ “Mjeshtri i Madh”, Kujtim Gjonaj, një eksperiencë e madhe jetësore ndër dekada, me xhirimet e dokumentarëve në mbarë Shqipërinë

Nga Albert Z. ZHOLI 

Shqipërinë e njeh me pëllëmbë. Njeh të gjitha qytetet e saj, i ka shkelur në të gjitha rrethet, në të gjitha skajet. Dhe ka patur fatin e të realizuarit filma dokumentarë, të cilët të japin avantazhin që kudo ku shkon për të xhiruar, gjen njerëz të veçantë. Para viteve ’90, njerëzit i prisnin krahëhapur me shumë dashuri e respekt. Kinostudio ka patur gjithnjë një emër shumë të madh dhe tepër të dashur për masat e gjera të njerëzve. Vetëm fakti që vinin nga kryeqyteti, apo që ishin kineastë dhe që vinin nga ky institucion, i bënte kineastët të nderuar e të respektuar në masën e madhe të njerëzve. Tashmë Mjeshtrit të Madh, Kujtim Gjonaj, i ndodh shpesh, që edhe pse është në moshë madhore, të kalojë rrugës dhe ta ndalojnë njerëz. E kjo sipas tij, nuk ka kënaqësi më të madhe. Ndien një ngrohtësi  brenda vetes dhe i duket sikur i kanë falur botën. “Më mban mend? Më ke xhiruar në minierë. Në Kurbnesh...”, e pyet dikush. Atëherë, truri i tij fillon të kujtojë skenat...

Episodi

I ka ndodhur njëherë të ishte për një punë personale në Kavajë dhe hyn në një zyrë të shtetit. Dhe zyrtari i thotë: - Zoti Kujtim, mirëserdhe! Vret mendjen për ta lidhur me një imazh, këtë fytyrë. - Nuk më mban mend? - Për hir të së vërtetës, jo.- Kemi të njëjtin emër. Përsëri ngre supet i mërzitur. - Mundohu ta gjesh. Quhem Kujtim. Jemi në Kavajë. Çfarë ke xhiruar këtu? Dhe mendja e çoi tek ai djalë që dikur ishte i dalluar dhe punonte në fabrikën e qelqit. E veçanta e tij ishte se vërtet ishte djalë Kavaje, por me origjinë nga Tepelena.

Ndërsa rreth viteve ‘2000, kur ishte drejtor në Kinostudio i troket dikush në derë. - Hyr! Dhe pret me kureshtje nga dera, ku bën ballë një djalë rreth të tridhjetave. - Përshëndetje! Ai mundohet të depërtojë në kujtesë të viteve.- Nuk më mban mend? - Jo. Nuk të mbaj mend dhe nuk të njoh,  se ti je shumë më i ri sesa unë. - Unë jam i 3 milion-ti...

Kujtimi qesh. Atëherë i kujtohet që ai ishte fëmija, i cili shënoi numrin 3 milionë dhe ai e ka xhiruar në vitin 1986. Dhe ishte nga Memaliaj. Pra, ka shumë episode të kësaj natyre kur të takojnë, të përgëzojnë, të respektojnë dhe kjo përbën atë që ne e quajmë ngrohtësi njerëzore. Disa tipare i shqiptarët i kanë me të vërtet të mira. Sidomos,  vullnetin për të shprehur dëshirën dhe dashurinë për të pritur sa më mirë mikun. Është tipar dallues që e vlerësojnë dhe të huajt, që nga Edith Durham e deri më sot.

Në Librazhd

Xhironin në vitin 1987 në Librazhd, një brigadë druvarësh, ku dallohej përgjegjësi i tyre, i cili ishte Hero i Punës Socialiste. Osman Rreshkja quhej, një burrë paksa i shkurtër, por truplidhur. Kur mbaruan filmimet, ai donte t’i sajdiste në shtëpi dhe ata nuk ia prishën qejfin. Ç’të shohin atje. Gjejnë një banesë të varfër me shtatë fëmijë. Me mendje thoshte: “Bo bo, sa turp. Ç’do t’i rrimë për darkë ne, këtij ditëziu! I rroftë titulli Hero”. Mjerimi kishte hedhur rrënjë në familjen e tij. Donte të ngrihej dhe të largohej me gjithë grupin, por një ndjenjë turpi, se mos e mërziste të zotin e shtëpisë e mbante lidhur. Kurrë nuk i shqitet nga mendja ai mjerim në fshatin Babie të Librazhdit, në shtëpinë e atij burri të nderuar, Osman Rreshkja, që për ironi të fatit, mbante titullin Hero i Punës Socialiste. Ishin vitet e krizës së tejskajshme në Shqipëri. Aty i ka mbetur kafshata e bukës në fyt. Bënë kortezinë dhe e falënderuan me gjithë shpirt atë njeri të madh...

Me grupin e famshëm të Lapardhasë së Vlorës

Xhironin grupin e famshëm të Lapardhasë së Vlorës, që ka një repertor të mahnitshëm, duke nisur nga kënga “Janinës çi panë sytë” e shumë këngë të tjera. Djem të shkëlqyer, këngëtarë brilantë. Shtatë zëra që ishin mahnitës. Duke imituar në mënyrë perfekte instrumentet muzikore. Dhe Nazifi, solisti kryesor, i fton në shtëpi. Kaluan lumin Shushicë me mushkat që i sollën dhe hipën lart në fshat. Një pritje madhështore. Por që kishte dhe nuancat e zonës. Dhe filluan të pinin nga një gotë raki. Problemi filloi kur duhet të ngrinin dolli për partinë dhe shokun Enver. Dhe i thonë: - Hajde ta pimë këtë për partinë me fund! Dhe pinë. Përsëri dollia vijonte... - Për shokun Enver! Me fund!. Pastaj ai reagoi: - Unë nuk e pi dot!

- Do ta pish!, e urdhëruan, - për shokun Enver!

Zakone burrërore, por primitive. Fillonte shëndeti nga regjisori, grupi, familjet e tyre dhe shkonte te Partia, Enveri dhe përsëri përfundonte te shoferi i grupit. Kush e mbante, e mbante. Por, rakia, raki është e shkreta dhe avujt e alkoolit bëjnë punën e tyre. Ai këtë e dinte mirë dhe mundohej të ruhej.

Historitë me dollira, përsëriteshin shpesh nëpër ekspeditat e filmave... Dhe kush nuk e pinte dollinë, largqoftë, në dehje e sipër mund ta cilësonin edhe armik të partisë. Ishte normale të deheshe në atë kohë me “shëndetin e partisë”. Gjëra që sot këto tingëllojnë absurde dhe qesharake.

Xhirimet në Dukat

Xhironin në Dukat të vjetër të Vlorës filmin “Këshilltarët”. Ishin popull i vuajtur, me plot halle, por mikpritës. Qëlloi kur financieri po shpërndante shpërblimet për figurantët. Dhe vjen një mesoburrë. - Po mua, pse s’ma ke shënuar emrin? - Ti, nuk ishe sot figurant. Nuk pranove. Nuk dua të vishem ballist, the, iu përgjigj Kujtimi. - Eh de, ashtu thashë! Dhe nuk mora pjesë. Por, në fund të kolonës me kafshët ngarkuar me trarë, ishte gomari im...

Të gjithë qeshën. Shprehja “Dua lekët e gomarit tim”, u bë burim gazi  dhe hareje në grupin e filmit.

Dukati i vjetër, si fshat malor, njihej për arrat e shumta, mes shumë pemëve të tjera frutore. Ishte në të mbyllur viti 1978, dhe xhirimet pothuajse po përfundonin. Xhezairi, vërtet po e punonte me shumë dëshirë e pasion filmin dhe gjithë grupi kryesor e ndihmonte maksimalisht. Meqë Viti i Ri po afronte, dikush kishte porositur një sasi arrash për gjithë grupin. Po realizohej një skenë nga më të arrirat dhe më të spikaturat e filmit. Ishte momenti kur Murat Bënçës, kryetarit të këshillit nacional-çlirimtar, po i sillnin birin e vrarë në luftë. Murat Bënça, një interpretim brilant i Kadri Roshit, me dhembje në shpirt e trishtim, por krenar pret vigun me të vrarin. Është një skenë prekëse, ku të gjithë aktorët kishin hyrë në gjendjen interpretative më të mirë të tyre. Shokët me vig në krah zbresin nga monopati poshtë. Dhe kishin përgatitur një skenë madhështore me një karrel që rrëshqiste nëpër shina. Kadri Roshi, një aktor i përmasave gjigante, një aktor që nuk e sheh dy herë njëlloj në një film, kish hyrë në atë gjendjen e tij delirante artistike që vetëm Kadriu dinte ta gdhendte aq bukur emocionalisht. Dhe po xhirohej një plan me karrel 40 -50 metra i gjatë,  me portrete. Frynte dhe një erë e lehtë, e sajuar nga teknika. Flokët e thinjura të Kadriut shpupuriteshin e kreshpëroheshin nga era... Një portret madhështor.  Dhe në momentin kur ai ishte mbarsur për të thënë: - Djali, na humbi. Të rrojnë shokët dhe miqtë! (Karreli  rrëshqiste ngadalë mbi shina dhe Roshi, operatori duke mbajtur gjithnjë në fokus portretin e emocionuar të Kadriut, ndiqte me shumë vëmendje gjithë planin e gjatë) si një bubullimë në qiellin pa re u dëgjua një britmë: - Po vijnë arrat! Një moment qetësie dhe pas një çasti një komandë.  - Stop! Kadriu u nxi në fytyrë. Regjisori ngriti kokën i habitur. Grupi u pështjellua. Dhe për një çast në portretin e mbarsur me emocione të aktorit të madh, zuri vend inati: - Hajvani, tani e gjeti të thotë Stop!

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: