Pas zgjedhjeve, “vrap” për të marrë kredi

Pas zgjedhjeve, “vrap” për të marrë kredi
Kanë pritur mesa duket që të përfundojnë zgjedhjet e qershorit, për t’u nisur drejt bankave që të marrin kredi. Qofshin biznese, qofshin individë. Të dyja palët rezultojnë se në verën e këtij viti i kanë shtuar kërkesat e tyre pranë bankave për t’u huazuar para’. Dukuri kjo e konstatuar nga vetë Banka e Shqipërisë, sipas së cilës, ajo ka ndodhur në tremujorin e tretë të këtij viti, e cila përkon pikërisht me periudhën e paszgjedhjeve parlamentare, por në të njëjtën kohë, e një “qetësimi” publik pas një krize të zgjatur politike në fillim të vitit. “Kërkesa për kredi në tremujorin e tretë të vitit 2017 u raportua e rritur si për bizneset, ashtu edhe për individët në të gjitha segmentet”, cilësojnë ekspertët e Bankës së Shqipërisë, rreth saj. Për të shtuar më tej se ajo “parashikohet në rritje si për bizneset, ashtu edhe për individët”, gjatë muajve në vazhdim. Gjë e cila përveçse nevojës së shtuar të biznesit për likuiditet, apo të individëve për shtëpi të re, flet mbi të gjitha për një marrje risku përsipër të tyre, me shpresën se gjërat do të rrjedhin më mirë e se do të mund t’i shlyejnë këstet e kredisë. Më në detaje, vrojtimi i bankës qendrore sqaron se sa u përket bizneseve, të gjitha kategoritë e tij u kanë kërkuar bankave kredi, qoftë ai i vogël, i mesëm apo i madh. “Sipas qëllimit të përdorimit, bizneset kanë shfaqur kërkesë më të lartë si për kredinë për kapital qarkullues, ashtu edhe për kredinë për investime”, pohon më tej vrojtimi në fjalë. Për të pohuar në këtë mënyrë faktin se biznesi në Shqipëri për momentin paraqet një nevojë të shtuar për para’, qofshin këto edhe për investime të reja, në mënyrë që të sigurojë ecjen para të tij. Kurse sa u përket individëve, ekspertët bankarë pohojnë se qëllimi kryesor për të cilin ata “trokasin” në dyert e bankave, është një shtëpi, por edhe shpenzimet e ndryshme të konsumit. “Rritja e kërkesës së individëve për kredi në tremujorin e tretë të vitit 2017 është nxitur kryesisht nga rritja e nevojës për financimin e konsumit dhe për financimin e blerjes së banesave”, sqarojnë ekspertët. Për të argumentuar më tej se gjithsesi, zhvillimet e tregut të pasurive të paluajtshme kanë ndikuar negativisht kërkesën për kredi të individëve. E thënë ndryshe, edhe pse ata kanë dashur të marrin një kredi për të blerë shtëpi, ngritjet e çmimeve të tyre, i kanë stepur disi për ta ndërmarrë një hap të tillë.

 

Më lehtë kreditë po i marrin individët

Më lehtë një kredi po e marrin sot individët, sesa bizneset. Kjo pohohet nga vetë Banka e Shqipërisë, në Vrojtimin e Aktivitetit Kreditues për tremujorin e tretë 2017 të së cilës, thuhet saktësisht se “standardet e kredisë janë shtrënguar për bizneset, ndërsa janë lehtësuar për individët”. Ku për këta të fundit, sqarohet më tej se “standardet e kredisë rezultuan të lehtësuara, si në segmentin e kredisë për blerje shtëpie, ashtu edhe për kredinë konsumatore”. Por ku e kanë “lëshuar perin” dhe ku e kanë “tërhequr” atë bankat lidhur me dhënien e kredive? Mesa duket, kur bizneseve u janë dhënë kredi, kjo ka ndodhur sepse të gjitha bankat kanë qenë të pritura për ta bërë këtë. “Faktori kryesor që ndikoi në kahun lehtësues të standardeve të bankave për kredinë dhënë bizneseve është konkurrenca në tregun bankar”, cilëson BSH-ja. Kurse kur bëhet fjalë për rastet kur nuk janë dhënë kredi, arsyeja ka qenë sipas saj, pikërisht e lidhur me rastte e kredive të këqija. Por në të njëjtën kohë, edhe me problemet specifike që shfaq sektori i biznesit. “Kurse sa u përket individëve, faktorët që kanë ndikuar në lehtësimin e kredive ka qenë mjaftueshmëria e kapitalit, niveli i likuiditetit, si edhe konkurrenca në sistemin bankar”, shton BSH-ja.

 

 

BSH: 28% e familjeve shqiptare, e kanë nga një kredi për ta shlyer

“Rreth 28% e familjeve shqiptare deklarojnë se kanë një kredi për të paguar”. Kështu pohon Raporti i Stabilitetit Financiar për këtë vit. I cili shton më tej se “në 38% të rasteve të huamarrjes, familjet shqiptare u janë drejtuar burimeve formale të tilla si banka dhe institucione jobankare”. Kurse në 62% të rasteve, ato u janë drejtuar burimeve joformale, kryesisht në cash. Ku këto të fundit, janë marrjet e parave kryesisht nga miqtë apo të afërmit, për të zgjidhur një nevojë emergjente. Një tendencë kjo që gjithsesi, sipas Bankës së Shqipërisë, po vjen në rënie, teksa bankat e kanë “lëshuar disi dorën” për dhënien e kredive ndaj individëve. Nga ana tjetër, të pyetura për aftësinë e tyre paguese të kredive, familjet debitore kanë pohuar se ajo sa po vjen dhe po përkeqësohet. E thënë ndryshe, e kanë gjithmonë e më të vështirë që ta “lajnë” kredinë.

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: