Bizneset më pak xhiro se më parë, vetëm ndërtimi jo

Bizneset më pak xhiro se më parë, vetëm ndërtimi jo
Bizneset, në tërësi në Shqipëri, aktualisht po realizojnë më pak xhiro se më parë. Në një kohë që kanë ulur edhe pagat, madje kanë arritur deri aty sa të pakësojnë edhe numrin e punonjësve të tyre. Kjo është të paktën panorama që japin institucionet shtetërore lidhur me ecurinë aktuale të sipër-marrjes private në vendin tonë. Duke paraqitur tregues pozitivë vetëm për dy sektorë, siç është ai i ndërtimit, apo edhe ai i hotelerisë. Konkretisht, sipas të dhënave që referon Instituti i Statistikave, rezulton se në tremujorin e tretë të këtij viti, sektori i tregtisë shënoi një rënie të tij, sa i përket xhiros së realizuar, në tërësi në të gjitha pikat e shitjes. Ndërsa ka arritur që të shkurtojë nga puna jo pak, por rreth 5% të totalit të punonjësve. “Pagat u ulën me nivelin prej -1.8%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më pare”, saktësojnë më tej ekspertët e INSTAT-it, lidhur me ecurinë e këtij sektori. Për të vijuar më tej me atë të transportit, për të cilin gjithashtu raportojnë një përkeqësim të xhirove, deri në nivelin prej -2.6%. Por ndryshe nga tregtia, transportet duket se e kanë patur të paktën një të mirë, atë që kanë punësuar më shumë njerëz sivjet, sikundër edhe kanë rritur pagat e tyre. Kurse sa i përket ndërtimit dhe në tërësi aktiviteteve arkitekturore dhe inxhinierike, INSTAT raporton se ato shënuan sivjet një rritje të shitjeve të tyre deri në nivelin prej 13.8%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. “Numri i të punësuarve të tyre u rrit me 7%, krahasuar me tremujorin e tretë 2016, kurse fondi i pagave u rrit me 21%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më pare”, citon mes të tjerash raporti më i fundit i Institutit të Statistikave. Shifra këto që janë krahasimisht të larta me të gjithë sektorët e tjerë të ekonomisë, që pas zgjedhjeve të 25 qershorit në vend, duket se shënuan një rënie të xhirove të tyre dhe nisën të tregoheshin më të kujdesshëm me pagat që u jepnin punonjësve të tyre.

 

 

“Boom” i turizmit, ndihmojnë hotelet dhe agjencitë turistike që të ecin para 

“Boom”-i që po shënon sektori i turizmit kohët e fundit në vendin tonë, duket se po reflektohet edhe në ecurinë mjaft të mirë të biznesit të hotelerisë apo edhe të agjencive turistike si të tilla. Kështu, sipas të dhënave që referon vetë Instituti i Statistikave, rezulton se gjatë tremujorit të tretë të këtij viti, i cili përkon në fakt me pikun e sezonit turistik në vendin tonë, hotelet kanë arritur që të sigurojnë një nivel të shtuar xhirosh deri në nivelin prej 17.2%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kurse agjencitë e udhëtimit e kishin këtë rritje deri në nivelin prej 24.4%. Kurse krahasuar tremujorin paraardhës, shitjet e tyre u rritën deri në nivelin prej 19.4%. Edhe ky një nivel mjaft i lartë, po të mendosh se kemi të bëjmë me një biznes modest në dukje, siç është ai i këtyre agjencive, përkundrejt industrisë, apo transporteve që kanë një hapësirë më të madhe në ekonomi. Nga ana tjetër, INSTAT-i raporton se punësuarit nëpër hotele gjatë këtij sezoni turistik  u shtuan me 3.3%, kurse pagat e tyre u rritën jo pak, por deri në nivelin prej 13.2%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Gjë që vlen të thuhet edhe për biznesin e agjencive të udhëtimit, të cilat i shtuan punonjësit e tyre deri në 18.4 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Dhe madje, edhe fondi i pagave të tyre u rrit deri në nivelin prej 10 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Duke treguar në këtë mënyrë, se ato vërtet kanë patur një ecuri të mirë biznesi gjatë tremujorit të tretë të këtij viti.

 Po ngadalësohet edhe konsumi, qytetarët më pak blerje se më parë

Që bizneset kanë pakësuar xhirot e tyre gjatë këtij viti, sidomos në sektorin e tregtisë, kjo flet edhe për një pakësim të konsumit nga ana e qytetarëve. Kështu, sipas ekspertëve të statistikave, në një raport të mëparshëm, tregtia me pakicë ka regjistruar një ecuri negative në tremujorin e tretë të vitit, krahasuar me një vit më parë. Kështu, rritja vjetore e konsumit të qytetarëve është ngadalësuar ndjeshëm këtë vit, në krahasim me nivele prej 6% dhe 8% që u raportuan në dy tremujorët e fundit të vitit të kaluar. “Në grupin ‘Ushqime, pije, duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara’, indeksi i volumit të shitjeve, është rritur me nivelin prej 1.7%, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2016”, citojnë ata. Duke konfirmuar kështu një nivel mjaft modest të rritjes së shitjeve, nëpër dyqane apo nëpër qendrat tregtare, rrjedhimisht edhe të konsumit të qytetarëve nëpër to.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: