“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Flet shoku Afrim Qendro: Bashkim Fino tha që rruga Berat-Përmet, mos të kalojë në Këlcyrë...

“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Flet shoku Afrim Qendro: Bashkim Fino tha që rruga Berat-Përmet, mos të kalojë në Këlcyrë...
Satirë

Antena Jashtë Familjes" ka mundur të zbulojë një lajm të orëve të fundit. Rruga që të çon nga Berati në Përmet, e më pas te Tre Urat në kufi, nuk do të kalojë në Këlcyrë.

Këtë e zbuluam rastësisht. Na i tha shoku Afrim Qendro, Drejtori i ... Rrugëve.

Ja bashkëllafosja e shkurtër e bërë me të.

Antena: Përshëndetje, shoku Afrim! Na falni që po ju telefonojmë në këtë orë të natës! Deshëm t'ju pyesnim për...

Afrim Qendro: Nuk ka problem, mos u shqetësoni! Nuk po flija. Kam ngelur rrugës dhe....

Antena: Epo detyra juaj, e tillë është shoku Afrim, të rrini rrugëve.

Afrim Qendro: E kisha llafin, kam ngelur rrugës, e s'po kthehem dot në Tiranë. Më ka zënë rrugën një derro shkëmb, këtu te kjo rruga e Elbasanit...

Antena: Ka rënë shkëmb në rrugën e Elbasanit?!

Afrim Qendro: Ku të bie shkëmb më Rrugën e Ellbasanit, o derman?! Në anë të saj vetëm pallate ka. Veç të bien pallatet, se si janë ndërtuar ato...

Antena: U, largqoftë! Ku jeni konkretisht, pra?

Afrim Qendro: Në rrugën që të çon në Elbasan. Po vij në drejtim të Tiranës. Kam tri ditë që kam mbetur këtu. Më ka zënë rrugën një shkëmb, siç thashë. Kërkon fonde.

Antena: Kërkon fonde shkëmbi? Më falni se nuk e kuptova, se aguridhe hesapi. Ç'fonde kërkon shkëmbi?

Afrim Qendro: Ta kisha llafin që, kërkon fonde çelja e rrugës.

Antena: Po çelini! Apo s'keni?

Afrim Qendro: Sigurisht, tani që na çeli fati ne, që e morëm tepsinë vetëm, do e bëjmë. Urrraaaa!

Antena: Po gëzoni që e keni tepsinë vetëm? Apo thatë "ura", për ndonjë urë?

Afrim Qendro: Po gëzoj se u hap rruga, më në fund, se "ja dhashë shpirtin shejtanit". Mbeta këtu dy ditë...

Antena: Mund ta ndërpresim bashkëllafosjen tonë, shoku Afrim dhe ta vazhdojmë kur të vini në Tiranë...

Afrim Qendro: Ç'Tiranë zeza më thua, o derman! Tani do nisem për në Berat. Kam marrë urdhër të shkoj atje për ndërtimin e rrugës Berat-Përmet.

Antena: Do ndërtoni rrugën Berat-Përmet? Sa mirë, se ka vite që është premtuar dhe...

Afrim Qendro: Tani do bëhet, i ka vdekur mamaja atij muhabeti! Ngjarja në Përmet ku u rrah arbitri nga futbollistët e Këlcyrës, na e përshpejton bërjen e kësaj rruge. Kishte ndërhyrë te shoku Edi edhe Bashkim Fino për këtë gjë...

Antena: Po shoku Bashkim, ç'hyn këtu?! Ai s'është deputet i asaj zone. Apo që të shkojë në Gjirokastër, duke kaluar nga Berati...

Afrim Qendro: Ku shkon Bashkimi në Gjirokastër, o derman. Ai më shumë shkon në Shkup, se në vendlindje. Ndërhyri meqë do bëhet President i Federatës së Futbollit, ndaj.

Antena: Ç'lidhje ka kjo detyrë, me bërjen e kësaj rruge, o derman?

Afrim Qendro: Është e vetmja zgjidhje që futbollistët e Këlcyrës, mos të ushtrojnë dhunë, kur shkojnë në Përmet. Se çdo herë që shkojnë, bëjnë sherr.

Antena: Nuk e kuptoj këtë lidhje. A mund të na i shpjegoni?

Afrim Qendro: Edhe shef Edi nuk e kuptonte, por ja shpjegoi Baçi. Atij ja kishte spiunuar shkakun një punonjës i Federatës. Duke qenë se përmetarët, për të shkuar në Përmet, kalojnë nga Këlcyra, i bën këta që të rrinë si pulë para këlcyrjotëve. Më kuptoni? Nuk kanë rrugë tjetër nga të kalojnë, veç nga Këlcyra, ndaj. Veç po t'i bien gjatë e të hyjnë nga Greqia për në Përmet. Po të kundërshtojnë me dhunë përmetarët, ata këlcyrjotët, dalin poshtë në rrugë dhe rrahin përmetarët që shkojnë në Përmet, apo në drejtim të Tepelenës, për të ardhur në Tiranë. Kupton?

Antena: Më bëtë lëmsh fare...

Afrim Qendro: Po ky vend lëmsh është, o derman. Po mos të ishte lëmsh, nuk do ekzistonte kjo ndarje, si në feudalizëm. E kupton sa lëmsh jemi, kur rruga nga Berati në Përmet ka mbetur gërmadhë, më keq se kur e ndërtuan austriakët një shekull më parë...

Antena: Po kjo rruga Berat-Këlcyrë-Përmet, a do kalojë në Këlcyrë, apo...?

Afrim Qendro: Do bëjmë një devijim që mos të futet në Këlcyrë. Do e bëjmë me dy kahe. Njëra të shkojë në Këlcyrë, e tjetra në Përmet.

Antena: Po ky qenka lajm i thënë ekskluzivisht për mua.

Afrim Qendro: Është e vetmja zgjidhje. Ndryshe do vazhdojnë edhe për dhjetëra vjetë, që të hanë dru përmetarët, nga këlcyrjotët. Mirë drurin që do e hanë, por as nuk do ja u mbajë që të kundërshtojnë. Do na duhet të çajmë malet, e të bëjmë dy tunele, por s'kemi ç'bëjmë ndryshe. Është i madh Baç Finua. Zhduk dhunën. E meriton të jetë President i FSHF-së!

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: