Deti merr hak dhe po gllabëron Shqipërinë! AFP, reportazh mbi dramën e bregdetit shqiptar

Deti merr hak dhe po gllabëron Shqipërinë! AFP, reportazh mbi dramën e bregdetit shqiptar
Ndërtimet e shumta në bregdetin shqiptar në rrezik për shkak të kërcënimit të erozionit bregdetar. Është çmimi që Shqipëria paguan për ndryshimet klimatike dhe urbanizmin e egër

Edhe pse “i nënvlerësuar, fenomeni mori përmasa të mëdha në vitet e fundit. Deti filloi të gëlltisë  bregdetin. Gjithçka vjen nga njeriu i cili e shkatërroi natyrën", thotë Sherif Lushaj, një ekspert për çështjet e mjedisit, në Universiteti Polis të Tiranës.

Në veri, pranë qytetit të Shëngjinit, dhjetëra trungje të pemëve të fosilizuara në ujë të çon ndër mend nëse nuk ke banuar në atë zonë se kohët e fundit aty ka pasur një pyll që ndante detin nga laguna e Kunes.

Kjo lagunë kërcënohet të zhduket, sepse kordoni që dikur e mbronte atë është zvogëluar. Bunkerët e ndërtuar mbi duna, nën diktaturën komuniste të Enver Hoxhës mezi duken, të tjerë janë të zhytur në det.

Në 427 kilometra bregdetare të Shqipërisë, “154 km janë të prekura nga erozioni”, tha ministri i mjedisit, Blendi Klosi, për AFP.

Reportazhi i AFP mbi bregdetin shqiptar është pasqyrua gjerësisht në disa media të huaja.

Përparimi i detit në disa sektorë është alarmues, 20 metra në vit, shpjegon ai. Pranë Shëngjinit, deti gëlltiti “rreth 400 metra tokë në 15 vitet e fundit”, vlerëson ministri.

“Ky vend do të zhduket”

“Ky vend do të zhduket nëse shteti nuk arrin të marrë masat e nevojshme", thotë Osman Demi, një peshkatar i cili kujton “natën e tmerrshme” të 31 dhjetori 2009, kur fshati i tij pësoi përmbytje të papritura dhe të papara ndonjëherë.

“Këtu po peshkojmë lloje të ndryshme peshqish, edhe gaforre... Shkatërrimi i kësaj lagune do të ishte një katastrofë", thotë kolegu i tij Albert Pati, i cili shton se në disa vende dikur të pasura me peshk “uji tashmë është zhdukur.”

Edhe pelikani u zhduk nga laguna. Nga një regjistrim i kryer vitin e kaluar laguna numëronte rreth 7,000 zogj, kur në vitet 1970 aty kishte 50,000 zogj.

Nëse asgjë nuk bëhet njerëzit do të largohen së shpejti, - thotë Jak Gjini, - përgjegjës për mjedisin në bashkinë e  Lezhës, e cila ka në varësi edhe Shëngjinin. “Situata është dramatike,” thotë ai, lidhur me zonën që numëron rreth 2.000 banorë, por me shtëpi të kërcënuara.

Çdo gjë është në aleancë për të ndihmuar detin në pushtimin e tij. Pasojat vijnë nga ndryshimet klimatike, me stuhitë gjithnjë e më të ashpra të dimrit që bartin ujin larg e më larg, por edhe shpyllëzimit masiv në vend, nxjerrjen e rërës nga lumenjtë, urbanizmit e egër në tërë bregdetin shqiptar...

Rreth 15,000 vetë kalojnë verën në Shëngjin, në ndërtesa betoni shumëkatëshe, të ndërtuara në tokën ranore të lagunës.

Këtu investuan “bosët” thotë ky peshkatar me një buzëqeshje. “Bosi” ndërton pa leje, të cilën e merr pasi ndërtesa të përfundojë, në kohën e zgjedhjeve ose në këmbim të parave.

“Ligji i më të fortëve”

"Njerëzit janë të frikësuar të luajnë me interesat e të fuqishmëve. Ky është ligji i fortëve”, “këto ndërtime janë rezultat i presioneve të ushtruara nga individë që ndërtuan pa pasur asnjë konsideratë mbi planin e zhvillimit”, thotë Jak Gjini.

Në Qerret, ku ka lokalin e tij afër një dige mbrojtëse, Asim Krasniqi tregon një valë detare që zhytet në det, pingul me bregdetin. Është ndërtuar pa autorizim nga pronarët e pallateve apo hoteleve. - “Ata ndryshuan rrymat, duke e rënduar edhe më shumë problemin,” thotë shtatëdhjetëvjeçari.

Me të pronarët shpresonin të mbronin pronat nga erozioni, por e vetmja gjë që arritën të bënin ishte të lëviznin problemin nga ndërtesat e tjera aty afër, duke shkaktuar një efekt shkatërrues domino.

“Çdo ndërtim i paligjshëm në det do të shkatërrohet, përgjegjësit do të dënohen”, premtoi ministri Blendi Klosi.

Sipas Eglantina Brucit, specialiste e ndryshimeve klimatike për Programin e Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara në Tiranë, “Zgjidhja e vetme (...) do të ishte ndërtimi i strukturave të shkëmbinjve paralele me bregdetin dhe rindërtimi i dunave”, thotë ajo.

Kjo do të sillte një kosto të madhe për një nga vendet më të varfra në Evropë, - thotë Jak Gjini.

Por nëse nuk bën asgjë, - shton ai, - vendi bëhet gjithnjë e më i varfër. Dhe “Shqipërisë zvogëlohet”.

Përgatiti: A. Muraçi

Shpërndajeni me miqtë tuaj: