BSH: “Luftë” euros, të forcohet leku

BSH: “Luftë” euros, të forcohet leku
Forcimi i monedhës vendase, lek, sidomos përballë asaj monedhës evropiane, euro, vitin e ardhshëm do të jetë në qendër të të gjitha veprimeve financiare të ekonomisë shqiptare gjatë vitit të ardhshëm. Një fakt i tillë u bë me dije së fundmi nga vetë Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, sipas të cilit një gjë e tillë do të bëjë që të fuqizohet edhe më shumë ekonomia vendase, pa lejuar më ndikimin e saj nga luhatjet e papritura të kursit të këmbimit valutor, të cilat pasohen shpesh edhe me efekte negative. “Një angazhim tjetër strategjik, lidhet me rritjen e përdorimit të monedhës kombëtare në sistemin financiar dhe në ekonominë shqiptare, e thënë ndryshe me deeuroizimin e ekonomisë. Për këtë qëllim, gjatë vitit 2017, në konsultim dhe me industrinë bankare, kemi ideuar disa masa specifike, të cilat do të hyjnë në fuqi në gjysmën e parë të vitit 2018”, tha Guvernatori posaçërisht lidhur me një fakt të tillë. Duke e futur këtë në atë që nga të gjithë njihet si nisma për “deeuroizimin e ekonomisë”, ai shtoi se kjo iniciativë pritet të rezultojë shumë shpejt në masa konkrete shtesë. Kujtojmë sakaq, se për ta bërë deeuroizimin gjithëpërfshirës, Banka e Shqipërisë nënshkroi para pak kohësh edhe një memorandum mirëkuptimi me disa dikastere, në mënyrë që ai të mund të përfshihet në gjithë sistemin financiar dhe në ekonominë reale të vendit tonë. Dhe kjo, si pasojë e parandalimit të efekteve që shkaktoi në fakt në ekonominë shqiptare sivjet shfuqizimi i papritur dhe i paparë prej vitesh, i monedhës evropiane, euro. Ajo arriti deri në nivelin prej 131 lekëve në muajin qershor. Ndërsa vetë Banka e Shqipërisë konfirmoi para pak kohësh se shqiptarët kanë patur sivjet më shumë valutë të huaj, euro dhe dollarë, nëpër duart e tyre, një pjesë e mirë e tyre është kanalizuar tashmë nëpër banka, në formë depozitash.

Nuk ndryshon norma bazë e interesit e monedhës vendase, lihet në nivelin 1.5%

Banka e Shqipërisë e ka lënë të pandryshuar normën mesatare të monedhës vendase, lekut. Duke pretenduar se vendi është në një situatë të favorshme ekonomike, ajo ka menduar se nuk ka patur vend për ndërmarrjen e një vendimi të tillë. “Duke gjykuar mbi analizat dhe parashikimet e skenarit bazë, të shtjelluara më sipër, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare vijon të mbetet i përshtatshëm. Në këto rrethana, ai vendosi: Të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 1.25%; Të mbajë të pandryshuar normat e interesit të depozitës dhe të kredisë njëditore, respektivisht në nivelet 0.25% dhe 2.25%”, citoi vetë Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, lidhur me një fakt të tillë. Kujtojmë sakaq, se gjatë viteve të fundit norma bazë e interesit për monedhën vendase, leku, është ndryshuar mbi dhjetë herë nga ana e bankës qendrore, në përpjekje sipas saj, që të përmirësojë politikën monetare të vendit, e duke i shërbyer kështu lehtësimit të kushteve makro-ekonomike të vendit, në një kohë kur ai u prek nga efektet negative të krizës ekonomike ndërkombëtare të viteve 2018-2019.  Nga ana tjetër, Guvernatori tha se gjatë vitit që po mbyllet është punuar edhe në drejtim të përmirësimit të mëtejshëm të instrumenteve dhe metodologjive të parashikimit, si dhe në drejtim të përsosjes së procesit të zbatimit të politikës monetare.

Euro po vazhdon rënien në tregun vendas të këmbimit

Monedha evropiane, euro, po vazhdon që të shënojë rënie të saj në këmbimin kundrejt monedhës vendase, lekut. Kështu, sipas shifrave më të fundit të referuara nga Banka e Shqipërisë, ajo u këmbye në kuotën e 133.13 lekëve, Nga ana e tyre, përfaqësues të tregut të këmbimit valutor pohuan se një dukuri e tillë lidhet pikërisht me efektet sezonale, që në këtë rast janë festat e fundvitit dhe mbërritja e emigrantëve nga jashtë për t’i kaluar ato pranë familjeve të tyre, duke sjellë me vete edhe një ofertë të monedhës evropiane. Por nga ana tjetër, ekspertët e lidhin këtë dukuri edhe me faktin se sipas tyre, tregtarët i kanë bërë blerjet e fundvitit që në muajin nëntor, çka ka bërë që në dhjetor të mos ketë kërkesë të lartë për valutë. Ndërkaq, eksperienca e viteve ka treguar se në këtë pjesë të vitit zakonisht euro zhvlerësohet në tregun vendas, ndërsa muaji janar shoqërohet me forcim të monedhës së përbashkët. Por gjithashtu, me rënie të fortë është shoqëruar edhe dollari, i cili ka zbritur në 112.47 lekë, duke treguar kështu se monedha vendase paraqitet e fortë kundrejt atyre të huaja.

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: