“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Saimir Tahiri qetëson deputetët: Paratë do t’i gëzoni! Vrapo o popull, të bësh lotarinë amerikane!

“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Saimir Tahiri qetëson deputetët: Paratë do t’i gëzoni! Vrapo o popull, të bësh lotarinë amerikane!
"Antena Jashtë Familjes" sjell sot, ngjarjen që më ndodhi në Kuvendin e Shqipërisë. Pa u zgjatur, po sjell atë që dëgjova me veshët e mi, nga bashkëbisedimi i disa deputetëve, në korridorin e ndërtesës, teksa pritej që në Kuvend të diskutohej heqja e mandatit të shokut Saimir Tahiri:

Fatmir Xhafaj: Saimir, mos u mërzit! Do kalojë! Siç na mëson materializmi dialektik, gjithçka është relative, asgjë nuk është absolute në këtë dynja.

Saimir Tahiri: Ashtu thua ti Fatmir, të mos mërzitem, por nuk mund të rri i qetë. Është e paimagjinueshme për mua. Unë nuk kam pasur probleme me policinë italiane kur isha student atje, e të kem tani që jam këtu.

Fatmir Xhafaj: Ore, lëri këto me mua, se të njoh mirë që student! Nuk më thua, sa për qind të fitimeve të jepnin ata ty?

Saimir Tahiri: Kush më jepte? Për kë e ke llafin?

Fatmir Xhafaj: Mos më bëj të paditurin, ti mua! Nuk jemi përpara gazetarëve, neve këtu. Sa për qind të fitimit të jepnin kushërinjtë, të pyeta?

Saimir Tahiri: Nuk e kisha lënë muhabetin me përqindje. Ju kisha thënë, më jepni sa të doni dhe kaq. I kisha kushërinj. S'mund t'u kërkoja përqindje.

Fatmir Xhafaj: Vallahi, gabim ke bërë. Edhe vëlla ta kishe, duhet t'i bëje pazar përpara. Siç thotë edhe populli ynë: Vëllazëria, vëllazëri, paraja të vejë dhe të vijë!

Monika Kryemadhi: Eeee, këto gjëra me vëllazëri i di mirë ti Fatmir.

Fatmir Xhafaj: Ti Monika i kërkon përqindjen Ilirit, jo më kushërinjve dhe vëllezërve.

Monika: Ta pret mendja, mirë bëj! Nejse, ti Saimir qetësohu!

Fatmir Xhafaj: Saime, qetësohu! Mbaje veten. Kështu e ka politika, njëri ha, tjetri e ha.

Taulant Balla: Po ç'tu desh të merreshe me drogë, o Saime?

Saimir Tahiri: Për të mirën e partisë u mora, ti e di.

Monika Kryemadhi: Partia të ha, Saime. Të thashë, në vend të hashashit të mbillje shafran, por nuk më dëgjove.

Saimir Tahiri: E vërtetë që më ka thënë, t'u thosha fshatarëve që të mbillnin shafran. Kam bërë shumë gabim që nuk të dëgjova. Mendova se ma kishe "me të futme", meqë Iliri, bashkëshorti yt, kishte krijuar marrëdhënie të mira me Erion Veliajn.

Monika Kryemadhi: Marrëdhëniet e mira me Erionin i ka Iliri, jo unë. Po të më dëgjoje mua e fshatarët të mbillnin shafran, tani do t’ishe rehat. Ta kam thënë te ai lokali...

Saimir Tahiri: Nuk mbaj mend ku ma ke thënë, në fakt.

Monika Kryemadhi: Nuk ke faj. Edhe Iliri im s'mbante shumë mend kur i ndodhi ajo ngjarja me të ndjerin Dritan Prifti. I thosha: Çfarë ke bërë me Priftin? Asgjë s'kam bërë - më thoshte, - të betohem. Unë jam bektashi, ç'punë kam me priftërinjtë!"

Fatmir Mediu: Saime, mos u mërzit! Çudia më e madhe tre ditë zgjat. A do të të sjellë ndonjë këngëtar, të ta heqë mërzinë? Të këndojë këngë të gëzueshme për ty. Po deshe edhe këngë melankolike, por ato kushtojnë më shumë. Mua kur më ndodhi ajo ngjarja e papëlqyeshme e Gërdecit, kështu bëra. Mërzinë e hoqa me këngë melankolike.

Taulant Balla: Saime, ti e di sa s'të dua unë ty. Mos u mërzit! Jo se mërzitem unë, se s'më plas shumë për ty. Por, të paktën, mos trego që je i mërzitur përpara kamerave. A të thosha që të ikje nga ministër e të më lije mua të vija në vendin tënd? S'më dëgjove! Mbaje tani! Kështu ndodh kur nuk më dëgjojnë. Ndërsa ti Monika rri, mos fol! Ti ke ikur nga tepsia jonë. I zgjidhim vetë këto gjëra. Meqë je këtu, desha të të pyes.

Monika: Po, më pyet Lanti!

Taulant Balla: Për atë shafranin që i kishe thënë Saimirit. Desha të dija, sa i gjatë bëhet? A e ka trungun e trashë? D.m.th., sa metra kub lëndë drusore mund të nxirret prej saj?

Monika Kryemadhi: Po shafrani nuk është pemë, mor Lanti.

Taulant Balla: Po çfarë është atëherë? Gur, nga guroret e tua?

Monika Kryemadhi: Guroreve të mia ju marsh të keqen ti, dëgjove! Shiko ato trungjet e tu ti, atë bëj! Që nëse t'i kapin në Itali, të fusin në trung...

Taulant Balla: Ishallah s'i kapin. Boo, po m'i kapën, e hëngra!

Saimir Tahiri: Qetësohu Taulant, mbase ti nuk e ke atë fat. Qetësohu edhe ti, Monika!

Fatmir Mediu: Mua të ziut që po u rihap dosja e Gërdecit. Boooo, e hëngra unë dhe Shkëlzeni i Saliut!

Saimir Tahiri: Qetësohu, o Fatmir!

Fatmir Xhafaj: Unë i qetë jam. Ç'punë kam unë, ç'bën vëllai im.

Saimir Tahiri: I thashë Fatmir Mediut, jo ty o Fatmir.

(Ndërkohë në Kuvend, po bëhej një zallamahi e madhe. Futa kokën dhe pashë që me dhjetëra deputetë kishin vendosur duart në kokë dhe thoshin: "Boooo, e hëngra po u zbulova!". Pas meje ndjej një dorë që më shtyti që të ikja nga dera. Ishte Saimir Tahiri që u fut brenda dhe filloi t'ju bërtiste; Po qetësohuni, o dermanër! Asgjë e keqe s'do t’ju ndodhë. Ti popull, mos rri, por vrapo të bësh lotarinë amerikane!

Dola nga Kuvendi duke falënderuar SHBA-të që, siç duket, ndaj rifilloi lotarinë, t'ju japë mundësi të aplikojnë edhe ata që mendonin se ky vend bëhet.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: