Xhelal Tafaj: Magjia për aktorin është syri i spektatorit

Xhelal Tafaj: Magjia për aktorin është syri i spektatorit
Biseda me aktorin Xhelal Tafaj ishte një kafe e gjatë buzë detit. Pavarësisht thinjave të viteve, menjëherë dallohej hiri skenik i aktorit të njohur dhe vokali i tij i shtruar e i plotë. Në 35 vite në teatër dhe film, Xhelal Tafaj ka realizuar mbi 70 role por pavarësisht kësaj, e ka një brengë të madhe, shkëputjen nga skena e teatrit “Aleksandër Moisiu”, pa dëshirën e tij, por për arsye absurde politike, siç ndodh jo rrallë në këtë vend, pavarësisht dekorimit nga Presidenti i Republikës, në 2010 me dekoratën “Naim Frashëri i Artë”. Aktori durrsak por me rrënjë nga Tafajt e Tiranës rrëfen fëmijërinë e tij pas humbjes së nënës, dashurinë e rrallë që i ofroi familja e tezes së tij, edukimin muzikor më pas si dhe jetën e tij si aktor. Në këtë rrëfim ku aktori fisnik u prek disa herë e mbajti lotët fort, Xhelal Tafaj tregon pasionin e jashtëzakonshëm që e shtyn që edhe sot, të mirëpresë një rol në teatër, me të njëjtën adrenalinë si dikur.

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

Ju keni lindur në Tiranë, jeni nga Tafajt e Tiranës. Më pas jeta ju solli në Durrës, si rrjedhim i sëmundjes së rëndë të nënës tuaj. Keni pasur një fëmijëri të vështirë?

Ndryshe nga çfarë mendohet, jo, nuk ka qenë kështu. Gjendja e nënës erdhi duke u rënduar dhe tezja ime, pra e motra e mori në Durrës, duke i thënë babës që duhet të përkujdesej për të. Ne ishim tre vëllezër dhe babai e nuk mund të kujdeseshim për të siç duhej. Nga ana tjetër, tezja kishte dy vajza të rritura, pra të treja mund t’i shërbenin më mirë. Por është edhe një fakt tjetër, ime më kishte ardhur e vogël në derën e tezes e nga ajo derë kishte dalë edhe nuse. Ajo në Durrës u nda nga jeta e po në Durrës unë kam varrin e nënës. Unë më pas erdha në Durrës edhe si amanet i lënë me gojë nga nëna ime. Unë u rrita në familjen e tezes që në ato vite kishte një ekonomi të mirë, kishin fëmijë të rritur që punonin të gjithë. Vetë tezja, pra mama, hyri në punë, meqë më kishte dhe mua mbi kurriz. Kam qenë pra fëmijë me fat, edhe krahasuar me vëllezërit e mi. Edhe imë vëlla, i madhi, u adaptua nga halla që nuk kishte fëmijë. Ai më pas u shkollua dhe si akademik është bashkautor i fjalorit shqip-shqip.

Keni ndonjë kujtim nga rinia juaj e hershme?

Kujtoj me nostalgji, kur them që isha me fat, kujtoj që isha nga të paktit që në vit të dytë gjimnaz kam shkuar me kostum, për të cilin u ble copa 2400 lekë metri, bashkëmoshatarët e mi e kujtojnë se sa i shtrenjtë ishte ky çmim për atë kohë. Por nuk kam qënë natyrë që e kam shpërdoruar paranë. Po ju tregoj një episod. Në fillim kam filluar leksione në piano me Feim Ibrahimin, që ka qenë në Durrës në atë kohë. Studiova një vit. Më pas hyra për violinë me leksione në klasën e tretë në kurse jashtëshkollore, më pas u angazhova edhe me shtëpinë e pionierit. Vjen në Durrës cirku kombëtar, qëlloi në periudhën që në Durrës zhvillohej edhe festivali i këngës e të gjitha trupat artistike ishin përqendruar tek festivali. Unë kisha kohë që e kisha lënë violinën, ishte viti i parë i shkollës së mesme. Më thërret profesori im bashkë me një shok që sot është mjek. Na tha se kishin kërkuar disa violina e po të angazhoheshim me ta do të kishim honorarë. Për një muaj marr një rrogë 7250 lekë, shumë e lartë atëherë, për një fëmijë. Siç e mora, shkoj të baba, burri i tezes, që për mua ishte si baba. E thërrisnim lale. I dorëzoj të gjitha lekët që kisha fituar, hapi kuletën e i futi brenda. Më pas më tregoi tezja, mama, se i ishte bërë shumë qejfi. E pyeta se përse. “Sepse baba tha që shyqyr që Xhelali është kalamo i mbarë!”-më tha mama. Pak kohë më pas, baba nxori kuletën e më numëroi 10 mijë lekë në dorë: “7250 lekë janë të tuat, të tjerat t’i kam shti unë. Shko ble copën të qepësh një kostum.”

Po me aktrimin si u afruat?

Por ishte pjesëmarrja ime në një dramë për fëmijë me regji të Kadri Pirros së ndjerë, që më ndezi dëshirën për t’u bërë aktor. Të mesmen e kam bërë në shkollë profesionale, mekanike. Ideja e prindërve ishte që gjithsesi të kisha një formim profesional. Dhe kur u bënë kërkesat për në shkollën e lartë, pritej nga unë që të kërkoja të paktën një fakultet të kësaj fushe, ndoshta inxhinieri. Por unë tek të tre opsionet shkrova Art Dramatik. Drejtori i arsimit u habit dhe më thirri, se ishim komshi. “Si ka mundësi, ti ke mbaruar mekanike. Pse dramë?”-më tha i shqetësuar. “Sepse ashtu dua!”-ju përgjigja prerë.

Më pas filluat studimet?

Jo menjëherë, atë vit nuk më doli e drejta e studimit. Kam punuar një vit në kantierin detar në Durrës. I bën mirë njeriut ndonjëherë edhe kjo lloj eksperience. Ndërton raporte me njerëzit që ndryshe nuk i ka. Pas një viti konkurrova dhe vazhdova studimet. Pas tyre, u emërova në Durrës.

Ju ishit nga Tirana me origjinë, pse nuk ndenjët në Tiranë?

Ah, ka një histori interesante lidhur me këtë. Mua m’u vonuan dokumentet në Durrës e në fillim nuk e dija se përse. Në një nga netët e provave të një pjese që kishim vënë me kursin e vitit të fundit, “Këneta” quhej. Ishte mesnatë dhe me disa shokë vendosëm të përcillnim kryetarin e degës së dramës, regjisorin, Esat Oktrova që ishte një burrë i jashtëzakonshëm. Ishim bashkë unë, Pirro Kita, Kastriot Çaushi,  Sokol Angjeli, Guri Koço. Rrugës diskutohej problemi i emërimeve, ishim në ethe. Guri Koço dhe Pirro Kita nga Korça, nuk dihej a do të shkonin në qytetin e tyre, Kastriot Çaushi ishte nga Tepelena por ndërkohë kishte xhaxhain në Tiranë e mund të qëndronte aty. Sokol Angjeli priste nga Teatri Popullor se ishte nga Tirana. Unë vija nga Durrësi, nga ku kishte disa vite që nuk dilnin studentë drame dhe plus kësaj Durrësi kishte nevoja. Profesor Esati më pyeti se unë ku doja të shkoja. I thashë se sigurisht në Durrës. “Po ti a je Tafaj? Janë interesuar institucionet dhe është dhënë OK që ti të jesh në Tiranë regjisor në Teatrin e Operës dhe Baletit”-më tha ai me habi. “Unë regjisor në Tiranë? Unë kam ardh nga Durrësi e dua të kthehem po aty!.”-ju përgjigja. “Paskam qenë duke të të prishur punë!”-më tha profesor Esati. Pra në 1976 fillova punë, mes disa muaj vonesë.

E kujtoni rolin tuaj të parë?

“Dështimi i një kryqëzate” quhej drama, pjesë që evokonte prishjen e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik. Pata fatin që të niste karriera me një rol të parë që u vlerësua edhe në festivalin teatror. Më pas vijoi karriera ime dhe shumë shpejt erdhi radha e kinematografisë.

Roli i parë në film?

Tek filmi “Tomka dhe Shokët e tij” i regjisores Xhamfize Keko. Rol i plotë sepse episodik është ndoshta ai tek “Tinguj për violinë” që u xhirua në Durrës.

Është një kuriozitet në lidhje me karrierën time në film, sepse më kanë piketuar gjithmonë vetë, unë nuk kam kaluar asnjë kinoprovë, kam qenë zgjedhje e regjisorëve. Madje, hahaha, ka pas raste kur kam bërë kinoprova e nuk kam fituar rolin.

Çfarë kujton nga filmi juaj i parë?

Aty kam hasur vështirësinë e parë. Ishte filmi im i parë, kontakti me kamerën do një lloj përvoje. Por vështirësia më e madhe ishin fëmijët, ata të hudhin tuç në tokë, të marrin shpirtin për zotin, sepse janë organikë, janë në botën e tyre, janë origjinalë. Aktori mendohet shumë, fillon pozicionohet, tkurret. Unë në natyrën time, jam përpjekur gjithmonë, edhe në teatër, të mos fryhem, të jem sa më realist në atë që bëj. Nuk kaloi shumë dhe vijoi dhe roli i dytë falë regjisorit Hysen Hakani. Isha përzgjedhja e tij, pas festivalit të parë të teatrove, për filmin “Mysafiri”.

Por rolet tuaja në filma nuk kanë qenë shumë, pse?

Sepse gjatë kësaj kohe unë u fejova. Isha i ri, vetëm 25 vjeçar. Në jetë çdo gjë është fat.

Me dashuri u gjetët?

Për të piketuar e pata piketuar vetë. Ajo punonte tek PTT-ja në Durrës. E shikoj dhe i them shokut të ngushtë: “Kush është morë kjo? Qnka alamet femre..” Shoku më tregoi se familja e saj ishin komshi me aktoren e njohur, Aishe Stari. Pas një drame, Aisha na ngacmoi, si djem të rinj që ishim, a kishim ndonjë vajzë. I them se cila më pëlqente. Me humor ju tregoj se Aishes i ka ecur shumë me shkuesitë, ka fejuar disa veta si Fadil Hasën p.sh, me sukses hahahaha. Aishe Stari menjëherë mori rrugën për nga familja ime ta bisedonte këtë punë. Kjo ishte pikënisja e kësaj pune. Duke u fejuar në një moshë të re, lidhja me kinemanë, që pat nisur mbarë, u ngadalësua sepse filluan të tjera përgjegjësi. Kam refuzuar shumë role. Por ana tjetër e medaljes është që e kam dasht më fort teatrin. Këtë ma thonë dhe shumë kolegë të mitë. Është ajo lidhje e famshme me spektatorin, marrëdhënie. Jep e merr emocion, gjë që filmi nuk ta jep.

Por filmi të bën më të njohur...

Po e vërtetë, edhe sot publiku është shumë i dhënë pas filmit shqiptar të atyre viteve. Pavarësisht se prodhohen filma të rinj. E njëjta gjë ndodh me teatrin. Ka pasur tjetër interes dikur.

Ju keni qenë edhe aktor për 35 vite në teatër por edhe drejtues institucionesh kulturore. Pse mendoni se ndodh kjo?

Në ato vite, në atë regjim që ishte, ka pasur një vëmendje maksimale ndaj artit, se konsiderohej propagandë, levë e rëndësishme. Veçanërisht teatri se kishte fjalën direkte me spektatorin. Nga kjo rridhte dhe shpërblimi. Aktori kishte 9000 lekë pagë e ju tregoj absurdin tjetër, drejtuesi merrte më pak. Pra shikoni sa rëndësi kishte. Pra kishte vëmendje, por kishte rezultat, pavarësisht nga çfarë shkruhej. Puna bëhej punë, i bëhej hyzmeti rolit deri në fund. Sot mungon kjo vëmendje e shtetit. Arti vjen i fundit. Arrihet deri aty sa të heqin nga puna për arsye politike.

Rasti juaj ka bërë bujë, edhe në media, ju u larguat nga puna në 2011, bashkë me djalin tuaj...si e keni përjetuar?

Pas viteve ’90 ne kishim mbetur vetëm tre aktorë në teatrin e Durrësit, me dëshirën që ta mbanim në këmbë atë teatër. Edhe sot është i vetmi institucion i kulturës që funksionon në Durrës. Largimin e përjetova shumë edhe emocionalisht. Pas 35 vitesh punë, një vit pasi dekorohem nga Presidenti i Republikës, unë hiqem nga puna, pasi me thonj, bashkë me kolegët e mbajtëm këtë teatër në këmbë. Në takimin e fundit që pata, ja shpreha dhe atij që më largoi nga puna: “Më ke fyer deri në palcë. më ke dëmtuar ekonomikisht. Unë e kuptoj që ty nuk të hyn gjë në këmbë nga kjo që ke bërë. Por mos mendo se më ke ulur dinjitetin dhe vlerat. Ato nuk mi merr dot.”

A ke një rol të preferuar?

Me vitet në teatër fillon piqesh, çdo rol sjell një shkallë më lart. Madje në vitet e fundit kam luajtur edhe komedi. Madje kujtoj që ka qenë një propozim i Ema Andreas e cila më tha se përse nuk provoja në komedi. Në 2007 pata një problem me shëndetin, kalova një ishemi cerebrale. Falë zotit e kalova pa shumë probleme dhe kërkova të ngjitesha përsëri në skenë dhe roli i parë ishte një rol i lodhshëm, por ndër rolet e mira të miat.

Interesante tek ju, vajza Romina është violiniste siç ju ishit, djali aktor siç ju jeni...

Vajzën e shtymë ne të bëhej violiniste dhe ajo vazhdoi. Djalin e kapi ndryshimi i sistemeve dhe viti i mbrapshtë ’97. Një brez me plagë të thella dhe mangësi në shkollë. E kishim merak se ku do të studionte. Menduam në fillim të shkonte në Akademinë e Sporteve, për volejboll. Filloi përgatitjet, me shumë vullnet dhe mori normat për habinë tonë. Por në atë vit, ishte vit zgjedhor dhe djali im u bë kurban i angazhimit tim politik pranë një kandidati për deputet të PD-së. Ma dogjën djalin pavarësisht se i mori normat. Erdhi një moment që më kërkoi të konkurronte për aktor. Mua nuk ma mbushte mendjen. Me humor më thoshte që çfarë kisha lënë mangut unë, do e bënte ai. Pas shumë përpjekjesh dhe ndihmës së madhe të kolegëve, pedagogëve, Ermira Gjatës, Sokol Angjelit, Petrit Malajt dhe veçanërisht të profesorit tim e më pas të tim biri, Birçe Hasko, ai pati një ngritje në përgatitje dhe ma mbushi mendjen edhe mua.

Kush është magjia që merr aktori?

Kam filluar ta ndjek teatrin që kur është bërë godina e re e teatrit të Durrësit, që në 1964, nuk kam lënë shfaqje pa parë. Që në mëngjes do prisnim biletën e në darkë do përgatiteshim që nga veshja hekurosja. Një ndjesi vërtetë magji, si spektator, me fytyrën nga skena: “A do të arrij unë vallë të bëhem kështu?”

Vjen më pas magjia tjetër, spektatori. Për mua magjia është spektatori. Mendoj për çdo aktor që është i përkushtuar kjo është magjia. Pra magjia është syri i spektatorit, që të përpin, edhe pse je lart e nuk e shikon në errësirë, ti e ndjen që është aty. Edhe sot që po bëjmë këtë bisedë, e unë jam në prag të pensionit, po të më jepet mundësia, unë vrapoj në skenë. Janë 6 vjet që nuk dal më në skenë, as si i jashtëm. Xhelali u bë delja e zezë e skenës ku ka lënë 35 vite të jetës.

 

 

 

 

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: