“Ëndrra” për azil në BE vazhdon

“Ëndrra” për azil në BE vazhdon
Ua kanë bërë të qartë prej kohësh se nuk kanë aspak shans për të përfituar azil në vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Ndërsa vazhdojnë që t’i kthejnë mbrapsht në vendin e tyre, pasi u refuzohet kërkesa për marrjen e tij. Por mesa duket shqiptarët nuk kanë ndërmend që të ndalen në realizimin e “ëndrrës” së tyre për përfitimin e një azili në territorin e ligjshëm evropian. Këtë e faktojnë edhe shifrat më të fundit të publikuara nga vetë autoritetet evropiane, të cilat sërish i rendisin shqiptarët mes qytetarëve të vendeve në krizë apo në luftë, madje dhe të kontinenteve të tjera me nivelet më të larta të kërkesave për azil. E duke treguar në këtë mënyrë se interesi për të përfituar një të tillë në territorin e një vendi të Bashkimit Evropian prej qytetarëve shqiptarë mbetet ende jo vetëm i pranishëm, por në të njëjtën kohë edhe shqetësues. Konkretisht, sipas Institutit Evropian të Statistikave (Eurostat), rezulton se vetëm në tremujorin e tretë të këtij viti kanë qenë plot 5.900 shqiptarë të cilët kanë paraqitur për herë të parë kërkesë për azil në BE. Jo shumë larg sirianëve, të cilët me 26.600 aplikime për të njëjtën periudhë, renditen të parët në këtë listë. Pa harruar se ata vijnë nga një vend i cili prej vitesh gjendet në konflikt të armatosur. Pasuar nga irakianët, që paraqitën në vendet e BE-së plot 12.500 aplikime për azil; më tej nga afganët apo nigerianët me nga 9 mijë aplikime secili grup, apo edhe nga pakistanezët dhe eritreanët me nga 7.300 të tilla. Që të gjitha këto shtetësi, nga vende jashtë territorit të kontinentit të vjetër dhe që mbartin problematika të rënda brenda tyre e aspak të ngjashme me ato të vendit tonë, prej nga burojnë çuditërisht edhe gati të njëjtat kërkesa për marrjen e një azili prej qytetarëve të tij.

5.900

Aplikime për azil në vendet e Bashkimit Evropian janë bërë nga qytetarët shqiptarë gjatë tremujorit të dytë të këtij viti, sipas Institutit Evropian të Statistikave (Eurostat)

24.290

Aplikime për azil në vendet e Bashkimit Evropian janë bërë në total nga qytetarët shqiptarë gjatë një harkut kohor të një viti, sipas Institutit Evropian të Statistikave (Eurostat)

Kërkesat më të larta për azil nga Shqipëria janë për në Francë

Franca rezulton që të jetë shteti ndaj të cilit qytetarët shqiptarë drejtojnë kërkesat e tyre më të shumta për azil. Duke lënë pas vende të tjera të rëndësishme evropiane, të tilla si Gjermania, apo Italia dhe Spanja, ndaj të cilave interesi i shqiptarëve për azil është gjithashtu mjaft i lartë. Konkretisht, sipas të dhënave që ofron Eurostat, rezulton se për në Francë janë drejtuar më shumë se gjysma e kërkesave për azil, rreth 52% e totalit. Kurse në shifra, ky numër ka qenë përkatësisht prej 3 mijë kërkesash, më shumë në fakt se ato drejtuar Gjermanisë, e cila pason e dyta në listën e vendeve që shqiptarët i drejtohen për azil, me vetëm 880 kërkesa, ose 15% e totalit. Një nivel thuajse i ngjashëm ky edhe me atë të shtetit tonë fqinj, Greqisë, ku as aty nuk po reshtin kërkesat për azil të shqiptarëve, respektivisht 705 të tilla, ose 12% e totalit gjatë tremujorit të tretë të këtij viti. Por nuk mungojnë as aplikimet e shqiptarëve për në Britaninë e Madhe, edhe pse ato kanë qenë në një nivel të ulët deri në 7% të totalit, ose 415 në shifra konkrete.

Autoritetet shqiptare, të vendosura që ta ndalin azil-kërkimin

Autoritetet shqiptare, duket se janë të vendosura që ta ndalin azil-kërkimin e qytetarëve të vendit tonë drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Sipas tyre, vetëm nga janari i këtij viti dhe deri tani janë kthyer me dhjetëra persona, që kanë kërkuar azil në vendet e Bashkimit Evropian. Ku vetëm për 41 të riatdhesuarit e fundit, autoritetet shqiptare kanë kërkuar që të nisi hetim ndaj disa agjencive turistike, për të cilat pretendohet se nëpërmjet dokumenteve false kanë mundësuar udhëtimin e shtetasve shqiptarë jashtë kufijve të territorit të Shqipërisë, pikërisht me qëllimin për të kërkuar azil. Por megjithë këtë fushatë të ndërmarrë nga autoritetet, duket se dukuria e azil-kërkimit në Be prej shqiptarëve nuk ka të ndalur. Edhe pse sipas autoriteteve, duhet pranuar se ajo është vazhdimisht në rënie.

Rritja e azil-kërkimit po ndodh “në çdo stinë”, shifra në rritje në secilin tremujor

“Numri i aplikantëve për azil në vendet e Bashkimit Evropian  është rritur me nivelin prej 10%, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2017”. Kështu citojnë ekspertët e Eurostatit, duke shtuar se në total, janë qytetarë nga 146 shtete të botës, të cilët kanë kërkuar azil për herë të parë në Bashkimin Evropian në tremujorin e tretë të vitit 2017. “Sirianët, irakianët dhe afganët ishin tre vendet kryesore të azilkërkuesve, respektivisht me 26. 600, 12.500 dhe 9.900 aplikime”, cilëson gjithashtu raporti i fundit i Eurostat-it. Duke shtuar më tej se krahasuar me popullsinë e secilit shtet anëtar në BE, shkalla më e lartë e aplikantëve të regjistruar për azil gjatë tremujorit të tretë të vitit 2017 u regjistrua pikërisht në Qipro, me 1.577 aplikues për milion banorë. Pasuar nga Greqia që e ka këtë tregues 1.361 dhe Malta me Luksemburgun, me rreth 900 aplikues për milion banorë.

Gjermania, “toka e premtuar” për pjesën më të madhe të azil-kërkuesve në BE

Ndërsa në Shqipëri numri më i madh ai kërkesave për azil, drejtohet pikërisht kundrejt Francës, në tërësi për Evropën, kjo vlen të thuhet për Gjermaninë. Pra, ajo vazhdon që të jetë “toka e premtuar” në të cilën kërkojnë që të vendosen ligjërisht pjesa më e madhe e azilkërkuesve nga shumë vende të botës. Këtë e faktojnë shifrat më të fundit të komunikuara nga Instituti Evropian i Statistikave (Eurostat), sipas të cilit rezulton se numri më i madh i aplikantëve të azilit në tremujorin e tretë të vitit 2017 u regjistrua pikërisht në Gjermani, mbi 46.000 të tillë, ose 28% e totalit të të gjithë aplikantëve. Pasuar nga Italia me 32.500 aplikime për azil, ose 20% e tyre; Franca me 22.200 aplikime, ose 14%; Greqia 14.600, ose 9% dhe Spanja 8.700, ose 5% e totalit. “Këto pesë shtete anëtare të BE-së së bashku përbëjnë 76% të të gjithë aplikantëve të parë në BE”, citon Eurostat.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: