BB: Shqipëria, vendi me pagat më të ulëta në rajon

BB: Shqipëria, vendi me pagat më të ulëta në rajon
Shqipëria është vendi me pagat më të ulëta në rajon. Por në të njëjtën kohë, edhe vendi që cakton më pak fonde shtetërore për pagat e punonjësve publikë të saj. Një fakt i tillë konfirmohet në një raport të fundit të Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, në të cilin vendi ynë figuron më inferior ndaj fqinjëve të tij, të paktën sa u përket pagave. Kështu, sipas tij, Shqipëria në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, shpenzimet për pagat i ka vetëm në nivelin prej 5% të tij. Në një kohë, kur të gjitha vendet e tjera të rajonit e kanë këtë tregues mbi nivelin prej 10%. “Vendeve të Ballkanit Perëndimor u nevojiten madje gjashtë dekada që të arrijnë nivelin e pagave të Bashkimit Evropian, nëse vazhdojnë të zhvillohen me shpejtësinë mesatare të realizuar mes periudhës 1995-2015”, cilësohet gjithashtu nga ekspertët e Bankës Botërore. Kujtojmë sakaq, se niveli mesatar zyrtar i pagës në Shqipëri është rreth 347 euro, duke e lënë pas edhe Kosova, e cila e ka atë 405 euro. Dhe nëse vijojmë me të dhënat më të fundit rreth pagave në Evropë, publikuar nga Uikipedia, referuar pikërisht të dhënave të Bankës Botërore, rezulton se më të lartat i ka Zvicra dhe Islanda, deri në nivelin prej 4.4 mijë eurosh në muaj. Kurse vende të tilla si Gjermania dhe Franca vërtiten në nivelin prej 2.2 mijë eurosh në muaj pagë, për një qytetar të tyre. Gjithashtu, raporti në fjalë pohon edhe faktin se shkalla e papunësisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, përfshirë këtu edhe Shqipërinë, është gati dy herë më e lartë se në vendet e tjera të vogla në tranzicion që tani janë në Bashkimin Evropian. “Kur gjysma e popullsisë në moshë pune kërkon punë, dhe një e katërta e atyre që kërkojnë punë nuk mund të gjejnë, nevoja për rritjen e pjesëmarrjes në tregjet e punës në rajon mbetet vendimtar. Kjo mund të arrihet duke shmangur dekurajimin për punë dhe njëkohësisht duke hequr pengesat për punësim me të cilat ballafaqohen punëtorët më të vjetër, të rinjtë, gratë dhe pakicat”, thuhet mes tjerash në raportin e BB-së.

 

KRAHASIMI

Pagat në shtet, më të mira se ato në privat

Ndërsa punësimi në sektorin publik zë rreth 23% të totalit në Ballkanin Perëndimor, ai zotëron edhe pagat më të larta. Kështu thuhet të paktën në raportin e Bankës Botërore, sipas të cilit, në Shqipëri rritja e pagës mesatare në shtet ka krijuar një nivel të ri të tyre. “Raporti midis pagave publike dhe private është mbi 100 për qind në të gjithë Ballkanin Perëndimor, që do të thotë se pagat publike janë më të larta se ato në sektorin privat”, citon raporti i Bankës Botërore. Por sa u përket ritmeve të tyre të rritjes, ekspertët sqarojnë se më të larta janë në sektorin provat, saktësisht me 4.6%, krahasuar me ato publike që e kanë rritjen mesatare në rreth 3.4%.

 

QËNDRIMI

“Qytetarët e Ballkanit nuk po ndjejnë përparim nga reformat”

"Vendet e Ballkanit Perëndimor në vitet e fundit kanë shënuar avancime në reformat e financave publike dhe ringjalljen e rritjes ekonomike, por qytetarët ndoshta ende nuk kanë ndjerë dobitë nga ky përparim". Kështu është shprehur Linda Van Gelder, drejtore e Bankës Botërore për vendet e Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë këtu edhe Shqipërinë. Sipas saj, fokusimi në reformat strukturore mund të përshpejtojë rritjen ekonomike dhe të përmirësojë ekzistencën, duke bërë që niveli i të ardhurave për këto vende të arrijë pagat e Bashkimit Evropian. Gjithsesi, ekspertët ndajnë idenë se Ballkani Perëndimor, përfshirë edhe Shqipërinë, paraqet mjaft potenciale.

375

Euro në muaj është niveli i pagës mesatare zyrtare në Shqipëri, shifër kjo e cila rezulton që të jetë më e ulëta krahasuar me vendet e tjera të rajonit ku ajo bën pjesë

Shpërndajeni me miqtë tuaj: