Armando Cungu: Pse ika nga Vllaznia, e ardhmja ime...

Armando Cungu: Pse ika nga Vllaznia, e ardhmja ime...
Intervista/Flet ish-trajneri i Vllaznisë, Armando Cungu, për të cilin flitet rikthimi në janar te Kukësi

Intervistoi: Aranit Muraçi

Armando Cungu dha dorëheqjen pak kohë më parë nga Vllaznia, skuadër të cilën e udhëhoqi drejt finales së madhe të mbijetesës përballë Tiranës. Pas largimit të tij, Vllaznia zbriti në zonën e ftohtë të rënies në një kategori më poshtë dhe pret Tiranën këtë mesjavë, në përballjen e kthimit të Kupës së Shqipërisë, në një mision të vështirë për t’u kualifikuar, pas humbjes 2-0 të ndeshjes së parë. Trajneri i njohur shkodran, i cili drejtoi me sukses Kukësin pak sezone më parë, po përflitet për një rikthim të mundshëm në janar te verilindorët. Në një intervistë për “Albanian Free Press”, Armando Cungu flet për të ardhmen e tij, zhvillimet e fundit në futbollin shqiptar, si dhe ecurinë e problemet që has Vllaznia:

Zoti Cungu jeni përfolur këto ditë se mund të riktheheni te Kukësi. Si qëndron e vërteta?

Në fakt, të jem i sinqertë, kam pasur këto ditë disa oferta nga ekipet e Kategorisë Superiore në Shqipëri, apo edhe jashtë, në Kosovë. Por nuk mendoj se është ky momenti i duhur për të folur rreth tyre, apo të ardhmes sime. Aktualisht jam duke iu përkushtuar familjes dhe do të pres momentin e duhur për të vendosur. Sigurisht respektoj çdo ofertë pasi e konsideroj edhe një vlerësim mbi punën dhe përvojën time si trajner, por ia lëmë më mirë çdo gjë kohës dhe momentit të duhur.

Ndërkohë Vllaznia, pavarësisht largimit tuaj nuk ka pasur një ecuri të mirë duke zbritur aktualisht në zonën e ftohtë të rënies nga kategoria...

Më vjen keq për Vllazninë, sepse ka shumë probleme që nuk më takon mua t’i bëj publike. Këtë situata e paralajmërova në fakt para se të largohesha nga ekipi. Nuk dua të justifikohem, sepse Vllaznia mbi të gjitha është skuadra e qytetit tim. Një sezon më parë të gjithë ishin dëshmitarë të mbijetesës së skuadrës. Pesë javë para përfundimit kur të gjithë flisnin për Europën, unë kërkoja të siguronim mbijetesën dhe na u desh një pikë që e siguruam në fund përballë Tiranës, duke rrezikuar seriozisht rënien. Para sezonit të ri u larguan shumë lojtarë, duke përfshirë edhe kapitenin Shtubina. Për të ndërtuar ekipin e këtij sezoni më është dashur të futem në bisedime të gjata për të afruar lojtarë  Orelesi apo për të rikthyer emra si Lika e Vucaj, që të krijonim boshtin e ri të ekipit.

Bashkia Shkodër ndoshta i ka të kufizuara mundësitë financiare për të mbështetur ekipin. A është koha të gjendet një zgjidhje për të dalë nga kjo situatë, që të mos rrezikohet rënia?

Po, e vetmja zgjidhje mendoj se është privatizimi i plotë i klubit. Mes problemeve të mëdha sociale që ka shoqëria jonë dhe që të gjithë i dinë, futbolli është shqetësimi i fundit për Bashkinë Shkodër, ashtu siç është besoj se është edhe për të gjitha bashkitë e tjera të vendit. Prandaj, do të ishte e udhës të afroheshin sponsorë për të mundësuar privatizimin e plotë të klubit që t’i hapet rruga zhvillimit të futbollit në Shkodër dhe ecjes para të Vllaznisë.

Vllaznia e njohur si djepi i futbollit shqiptar dhe skuadra më e suksesshme në historinë e futbollit tonë pas ekipeve të kryeqytetit, sot nuk po konkurron dot as me ekipe pa traditë si Skënderbeu dhe Kukësi. Si e shpjegoni ju këtë?

Është pikërisht Skënderbeu skuadra model sot për sot në Shqipëri, kjo ndoshta edhe për shkak të kohës më të gjatë dhe eksperiencës që ka fituar nga Kukësi. Skënderbeu edhe këtë vit zhvilloi një kompeticion të jashtëzakonshëm në Kupat e Europës dhe kryeson me meritë kampionatin. Personalisht i heq kapelën këtij ekipi, si për organizimin, profesionalizmin e treguar dhe për paraqitjet në 6-7 vitet e fundit. Vllaznia, apo skuadra të tjera me traditë të vendit si Tirana që kanë zbritur në nivele të pazakonta, duhet të ndjekin modelin e organizimit të Skënderbeut, për t’u rikthyer në ditët e tyre të lavdishme.

Si e vlerësoni infrastrukturën dhe punën që bëhet me të rinjtë në Shqipëri? Pse nuk mund të krahasohemi dot as me vende të tjera të rajonit si Kroacia e Sllovenia?

Ka progres, duhet të jemi realistë. Kroacia që merrni shembull i përket një shkolle të zhvilluar futbolli si vend i ish-Jugosllavisë dhe ka një ekonomi më të zhvilluar për të pasur më shumë investime në sport. Prandaj ka klube futbollit më të zhvilluara. Shqipëria nga ana tjetër nuk kishte asnjë stadium, asnjë fushë në kohën kur luaja unë futboll. Sot thuajse të gjitha fushat e Kategorisë Superiore kanë ndryshuar, janë të shtruara me tapet, por ka edhe investime të tjera të rëndësishme për komplekse sportive bashkëkohore. Kemi dy stadiume me standarde evropiane, ai i Elbasanit dhe i Shkodrës, dhe stadiumi kombëtar që ndërtohet së shpejti në kryeqytet. Edhe të rinjtë nëse klubet do të jenë të organizuara më mirë, sot u sigurohet një e ardhme edhe më e sigurtë se disa vite më parë.

 

Gjici shkund Kukësin 

Kukësi ka bërë një analizë para ndeshjes së kupës si dhe asaj të kampionatit në fundjavë, ndaj Teutës, ku i pranishëm ishte edhe presidenti Safet Gjici. Presidenti kritikoi lojtarët pas humbjes 1-2 me Lushnjën dhe kërkoi maksimumin në takimet e mbetura të këtij viti. Trajneri Milinkoviç, i votëbesuar prej tij, pritet të largohet në janar si pjesë e ndryshimeve nga presidenti i Kukësit.

“Ringjallja” e Lushnjës

Pritet të vijnë në Lushnjë sot tre lojtarë nga kategoria e dytë e kampionatit suedez, të cilët do të testohen për një javë nga trajneri Hysen Dedja, por do të ketë në janar edhe ndërhyrje e afrime të tjera lojtarësh me qëllim që “lagunarët” t’i shpëtojnë rënies nga kategoria. Oreksi është shtuar ndjeshëm pas fitores së fundit ndaj Kukësit, 1-2, në fushën e kampionëve në fuqi.

Merkato e Flamurtarit

Flamurtari, ashtu si në verë, kërkon të kryejë përforcimet para fazës përgatitore të dimrit. Pas dy lojtarëve të huaj, klubi vlonjat është në pritje të afrimeve të tjera të bujshme, ku më e spikatura është ajo e Dejvi Bregut. Por ka edhe ish-lojtarë të tjerë me cilësi, që nuk po shkëlqejnë aktualisht me ekipet e tyre, që janë projektuar nga ekipi vlonjat, me qëllim që Flamurtari të garojë për titull.

Rama te Partizani

Olsi Rama emërohet drejtor sportiv i Partizanit.  Partizani nuk ka dhënë asnjë detaj nëse Luciano Moggi vazhdon të mbajë detyrën e kaluar, por gjithsesi Olsi Rama, i cili pret të marrë edhe licencën në FSHF, emërohet drejtor i klubit Partizani. Nën drejtimin e tij Partizani pritet të ketë ndryshime të mëdha në janar. I pari që afrohet nga drejtori i ri i Partizanit është Bruno Telushi.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: