Vllasova Musta: Kritika letrare e mirëfilltë, sot është inekzistente

Vllasova Musta: Kritika letrare  e mirëfilltë, sot është inekzistente
INTERVISTA/ Flet poetja dhe skenaristja e njohur: Çdo arritje apo sukses ka ngjarjen e vet, janë të tuat, i ke të shenjta, por poezia është tjetër gjë,  është tjetër frymëmarrje dhe tjetër tingull...

 “Kritika letrare e mirëfilltë është inekzistente”. Një shqetësim të tillë ngre gjatë një interviste të posaçme për “Albanian Free Press” poetja dhe skenaristja e njohur, Vllasova Musta. Teksa shton shqetësimin se nuk ka parë asnjë studim kritik letrar që të hulumtojë dhe të përcjellë para lexuesit ecurinë e autorëve të rinj, cilat janë prurjet, të veçantat dhe zërat e tyre. “Mendimi kritik duhet të jetë i pranishëm, i domosdoshëm dhe i pandërprerë se përndryshe si do të orientohen për vlerat e vërteta të rinjtë që shkruajnë?”, shton ajo. Për të rrëfyer më tej detaje nga jeta e saj krijuese, si nisi ajo dhe si arriti ta ngrejë atë në plejadat e profesionistëve të vërtetë të letrave shqipe...

 

Intervistoi për “Albanian Free Press”: Albert Z. ZHOLI

 

Tashmë 51 vjet nga poezia juaj e parë... cili është libri i parë, po i fundit? A vlerësohen poetët sot?  

Libri im i parë titullohet “Pa kopertinë”, e kam botuar kur isha studente, për të u shkrua shumë dhe u mirëprit nga kritika e kohës, ndërsa libri i fundit titullohet “Më thuaj diçka të bukur”. Edhe për këtë mora mjaft vlerësime si nga shkrimet nëpër mediat e ndryshme, po ashtu edhe nga poetët e dashamirësit e poezisë.

Mendoj se vlerësimi sot është spontan, kryesisht janë kolegë apo dashamirës që të njohin ty dhe krijimtarinë tënde, e kësisoj nxiten të shkruajnë atë që kanë përjetuar prej leximit të librit por, gjithsesi ky nuk është tregues i mendimit të specializuar, nuk  është i mjaftueshëm fakti se u botuan disa shkrime për një botim të ri, kritika letrare e mirëfilltë  është inekzistente. Nuk kam parë asnjë studim kritik letrar që të hulumtojë dhe të përcjellë para lexuesit ecurinë e autorëve të rinj, cilat janë prurjet, të veçantat dhe zërat e tyre. Mendimi kritik duhet të jetë i pranishëm, i domosdoshëm dhe i pandërprerë se përndryshe si do të orientohen për vlerat e vërteta të rinjtë që shkruajnë?!

 

Krijimtaria mbetet një ëndërr për këdo në fëmijëri. Por për të udhëtuar në këtë autostradë plot befasi, sigurisht duhet një mbështetje. Kush ua dha këtë mbështetje në këtë rrugë të bukur, por të vështirë në fillimet tuaja? 

Po, kam patur një mbështetje tepër të veçantë. Unë isha me fat që mësues letërsie kisha një poet të mrekullueshëm, Agim Shehun. Ai, orën e mësimit e bënte si askush tjetër, na hapte horizonte të tjera, na përcillte tinguj dhe ngjyra, na përçonte imazhe të pafundme ku lëvrinte fantazia jonë rinore dhe buiste poezia. Të dëgjoje komentet e tij, vetiu bëheshe poet, bëheshe krijues, ndiheshe ndryshe dhe ai dinte të të nxiste, të të motivonte dhe të kërkonte prej teje. Agim Shehu kishte qenë bashkënxënës me Ismail Kadarenë, por në atë gjimnaz ishte edhe Dritëro Agolli. Ata kishin qenë dhe vazhdonin të ishin miq të mirë me njëri-tjetrin dhe falë kësaj njohjeje e miqësie midis tyre, ne patëm fatin t’i kishim midis nesh të ftuar prej tij, të mrekulloheshim nga prania dhe fjala e tyre. Ka qenë i paharruar takimi me Kadarenë, kur erdhi në gjimnazin tonë, si edhe në rrethin letrar dhe ne, krejtësisht të ngazëllyer nga prania e tij, përpinim çdo fjalë dhe mendim e në ditët e mëtejme vazhdonte e vazhdonte rrëfimi i secilit sesi e kish thënë aq bukur këtë apo atë mendim Kadareja i madh dhe fjalët gërmëzoheshin rrugëve dhe sokakëve të Gjirokastrës, përherë për vlerën, respektin dhe çudinë që ai mbartte për ne, të rinjtë e asaj shkolle. Pra, në këtë ambient u rrita dhe nisa të krijoj. E mbaj mend si sot botimin e poezisë së parë. Kam qenë nxënëse, kur kam botuar. Ishte 21 maj i vitit 1966, pra, plot 51 vjet përpara! Poezia u botua në gazetën “Zëri i Rinisë”, në Tribunën e Letrarëve të Rinj, siç quhej atëherë dhe titullohej “Këngë në ritme“: Moshatare me vitet rinore/ Është e re poezia ime/ Sot ajo ulet në bankat shkollore/ Dhe me mua humbet n´ëndërrime…”.

Atë ditë po shkoja në shkollë. Isha nxënëse në gjimnazin “Asim Zeneli” dhe një grup shokësh më dolën përpara, më rrethuan dhe gati njëzëri më thanë: Të kanë botuar  në gazetë, ke dalë në gazetë!... Unë shtanga për momentin, ishte një përjetim i magjishëm, i mrekullueshëm dhe tejet i bukur! U futa në oborrin e shkollës dhe ndjeva që më ndiqnin shikime të nxënësve të tjerë dhe nga ndroja, unë s’dija ç’të bëja, por shkova drejt e u futa në rresht mes shokëve të klasës për t’iu shmangur sa më shpejt asaj mërmërime që përmendte emrin tim. Ishte botimi i parë dhe unë u ndjeva veçse e lumtur...

 

Kush nga klasa juaj botonte poezi përveç teje?

Në klasën time, askush tjetër, por unë isha anëtare e rrethit letrar të shkollës dhe aty ishte Petro Çerkezi, Foto Malo, Petrit Dhane, si dhe Thanas Dino. Në këtë rreth letrarësh kishte një frymë dashamirësie dhe mbështetjeje, që më jepte kaq dashuri dhe motivim, sa shkoja thuajse duke rendur sa herë që mblidheshim, pasi aty diskutonim krijimet tona dhe ajo që vlerësoj edhe sot është se aty krijuam një miqësi të pastër e të rrallë, që e tillë ka mbetur edhe sot.

 

Pas botimit, sigurisht ndiheshe ndryshe në Gjirokastër, por besoj, se t’u hapën edhe dyert e redaksive të tjera për botim.

Po, është e vërtetë, pas botimit të parë tek gazeta “Zëri i Rinisë”, unë fillova të botoja në gazetën “Drita”, si dhe në revistën “Nëntori”, apo dhe në organe të tjera. Ajo që më jepte më shumë kënaqësi, ishte botimi tek gazeta “Drita”, pasi ishte më elitare, e mirëpritur dhe e kërkuar prej të gjithë krijuesve. Kur shkoja në librari të dielave, për të marrë gazetën, se të dielën dilte “Drita”, unë sapo futesha brenda, prisja reagimin e librarit të pasionuar, që ishte personazh i rrallë i qytetit, Alizot Emiri dhe kur ai më thoshte: “t’i kanë nxjerrë, t’i kanë nxjerrë, i lexuan të gjithë dhe t’i kanë pëlqyer”, të them gëzohesha është fare pak, kjo ishte për mua vetë mrekullia, pasi aty mblidheshin gjithë intelektualët e qytetit, shfletonin, lexonin, diskutonin ishte si të thuash njëlloj “klubi letrar” ku bëheshin diskutimet e para dhe merrje përshtypjet direkte. Ishte koha kur libri kërkohej fort, lexohej me ëndje dhe vlerësohej si pasuri e rrallë kur e merrje në dorë dhe e çoje në bibliotekën tënde.

 

Kam lexuar se ju keni marrë çmimin e parë për talentet e reja në fund të viteve 1960. Si e morët vesh çmimin? Ku e morët dhe kush ua dorëzoi?  Kush ua njoftoi? 

Edhe këtë moment, e mbaj mend si sot. Kjo ka ndodhur në fundvitin e 1966-ës, pas festave të Nëntorit. Në pushimin midis orëve, në klasën tonë erdhi drejtori i shkollës, mësuesi kujdestar dhe profesor Agimi. Drejtori mbante në dorë një dokument dhe ia dha profesor Agimit duke i thënë: “Lexoje ti”. Ai e lexoi dhe sakaq, shikimi i të gjithëve u drejtua tek unë. Në të thuhej: “Urime për çmimin e parë në Konkursin Kombëtar të Talenteve të Reja!”. Unë nuk po e besoja, doja të hidhesha përpjetë, të bërtisja, t’i përqafoja të gjithë, por sakaq vetëm kisha mbetur e ngrirë dhe asgjë më tepër. Drejtori dhe dy të tjerët më uruan, më dhanë telegramin që kish ardhur nga Tirana dhe u larguan, por unë isha në ajër dhe s’dëgjoja fare. Ishte e kotë të rrija në mësim në orët vijuese, të gjithë më shihnin vetëm mua. Kur dola nga shkolla, nuk shkova në shtëpi, por drejt e tek puna e mamasë, për të gëzuar bashkë me të.

 

Ku dhe si jua dorëzuan çmimin? 

Çmimin erdha e mora në Tiranë. Unë banoja në Gjirokastër, tepër larg dhe nuk u ndodha në ceremoni. Kur shkova tek redaksia e gazetës “Zëri i Rinisë” më pritën mjaft mirë, u takova për herë të parë me Vath Koreshin, që ishte aq i njerëzishëm dhe më tha: “Ti je Vllasova?”. Ishte një takim aq i ngrohtë, nga ata që mbeten të pashlyer për gjithë jetën. Më shoqëroi tek një zyrë ku më dorëzuan dhuratën, ishte një stilograf nga më të mirët e asaj kohe. Me të kam shkruar poezi e skenarë dhe më ka shoqëruar prej një jete, e ruaj edhe sot, e kam kujtim të rinisë sime. Po ashtu, më dhanë një pako me disa libra letërsie si dhe një shpërblim në të holla, që për një nxënëse ishte si dhuratë e rënë prej qiellit.

 

A pate vlerësime nga shkolla? 

Në shkollë jam ndjerë përherë mjaft mirë, kam pasur marrëdhënie tepër të ngrohta me të gjithë shokët dhe shoqet dhe sot, ata janë të parët që vijnë në promovimet e librave të mi, sikur të jenë pjesë e krijimtarisë sime. Atë vit, unë u zgjodha delegate për të shkuar në Kongresin e Pestë të Rinisë, në Tiranë, ku isha zgjedhur delegate, si dhe për të diskutuar dhe diskutimin tim e përgatita kryefund në vargje. Ai u botua në gazetë, bëri shumë bujë  dhe kur u ktheva në Gjirokastër, u ndjeva një triumfatore e vërtetë.

Po Vllasova si skenariste, kur shkoi në Kinostudio dhe kush ishte drejtor i saj atëherë?

Në Kinostudio fillova punë, sapo mbarova studimet dhe mora diplomën. Kur mësova se isha emëruar të filloja punë aty, fluturova nga gëzimi. Ishte viti 1971 dhe në hyrje të studios, erdhi e më takoi gjithë përzemërsi Todi Bozo, që asokohe ishte nëndrejtor. Ishte si të thuash, njeriu i parë që më dha dorën për t´u ngjitur në ato shkallë. Ai më përcolli deri tek drejtori dhe më njohu me të. Unë, për herë të parë hyja në një zyrë dhe ndodhesha përballë një burri gati të moshuar, që ishte drejtori, por që më priti mjaft ngrohtë dhe më çuditi dhe gëzoi njëkohësisht, kur më tha se kish lexuar poezitë e mia. Quhej Vaskë Aristidhi. Pa kaluar pak kohë, erdhi drejtori një gazetar i mirënjohur, Vangjush Zallëmi, i cili gjeneroi dhe i dha frymë tjetër krijimtarisë, filmave, krijuesve dhe gjithë Kinostudios. Nuk mund të rri pa thënë se të punoje në Kinostudio ishte sikur futeshe në një oaz paqeje, dashamirësie dhe fantazie për të bërë më të bukurën e më të mirën. Fryma e mbështetjes, përkrahjes dhe bashkësisë që ekzistonte aty, ishte si në asnjë institucion tjetër të artit dhe kulturës në të gjithë vendin. Suksesi i një filmi, bëhej gëzimi i të gjithëve dhe vërejtjet apo shkurtimet e diktuara nga lart, për një film tjetër, mpinin dhe ndrydhnin të gjithë krijuesit. Aty, sidomos në fundviti, gëlonte përkushtimi për punën, nuk kishte orar, duhej të përfundonin filmat dhe orët zgjasnin derisa të mbaroje, vetëm e vetëm që filmi të dilte me sukses.

Cili ishte skenari i parë?

Skenari im i parë ishte për një film dokumentar. E shkrova me përkushtim dhe dashuri të madhe, se jo vetëm që ishte sprova e parë, por doja të ndihesha sa më mirë dhe të justifikoja praninë time në atë institucion. E titullova “Heshtja e armëve” dhe ditën që u diskutua skenari e u aprovua pa asnjë vërejtje, por vetëm fjalët më të mira, kam qenë kaq e lumtur sa nuk e harroj kurrë. Më pas kam shkruar skenarë të tjerë nga njëri vit në tjetrin, por asnjëherë nuk më ka ndodhur që të mos aprovohej ajo çka shkruaja dhe paraqisja në redaksinë e filmit.

 

Ku je ndjerë më mirë, si poete apo skenariste?

Siç e thashë edhe më lart, kam fituar disa çmime nëpër Festivalet e Filmit si dhe Kupa, por mrekullinë që kam ndjerë në vitin 1984, kur libri im me poezi “Kur çelin sythet”, fitoi çmim në Konkursin Kombëtar të 40-vjetorit të Çlirimit të Atdheut, apo në vitin 2006 kur mora pjesë në Konkursin Kombëtar Letrar “Dritëro Agolli” në gjininë e poezisë dhe u shpalla fituese, pa harruar kur fitova çmimin e parë për tekstin e këngës së bukur “Xhaketa e kuqe”, kanë qenë emocione dhe përjetime tej së bukurës. Çdo arritje apo sukses ka ngjarjen e vet, janë të tuat, i ke të shenjta, por poezia  është tjetër gjë,  është tjetër frymëmarrje dhe tjetër tingull.

 KRIJIMTARIA

Kam realizuar mbi 35 filma të

animuar e mbi 55 dokumentarë“

Kam realizuar mbi 35 filma të animuar si dhe mbi 55 filma dokumentarë e kronikalë. Në krijimtarinë time si kineaste janë të shumta çmimet e fituara në Festivalet e Filmit Shqiptar, apo edhe në aktivitete ndërkombëtare. Jam fituese e Kupës së Festivalit të 7- të të Filmit, në vitin 1988, kur m‘u dha çmimi i parë dhe Kupa. Në vitin 2000, përsëri u shpalla fituese e Kupës së Festivalit të Filmit Shqiptar. Këto dy kupa kanë zënë vend krah librave dhe zbukurojnë bibliotekën në shtëpinë time. Regjisorët me të cilët kam bashkëpunuar kanë qënë: Xhanfise Keko, Vitori Celi, Kujtim Gjonaj, Kristaq Mitro, Vlash Droboniku, Bujar Kapexhiu, Boris Ikonomi, Artur Muharremi, Artur Dauti etj, etj. Edhe pse kam realizuar me dhjetëra filma dokumentarë dhe të animuar nëpër vite, përsëri mendoj dhe punoj për projekte të tjera, që shpresoj t´i paraqes së shpejti”.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: