Vijnë FBI dhe ekspertët gjermanë për kapjen e kriminelëve, Xhafaj: Duhet të rifitojmë besimin e qytetarëve

Vijnë FBI dhe ekspertët gjermanë për kapjen e kriminelëve, Xhafaj: Duhet të rifitojmë besimin e qytetarëve
Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj gjatë një takimi me punonjës policie, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri i vendit Edi Rama, tha se ata punonjës policie që e shikojnë detyrën për interesa personale apo për interesa të paligjshme dhe kriminale, duhet të largohet.

Ministri theksoi se besimi i policisë tek qytetarët është lëkundur me ngjarjet e muajve të fundit, duke paralajmëruar se në fillim të nëntorit vijnë ekspertët të FBI-së dhe gjermanë për të goditur grupet kriminale veçanërisht të trafikut të drogës.

Nuk mundet ta ushtroni këtë përgjegjësi dhe nuk përmbushni objektivat nëse nuk jeni të ndërgjegjshëm se çfarë përfaqësoni. Ata që shërbejnë në këtë detyrë duhet të jenë më së pari persona me integritet personal. Të punosh për të ruajtur jetën dhe pasurinë e qytetarëve të vendit tënd është një punë e vështirë, e cila shkon deri në sakrifikimin e jetës. Nëse dikush nuk e shikon kështu, por si mjetin për interesa të paligjshme apo më keq, për interesa kriminale është më mirë të largohet nga kjo organizatë. Unë i kam mëshuar fort Vettingut në polici,” – theksoi Xhafaj.

Ky proces synon të pastrojë njerëzit nga policët e korruptuar. Jam shumë i gëzuar që ky projekt ka marrë mbështetje të gjerë nga vetë policia. Procesi i Vettingut synon të promovojë dhe të nxjerrë në dritë të gjithë ata djem dhe vajza, burra dhe gra të ndershëm. Ne do të mbështesim me këtë grup profesionistësh për të rikonfirmuar besimin e qytetarëve tek policia e shtetit, besim i cili është lëkundur nga ngjarjet e muajve të fundit” – vijoi më tej ministri i Brendshëm.

E vetmja ambicie e imja, nënvizoi Xhafaj , në këtë detyrë është një Shqipëri më e sigurt, ku nuk kultivohet kanabis, pa krim të organizuar dhe grupe kriminale dhe ku mbi të gjitha parandalojmë futjen e të rinjve në grupet kriminale.

Jemi duke arritur një sërë rezultatesh edhe në luftën kundër narkotikëve. Rezultatet në këtë fushë janë ndër të tjera edhe meritë e punës në ekip dhe në mënyrë të veçantë nga drejtuesit e rinj të policisë në qarqe. Në fillim të nëntorit do të vendosen këtu në ministri ekspertë të FBI dhe ata gjermanë dhe në vijim edhe nga vende të tjera partnere për të na ndihmuar për kapjen e drejtuesve të organizatave kriminale kryesisht atyre në fushën e trafikut të drogës”.

/a.m/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: