Plas debati për Tahirin, Basha kërkon arrestimin

Plas debati për Tahirin, Basha kërkon arrestimin
Rëndohet pozita e ish-ministrit të Brendshëm, pas publikimit të përgjimeve të Moisi Habilajt: Ka bërë 5 milionë euro në një muaj. Opozita kërkon arrestimin. Rama: Nuk tolerojmë këdoqoftë që zgjedh rrugën e krimit. Tahiri “bën autokritikë” për shitjen e makinës dhe heq dorë nga imuniteti parlamentar. Basha: Rama e shiti Tahirin

Implikimi ose jo i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, në trafikun e kanabisit të organizuar nga kushërinjtë e tij, është shndërruar në debat të madh të politikës.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka kërkuar hapur arrestimin e Tahirit, ekstradimin e tij në Itali apo gjykimin në Shqipëri.

“Çfarë pret Edi Rama, ta arrestojë e ta ekstradojë, në mos ta gjykojë këtu Tahirin si një nga kapitenët kryesorë të trafikut të drogës për 4 vitet e kaluara”, ishte apeli i Lulzim Bashës.

Më herët, ka qenë ish-Kryeministri Berisha që foli për ‘mandat ndërkombëtar arresti” për Saimir Tahirin.

Mediat italiane kanë folur për një raport prej 416 faqesh për grupin e trafikut të kanabisit, që çoi në disa arrestime. Mes të cilëve edhe Moisi Habilajn. Në përgjime, në disa raste ka dalë edhe emri i ish-ministrit Tahiri.

“Në një nga këto takime Moisi Habilaj flet për kushëririn e tij politikan duke u shprehur se 30 mijë euro i duhet t’ia japë Saimirit”, shkruan gazeta.

Në bisedën mes të arrestuarve, flitet për 5 milionë euro të “fituara’ nga Tahiri për një muaj, por ende shumë pak në krahasim me 20 milionë që duheshin për fushatën elektorale.

“Është e neveritshme dhe shokuese çka ka dalë prej bisedave të dy kriminelëve!”, shkruan Kryeministri Rama. Në një reagim në rrjetet sociale që, ndonëse me fjalë të mira për ish-ministrin, lë shijen e një “shitjeje” të njeriut që deri një vit më parë ishte i preferuari i tij në kabinet. “Vetë qeveria e re është krijuar për të mos falur e as toleruar këdoqoftë, që zgjedh rrugën e krimit në vend të rrugës së Shqipërisë që duam”, është fjalia që duket si një distancim nga ish-ministri.

Ish-ministri i Brendshëm ka dalë në një konferencë për shtyp për të sqaruar pozicionin e tij në këtë histori.

“Do kërkoj nga prokuroria pa përfituar nga asnjë imunitet parlament të hetohet dhe të verifikohet gjithçka”, tha Tahiri.

Ai nuk ka pranuar implikimin e tij me kriminelët që i cilësoi “kushërinj të brezit të dhjetë” dhe me të cilët “kam bërë një gabim të madh, u kam shitur makinën time personale”.

Përgjimet e trafikantëve dhe përmendjen e emrit të tij, Saimir Tahiri i ka konsideruar “pallavra të dy kriminelëve”.

Pasdite, Lulzim Basha ka bërë një dalje të dytë para mediave, ku ka përmendur denoncimet e opozitës në vite dhe mbrojtjen që Rama i ka bërë Tahirit si “ministri më i suksesshëm”.

“Por sot Rama e shiti Tahirin”, tha Basha, që theksoi se gjithçka është bërë me “bekimin” e Edi Ramës. “Po vjen ora e ballafaqimeve të mëdha”, tha Basha që ka kërkuar një tryezë të partive politike.

Rama paralajmëroi daljen e fakteve të tjera për të tjerë ministra në ditët në vijim.

Vëllezërit Habilaj u denoncuan fillimisht në vitin 2015 nga ish-shefi i antidrogës në Fier, Dritan Zagani, i cili tha se vepronin për llogari të Saimir Tahirit. Por oficeri i policisë u akuzua se “dekonspironte aksionet” dhe u arrestua. Aktualisht ka marrë azil politik në Zvicër, ndërkohë që në Shqipëri Zagani vijon të jetë person i shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: