Vendorët, ende të varur nga pushteti i “qendrës”

Vendorët, ende të varur nga pushteti i “qendrës”
Që nga nisja e aplikimit të reformës së re administrative-territoriale dhe deri tani, bashkitë ende paraqesin problematika në administrimin e tyre

***

Pushteti vendor në Shqipëri, duket se ende nuk e ka fituar pavarësinë e tij nga ai qendror. Ndërsa vazhdon të paraqesë probleme të cilat kanë të bëjnë jo vetëm me shërbimet që u ofron qytetarëve, por edhe me të ardhurat që ai siguron dhe mënyrën e shpërndarjes së tyre. Një fakt i tillë citohet në një studim të kryer mbi qeverisjen vendore, që nga nisja e zbatimit të reformës administrativo-territoriale në rang vendi. “Pothuajse të gjitha bashkitë kanë demonstruar një nivel të ulët pavarësie nga qeveria qendrore. Këto të dhëna tregojnë një paaftësi shqetësuese të qeverive vendore për të gjeneruar të ardhura dhe për të garantuar autonomi fiskale”, citon saktësisht studimi “Vlerësimi Mbarëkombëtar i Situatës së Qeverisjes Vendore në Shqipëri”, në kuadrin e projektit STAR 2. Duke detajuar më tej sepërsa i përket mbledhjes së të ardhurave vendore, një në tre bashki, ose 19 prej tyre në total janë vlerësuar “shumë keq” ose “keq”. “Bashkitë me performancën më të ulët janë ajo e Hasit, e Këlcyrës, e Tepelenës dhe e Bulqizës, nën nivelin prej 19%”, thuhet më tej. Ndërsa Rrogozhina dhe Roskoveci e kanë performancën të mirë, deri në 64%, kurse më të mirën e ka Tirana me nivelin prej 88%. Për të treguar në këtë mënyrë se mjaft bashki në rang vendi vuajnë ende nga paaftësia jo vetëm për të gjeneruar para’, por në të njëjtën kohë edhe për t’i shpërndarë siç duhet ato. Duke shtuar më tej faktin se “edhe pse sistemet e planifikimit dhe të ofrimit të shërbimeve kanë nisur të rrënjosen nëpër bashki, cilësia e shërbimeve publike ende nuk ka arritur në nivelet e parashikuara”. Ndërsa një çështje tjetër shqetësuese sipas tij mbetet edhe angazhimi tepër i ulët qytetar në proceset demokratike që kryejnë institucionet vendore si të tilla.

“Pothuajse të gjitha bashkitë kanë demonstruar një nivel të ulët pavarësie nga qeveria qendrore. Tregojnë një paaftësi shqetësuese të qeverive vendore për të gjeneruar të ardhura dhe për të garantuar autonomi fiskale”, citon studimi “Vlerësimi Mbarëkombëtar i Situatës së Qeverisjes Vendore në Shqipëri”, 

 

Vetëm 39 bashki raportohet se punojnë me një nivel mesatar

“Nga rezultatet e Barometrit të Qeverisjes Vendore në Shqipëri rezulton se në lidhje me katër kriteret e qeverisjes vendore, vetëm 64% e bashkive ose 39 e tyre në rang vendi operojnë në një nivel mesatar”. Ky është një tjetër rezultat që raportohet nga studimi që ka intervistuar plot 12 mijë qytetarëve në 61 bashkitë e vendit. Për të kaluar më tej në detaje siç është ai i planifikimit, rreth të cilit thuhet që  bashkitë nuk duket se kanë një vizion të qartë për zhvillimin e tyre të ardhshëm. “Por edhe kur e kanë një plan, ato shpesh nuk duket të jenë forca udhëheqëse e veprimeve dhe qëllimeve të tyre të zhvillimit”, citohet nga ekspertët ndërkombëtarë të angazhuar në Shqipëri mbi konsolidimin e reformës administrative dhe territoriale, të cilët kanë hartuar studimin e lartpërmendur, si OKB, BE etj. Për të vijuar më tej me dukurinë e shërbimeve që u ofrohen qytetarëve nga bashkitë, për të cilën thuhet se ato ende janë të një niveli që ata nuk duket se i kënaq, edhe pse paraqitet pozitiv. “Në nivel të përgjithshëm, kënaqësia ndaj shërbimeve publike është mbi mesataren për rreth 80% të bashkive dhe në rang mesatar për 20%-shin e mbetur”, argumentohet më tej. Për të bërë në fakt dallimin se ajo që e bën cilësinë e shërbimeve të pakënaqshme është pikërisht krahasimi i përfitimit të tyre në zonat urbane dhe ato rurale, i cili paraqet dallime për to. Nga ana tjetër, referuar llogarisë që bashkitë u japin qytetarëve të tyre, konkretisht letrave apo ankesave që ata paraqesin, raportohet se 50% e tyre, ose 31 në numër, mbeten poshtë pragut, duke nënkuptuar se në tërësi e kanë shumë të ulët nivelin e llogaridhënies ndaj komunitetit.

“Shqipëria duhet që të eliminojë mangësitë në qeverisjen vendore. Sepse pavarësisht përpjekjeve të saj që nga nisja e reformës paraqiten prova për hendeqet që ekzistojnë në planifikimin vendor, decentralizimin fiskal etj”, cilëson raporti.

 

Korrupsioni nëpër bashki, qytetarët: Ja institucionet që janë më problematike

Qytetarët shqiptarë e pranojnë ekzistencën e dukurisë së korrupsionit në bashkitë e vendit. Kështu, sipas studimit të lartpërmendur ata japin shifrën deri në 50% të ekzistencës së tij gjatë veprimtarisë së përditshme të një bashkie, ose “pak mbi mesataren”. “Rreth 37 bashki në rang vendi, nuk e kapin pragun minimal, ndërsa dy bashkitë ku niveli i perceptimit të korrupsionit është më i ulët janë Libohova dhe Dibra”, citon ai. Teksa saktëson më tej qytetarët raportojnë që strukturat kryesore problematike vendore me të cilët ata përballen janë pikërisht Inspektoriati i Ndërtimit, Policia Bashkiake, Zyra e Planifikimit Urban dhe Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve”. “Shumë prej tyre kanë nënkuptuar në përgjigjet e tyre se kanë dhënë edhe ryshfet për të përfituar një shërbim të tyre”, është një tjetër citim që jepet nga ekspertët ndërkombëtarë lidhur me këtë çështje. Për të prekur nga ana tjetër edhe çështjen e pjesëmarrjes dhe angazhimit të tyre në tërësi në vendimmarrje, për të cilën thonë se niveli i saj është vetëm 50%. E thënë ndryshe, vetëm 1 në 2 qytetarë është i angazhuar në punët e komunitetit ku bën pjesë. “Shumë pak qytetarë të bashkive figurojnë se janë anëtarë të ndonjë partie politike, sindikate apo organizate joqeveritare, vetëm 35% të tyre”, thuhet më tej. Për të përfunduar se kriteri i transparencës së ofruar nga bashkitë aktualisht në Shqipëri vlerësohet të jetë në nivelin prej 55% të totalit të tyre.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: