Shqipëria tani do ketë 8 pakica kombëtare, çfarë po ndryshon

Shqipëria tani do ketë 8 pakica  kombëtare, çfarë po ndryshon
Eglantina Nasi

Shqipëria, duke nisur që nga sot, ka të zyrtarizuara jo pak, por plot tetë pakica kombëtare: greke, maqedonase, arumune, rome-egjiptiane, malazeze, boshnjake, serbe, bullgare. Një realitet i ri ky për vendin tonë, pas votimit në parlament të ligjit të ri “Për mbrojtjen e pakicave kombëtare” e që është shoqëruar me reagime të ndryshme dhe në arenën rajonale. Mjafton të përmendim këtu, deklaratën e kryediplomates bullgare, Ekaterina Zaharіeva, e cila pasi ka pohuar se ky akt sipas saj, është rezultat і ѕhumë рërрјekјeve, shkoi edhe më tej, duke falënderuar “komunіtetіn bullgar рër këtë, ѕe рër сa dіtë u mblodhën 3000 nënѕhkrіme”. “Në nјë ѕhtet demokratіk, ëѕhtë me rëndëѕі që nјerëzіt të moѕ рengohen të vetëіdentі-fіkohen”, - theksoi Zaharіeva. Duke mbështetur në këtë mënyrë, pikërisht nenin 5 të ligjit, i cili legjitimon të drejtën e vetëidentifikimit si të tillë. “Çdo person ka të drejtë të deklarojë përkatësinë në një pakicë kombëtare bazuar në të drejtën e vetëidentifikimit...”, citon ai. E thënë ndryshe, çdo person në Shqipëri, tashmë e ka të drejtën të pohojë se mund t’i përkasë një pakice të caktuar kombëtare. Por ajo që vlen të thuhet, është se vështirësia qëndron pikërisht në vërtetimin e kësaj prej institucioneve përkatëse. Për të mos patur ngritje apo ulje shifrash fiktive të njërës apo tjetrës pakicë si të tillë. Madje pala bullgare shkon edhe më tej, teksa pretendon se njohјa e рakісëѕ së saj në Ѕhqірërі duhej të kishte ndodhur prej kohësh. “Pas 104 vitesh, Shqipëria e njohu bashkësinë etnike bullgare”, ka komentuar lidhur me një fakt të tillë vetë kryeministri bullgar, Bojko Borisov. Nga ana tjetër, edhe përfaqësues të lartë të shtetit grek janë prononcuar në lidhje me ligjin e ri të pakicave kombëtare në Shqipëri. “Në vend që të garantojë të drejtat e pakicave në vend, bazuar në standardet europiane, projektligji që votoi Parlamenti shqiptar mbi mbrojtjen e minoriteteve përjetëson abuzimet e regjimit të Enver Hoxhës. Ky është një hap përpara për pakicat reale dhe joekzistuese dhe një hap prapa për minoritetin kryesor dhe ekzistues të Shqipërisë”, ka thënë saktësisht, zëdhënësi i ministrisë së Jashtme greke, Aleksandros Gjenimatas, i pyetur nga gazetarët lidhur me këtë çështje. Kurse vetë Presidenti grek, Prokopis Pavlopoulos ka pohuar se “me sjellje të një aventurizmi ndërkombëtar, si ato që po shohim së fundmi të shtohen mes Tiranës dhe Prishtinës, të cilat janë sjellje të shkeljes brutale të të drejtave të njeriut, si dhe ato që po ndodhin me minoritetet ose me të drejtën e tyre të pronësisë, Shqipëria për fat të keq po dëmton procesin e anëtarësimit dhe kjo është përgjegjësia e saj”. “Megjithatë, ne nuk do të mbetemi inaktivë ndaj sjelljeve të tilla. Ne i detyrohemi Greqisë dhe Europës”, ka shtuar ai.

 

RISIA

Arumunët: Të mos quhemi më “vllahë”, bullgarët nuk kanë qenë ndonjëherë pakicë

Të ndryshohet emërtesa “vllahe-arumune” në “arumune”, pasi emërtesa “vllahe” nuk është një term shkencor, por referim lokalist i origjinës e në gjithë terminologjinë bashkëkohore, për këtë minoritet përdoret vetëm termi “arumun”. Ky ka qenë pretendimi kryesor që përfaqësues të pakicës kombëtare arumune kanë paraqitur gjatë diskutimeve në Kuvend të ligjit të ri. Teksa nga ana tjetër, janë shprehur posaçërisht për “Albanian Free Press” se pretendimi i pakicës bullgare për t’u cilësuar si e tillë, është shfaqur vetëm vitet e fundit. “Ata deri tani nuk kanë qenë fare as pjesë e Komitetit të Minoriteteve”, janë shprehur ata.

 

DEBATI

Tani pakica kombëtare, edhe ato etno-gjuhësore

Disa prej tyre, deri më tani janë cilësuar si pakica “etno-gjuhësore”, por tashmë me ligjin e ri kanë marrë statusin e pakicës kombëtare”. Kjo është një ndër risitë kryesore të ligjit të ri “Për mbrojtjen e pakicave kombëtare” dhe që ka krijuar realitetin e ri të tyre në vend. “Në ligj nuk bëhen më ndarje apo dallime midis pakicave kombëtare dhe pakicave etno-gjuhësore, që de facto konsiderohet ndarje e pranuar nga shteti shqiptar, e referuar praktikisht edhe në dokumente dhe në informacione zyrtare. Bazuar edhe në rekomandimet e Komitetit Këshillimor të Konventës Kuadër, ligji nuk parashikon më një dallim të tillë, duke bërë rregullimin e pakicave kombëtare, vetëm sipas kritereve të paraqitura në ligj”, sqarohet në relacionin e hartuar nga deputetët lidhur me këtë situatë të re ligjore sa u përket pakicave në Shqipëri.

 

RAPORTI

Mbi 20% e një zone si pakicë, gjuhë e simbole

“Në bashkitë ku personat, që u përkasin pakicave kombëtare, banojnë tradicionalisht dhe përbëjnë mbi 20% të numrit të përgjithshëm të popullsisë së saj, krijohen kushtet, për aq sa është e mundur, për përdorimin e gjuhës së pakicës në marrëdhëniet ndërmjet personave që u përkasin atyre dhe këtyre organeve”. Ky është një tjetër nen interesant i këtij ligji, i cili përcakton kriterin bazë për përdorimin e gjuhës së pakicës. Duke shtuar se në të tilla bashki, me vendim të këshillave bashkiakë, kur ka një kërkesë të mjaftueshme prej tyre, emërtimet e njësive administrative përkatëse, të rrugëve dhe të treguesve të tjerë topografikë, krahas gjuhës shqipe, shfaqen dhe në gjuhën e pakicës përkatëse, sipas parashikimeve ligjore për vetëqeverisjen vendore. Por ndërkaq, kjo shifër, gjatë debateve parlamentare, u kërkua që të shtohej deri në 50%.

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: