FMN, sërish apel qeverisë: Kujdes me borxhin publik, rrezikon ekonominë!

FMN, sërish apel qeverisë: Kujdes me borxhin publik, rrezikon ekonominë!
Qeveria shqiptare duhet të tregojë kujdes me nivelin e lartë të borxhit publik. Është sërish Fondi Monetar Ndërkombëtar që ia drejton asaj këtë këshillë vetëm brenda pak kohësh. Konkretisht, një e tillë iu drejtua asaj para pak javësh, pikërisht në kohën kur diskutohej projekt-buxheti i vitit 2018 dhe ndër pikat kryesore të tij ishin pikërisht koncesionet e reja të programit “1 Miliard”, përmes të ashtuquajturave “PPP”, forma të Partneritetit Publik-Privat.

“Axhenda ambicioze e autoriteteve për investime publike përmes Partneritetit Publik Privat (PPP) paraqet rreziqe të konsiderueshme fiskale”, thuhej saktësisht në deklaratën e institucionit të njohur financiar ndërkombëtar për Shqipërinë, e datës 2 tetor 2017.

Ndërsa në deklaratën e re të tij, teksa ka përfunduar konsultimet e vitit 2017 për Shqipërinë, Bordi Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar mbështetën nevojën për ta reduktuar borxhin publik, si dhe për të siguruar sipas tij, një qëndrueshmëri të tij në të ardhmen, teksa rekomandohet edhe ndërtimi i një hapësire të re fiskale. Ku me këtë të fundit ata theksojnë se forcimi i institucioneve fiskale, të tilla si tatimet apo doganat, mbetet pikërisht çelësi për zbutjen e rreziqeve në ekonomi. Ata vunë në dukje gjithashtu edhe faktin se menaxhimi i borxhit publik duhet të fokusohet në zgjatjen e maturitetit të tij, apo edhe ndryshimin e bazës së investitorëve.

“Dobësitë fiskale dhe financiare janë ulur gjatë katër viteve të fundit. Megjithatë, mbeten sfida nga niveli i lartë i borxheve publike dhe nevojat e financimit, kreditë me probleme dhe dobësitë institucionale të përhapura që pengojnë investimet”, vlerëson më tej FMN-ja. Për të detajuar në këtë mënyrë se cilat janë realisht rreziqet që i shfaqen ekonomisë shqiptare në vazhdim.

 

Borxhi publik i sivjetshëm, më i lartë se ai i katër viteve më parë, 2013-ta

 Borxhi publik i sivjetshëm i Shqipërisë, sipas parashikimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) paraqitet më i lartë sesa ai i katër viteve më parë. Konkretisht, nëse në vitin 2013 ai ka qenë në nivelin prej 70.4%, në fund të këtij viti, FMN-ja jep për Shqipërinë nivelin prej 71.5%.

Duke referuar në këtë mënyrë një ecuri në rritje të tij nga viti në vit, edhe pse me një ulje vetëm gjatë këtij viti. Kështu sipas shifrave që jep vetë FMN-ja për Shqipërinë rreth borxhit të saj publik, rezulton se në vitin 2014 ai arriti deri në nivelin prej 72% të Prodhimit të Brendshëm Bruto; në vitin 2015 deri në nivelin prej 74%; në vitin 2016, 73.3%.

Për të shënuar një ulje të tij vetëm në këtë vit, sipas parashikimit të bërë deri në nivelin prej 71.5%, sipas FMN-së. Në këtë këndvështrim, institucioni i njohur ndërkombëtar pohon se borxhi publik nga viti në vit ka patur një ecuri aspak pozitive dhe si i tillë, ai di duhet menaxhuar sa më mirë, për të siguruar uljen e tij progresive gjatë viteve në vijim.

 

“PPP-të, sipas praktikave më të mira ndërkombëtare”

Sikundër, edhe disa javë më parë, ekspertët e Fondit Monetar Ndërkombëtar u kanë kërkuar sërish autoriteteve, edhe këtë herë, me deklaratën e tyre të radhës për Shqipërinë, ata kanë rekomanduar që për format e koncesionit të tipit Partneritet Publik Privat (PPP) të aplikohen praktikat më të mira ndërkombëtare. Ata gjithashtu theksuan nevojën për të minimizuar përsëritjen e borxheve nga ana e qeverisë, duke përfshirë këtu edhe përmirësimin e procesit të rimbursimit të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar.

“Paraqitet me një rëndësi të vazhdueshme që të fillohet të përdoren kompetencat ligjore të Ministrisë së Financave, të zgjeruara kohët e fundit, për të vlerësuar dhe monitoruar projektet e PPP-ve”, kujtojmë sakaq citimin e deklaratës së mëparshme të institucionit të FMN-së rreth PPP-ve.

 

Jo politika preferenciale taksash, këshilla për kujdes me ato të reja

Ndërsa i ka kërkuar qeverisë që të jetë më e qartë në planet e saj për të ulur borxhin publik, Fondi Monetar Ndërkombëtar  i ka tërhequr gjithashtu asaj vëmendjen që të frenohet nga ulja e taksave, apo edhe zbatimi i politikave preferenciale të tyre. N

ga ana tjetër, FMN-ja e vë theksin edhe në ngadalësimin e reformave të energjisë. Sikundër, një tjetër element ku institucioni i njohur ndërkombëtar tërheq vëmendjen është edhe ai i procesit të konsolidimit të sistemit bankar, për të cilin ai ka kërkuar që “kandidatët për licenca të reja bankare duhet të kenë përvojë të përshtatshme bankare dhe të shmangin konfliktet e interesit”.

“Opinioni afatmesëm mbetet i favorshëm. Rritja e PBB-së parashikohet të përshpejtohet në rreth 4%”, cilëson gjithashtu FMN në deklaratën e tij të fundit për Shqipërinë.

 

“Rritja e ekonomisë parashikohet që të  përshpejtohet në nivelin prej rreth 4%”

“Rritja e ekonomisë parashikohet të përshpejtohet në nivelin prej rreth 4%”. Ky është parashikimi që jep Fondi Monetar Ndërkombëtar për Shqipërinë  gjatë vitit të ardhshëm.

“Pritet që inflacioni të shkojë drejt objektivit prej 3%”, është një tjetër parashikim i FMN-së, lidhur me treguesit makro-ekonomikë të vendit tonë. Më tej, sipas vlerësimit të Bordit të Drejtorëve, “ekonomia në rritje dhe mandati i qartë zgjedhor i qeverisë së re ofrojnë një mundësi të mirë për të vazhduar përpjekjet e reformës për të nxitur potencialin e rritjes së Shqipërisë, për të rritur elasticitetin dhe konkurrueshmërinë e ekonomisë dhe forcuar sistemin financiar duke ruajtur disiplinën fiskale”.

Duke përfunduar se paraqitet nevoja për të ardhura më të larta, duke u frenuar në uljen e normave tatimore.

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: