Fluturo Izmir fluturo! Mbreti i Atletikës Shqiptare stërvitet i vetmuar në arrati

Fluturo Izmir fluturo! Mbreti i Atletikës Shqiptare stërvitet i vetmuar në arrati
Një kampion Europe në atletikë, në atë që konsiderohet mbretëresha e sporteve, do të kishte zili çdo vend tjetër i kontinentit, përveç Shqipërisë. Në mungesë të kushteve që afrohen në Shqipëri, sportistë elitarë si Smajlaj detyrohen të stërviten jashtë vendit, por edhe jashtë vëmendjes së duhur të strukturave shtetërore.

Për Izmir Smajlajn interesi në vendin tonë mund të rikthehet nëse ai fiton një tjetër medalje ari në Europë apo botë. Çudia zgjat tre ditë, sepse më pas interesi do të fokusohet diku tjetër, në të tjerë “kampionë” që shpiken përditë e përcillet në  mediat tona shpesh edhe si “heronj”.

Izmir Smajlaj mori medalje ari në kërcim së gjati, në Europianin e Beogradit. Atleti i talentuar shqiptar, aktualisht me rezultatin më të lartë për çdo sportist tjetër, po përgatitet në San Marino për garat e tjera ndërkombëtare. I harruar dhe i nënvlerësuar fill pas suksesit nga opinioni publik siç ndodh rëndom, i lënë jashtë në mënyrë të pamerituar jashtë vëmendjes, ai vazhdon përgatitjet përmes edhe sakrificës për një tjetër sukses të madh, më tepër për shkak të pasionit.

Në një intervistë të fundit për “Albanian Free Press”, Smajlaj shtroi kërkesën për të pasur një pasaportë diplomatike që të mund të stërvitet normalisht jashtë vendit.

Mediat e San Marinos nënvizojnë faktin se 24-vjeçari shqiptar nuk ka asnjë mundësi të stërvitet në Shqipëri për garat e Anconas, Stambollit dhe Gjermanisë, e ndoshta edhe për ato të Kubës.

“Është hera e tretë që vij në San Marino. Edhe një javë përpara europianit erdha këtu u stërvita dhe më pas arrita të fitoja medaljen e artë, duke vendosur edhe rekordin shqiptar me 8 metra e 8 centimetra”, - shprehet Smajlaj për televizionin e San Marinos.

Në vitin 2018, kampioni nga Shkodra do të marrë pjesë në botërorin e sallave të mbyllura që do të zhvillohet në Birmingham.

/a.m/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: