Disiplina sot vendos për dënimin e Këlcyrës, gjoba të majme për Partizanin e Skënderbeun

Disiplina sot vendos për dënimin e  Këlcyrës, gjoba të majme për Partizanin e Skënderbeun
Tirana denoncoi dhunën e forcave të rendit, dje në Shkodër, pas kualifikimit ndaj Vllaznisë, ndërsa kjo ngjarje po analizohet nga disiplina e FSHF-së

Lidhur me skandalin e ndeshjes së Kategorisë së Dytë, midis Përmetit dhe Këlcyrës, sipas kërkesës së klubit të Këlcyrës, Komisioni i Disiplinës vendosi të shtyjë vendimin për këtë të enjte, kur edhe do të dëgjojë pretendimet e palëve. Kjo ndeshje u ndërpre në 75’, kur rezultati ishte në barazim 1-1. Gjyqtari kryesor i ndeshjes Alvi Paço dha një 11-metërsh në favor të Përmetit, që u kontestua dhe për pasojë u godit me grushte e shqelma nga lojtarët dhe stafi i Këlcyrës. Pas këtij momenti ndeshje nuk rifilloi më. Përmeti pret ta marrë fitoren 3-0 në Tavolinë, sikurse Këlcyrës do t’i dënohen disa nga protagonistët e sulmit ndaj gjyqtarit, si masa më të lehta, ku ajo më ekstremja është pezullimi i këtij ekipi nga aktiviteti. Por kjo masë ekstreme nuk pritet të ndodhë, përderisa FSHF ka vonuar vendimin dhe ka pritur të dëgjojë edhe palën që do të penalizohet nga dhuna ndaj gjyqtarit. Disiplina hodhi poshtë edhe kërkesën e klubit të Orikumit pas ankesës mbi ndeshjen me Elbasanin, si dhe ryzoi kërkesat e Imilian Llucës së Shkumbinit, të trajnerit Migen Memelli, i cili drejton Tiranën U-17, ndërkohë që gjobiti edhe klubet e mëdha të Kategorisë Superiore, si Partizanin dhe Skënderbeun.

Vendime të tjera të Disiplinës

Partizani, për dështim në përmbushjen e përgjegjësive duke shkaktuar vonesë në fillimin e ndeshjes kundër Teutës, dënohet me 500.000 lekë gjobë.

Zyrtari i Flamurtarit, Jeton Beqiri, për sjellje jo sportive ndaj zyrtarit të ndeshjes, dënohet me 8 (tetë) ndeshje pezullim nga aktiviteti.

Skënderbeu, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke hedhur mjete brenda rrethimit të fushës, dënohet me gjobë në masën 200.000 lekë.

Lojtari i Teutës, Anel Dediç, për lojë të rëndë ndaj kundërshtarit, dënohet me 2 ndeshje pezullim nga aktiviteti.

Shënkolli, për sjellje të gabuar të tifozëve gjobitet me 100.000 lekë si dhe me zhvillimin e 4 ndeshjeve pa spektatorë. Lojtarët e këtij ekipi, Sadush Danaj dhe Klaudio Pjetrushi pezullohen përkatësisht me 6 dhe 5 ndeshje. Me 12 ndeshje pezullohet edhe zyrtari Armando Loka. 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: