Kur shtëpia kthehet në konsultore për banorët e zonës

Kur shtëpia kthehet në konsultore për banorët e zonës
Historia e Vjollca Bucit, infermieres nga Rrethasi i Fushë-Çidhenit në Peshkopi, e cila ka thyer në qendër shëndetësore dhe konsultore një pjesë të banesës së saj, për gratë shtatzëna të zonës. Kërkesa e saj ndaj shtetit, për ofrimin e energjisë elektrike, në mënyrë që të kryejë injeksionet dhe serumet, përgjatë orëve të natës

Sonila Isaku

Të kesh pranë një mjek gjinekolog apo një mami në Qarkun e Dibrës, duket së është dëshira më e madhe e të gjithë banorëve, pasi prej vitesh në zonat e Peshkopisë, Burrelit dhe Bulqizës, nuk ka mjek gjinekolog. Për pasojë, lindjet e shumta të grave kryhen nga mamitë apo infermierët e zonës. Në shumë raste, grave shtatzëna iu duhet të udhëtojnë me orë për të shkuar në qendrën shëndetësore më të afërt, ku ofrohet shërbimi shëndetësor, qoftë edhe për të kryer një vizitë.

Por duket se për banoret e Fushë-Çidhenit, pikërisht në fshatin Rrethas, zoti u ka sjellë shpëtimin, pasi Vjollca Buci që është edhe mamia e njësisë administrative Fushë-Çidhën, përveçse punon në qendrën shëndetësore të zonës, ka hapur edhe shtëpinë e saj për të ofruar ndihmë shëndetësore. Prej më shumë se 3 vjet, një pjesë e banesës së saj shërben tashmë si konsultore për gratë  shtatzëna të zonës dhe fëmijët e porsalindur, duke ofruar si shërbimin e vizitës dhe konsultës, ashtu edhe kryerjen e vaksinave. “Ne kemi nevojë për mjek gjinekolog në qytet dhe mjekë të tjerë në fshatra. Shumë herë, shërbimin shëndetësor e ofrojmë në banesat e pacientëve, pasi ata nuk kanë mundësi të vijnë tek ne. Por edhe banorët e fshatit tim, nëse do të kishin një qendër shëndetësore, do t’i prisja aty përgjatë orarit zyrtar edhe më pas mund të shkoja në banesa”, - tregon Vjollca Buci, infermierja e fshatit Rrethas. Sipas saj, mungesa e qendrës shëndetësore në këtë fshat, e ka detyruar të hapë dyert e shtëpisë së saj dhe të ofrojë shërbim shëndetësor. “Nga dita në ditë, kur edhe mjekët e Dibrës filluan të largoheshin, puna e infermierëve po ngarkohej shumë. Më duhej që, në të njëjtën kohë, të isha në dy banesa të ndryshme, sipas kërkesave të pacientëve. Ndaj së bashku me bashkëshortin, vendosa që një pjesë të banesës sonë, ta kthej në mjedis ku mund të ofroj shërbim shëndetësor, kryesisht konsultore për gratë shtatzëna dhe fëmijët”, - pohon Vjollca. Ndërkohë, infermierja nuk ngurron të tregojë edhe peripecitë që ka hasur në jetë me profesionin e saj. “Këtu, njerëzit e shohin mjekun dhe infermierin në dritë të syrit, pasi për një problem që kanë, tek ne vijnë. Por mu desh që, për një kohë të gjatë, të rrija pa punë, pasi më larguan nga vendi i punës, por nuk mund t’u thosha jo, pacientëve të cilët më trokisnin në derë”, - thekson infermierja.

Pas vendimit për kthimin e mjedisit që më herët ka funksionuar si dyqan në oborrin e shtëpisë së saj dhe tashmë është kthyer në Qendër Shëndetësore, Vjollca është në përpjekje e sipër për të gjetur pajisjet e duhura mjekësore, në mënyrë që ky mjedis të funksionojë si konsultore. “Kolegët e mi më kanë ndihmuar që pajisjet të cilat nuk u hynin në punë në qendra të tjera shëndetësore,  t’i sjellin tek unë. Por kërkon edhe disa pajisje dhe mobilje të tjera të specializuara, duke qenë se është konsultore”, - thotë Vjollca. Ndërkohë që drejtori i Qendrës Shëndetësore të Fushë-Çidhënit, Erjol Shehu, pohon se aktualisht po përpiqet të sigurojë një pjesë të këtyre pajisjeve. “Jam munduar të siguroj një pjesë të pajisjeve, por edhe ato që marrim, janë të amortizuara, pasi vijnë nga qendra shëndetësore që janë rikonstruktuar, apo nuk kanë nevojë për to. E mira, në këtë rast, do të ishte të kishim një financim, në mënyrë që të plotësonim kushtet si me pajisje, mobilje, por edhe me medikamente në këtë qendrës shëndetësore”, - pohon Erjol Shehu, Drejtori i Qendrës Shëndetësore në Fushë-Çidhën, njësia administrative ku bën pjesë edhe fshati Rrethas.

E ndërsa Vjollca të tregon me dhjetëra histori, se si u ka shkuar në ndihmë banorëve të zonës, dhe kur tregon për jetën e saj, nuk mund t’i ndalë lotët. Profesioni duket se është edhe jeta e saj.  E mes lotësh tregon përpjekjet dhe ato çka shteti duhet t’i ofrojë. “Të gjitha i sigurova vetë. Vetëm një gjë do të kërkoja nga shteti, të mund të më jepte vetëm një fije energji, ku mund të bëja edhe serumet përgjatë natës apo stinës së dimrit, ku drita e diellit nuk të mjafton”, - thotë mes lotësh Vjollca.

Për Vjollcën, por edhe për shumë bluza të bardha në veri të vendit, të ofrosh shërbimin shëndetësor është e vështirë, pasi mungesa e e mjekëve specialistë në spitalet e qytetit, e bën më të vështirë diagnostikimin e sëmundjeve. Ndërkohë që për shkak të terrenit të vështirë që kanë këto zona dhe bllokimit të rrugëve gjatë stinës së dimrit, është e pamundur lëvizja e banorëve, ndaj edhe prania e mjekëve apo infermierëve është gjithmonë e domosdoshme.

Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë, tregojnë se në të gjitha spitalet e vendit, kërkohen të paktën 300 mjekë specialistë, ndërkohë që kërkesa ka edhe për mjekë të përgjithshëm apo mjekë familjeje. Nga ana tjetër, zyra Zvicerane për Bashkëpunim dhe Zhvillim e cila prej vitesh ka shtrirë investimet e saj nëpërmjet projekteve HAP, ka treguar se në këtë rreth, ka konstatuar mungesë të mjekëve okulistë, gjinekologë, mjekë anestezitë, endokrinologë, kardiologë, dermatologë. Të gjendur përballë këtyre situatave, ku ofrohet shërbimi vetëm për disa specialitete, pacientëve të Qarkut të Dibrës u duhet të udhëtojnë drejt spitalit të Lezhës apo atij  të Tiranës në QSUT, për të marrë një shërbim shëndetësor.

 

Paga për specialistët që shkojnë në rrethe, sa mjekët në Itali

Mungesa e mjekëve specialistë në spitalet rajonale apo ato bashkiake, ka detyruar Ministrinë e Shëndetësisë të marrë një sërë masash, në mënyrë që të nxisë mjekët e punësuar në Tiranë, të shkojnë drejt qyteteve ku ka mungesë të mjekëve specialistë. Aktualisht sot, një mjek i cili merr vendimin të shkojë të punojë në rrethe si mjek specialist, përfiton një pagesë prej 100 mijë lekësh bonos, përveç pagesës mujore si mjek. Duke qenë se ka sërish nevoja, Ministria e Shëndetësisë ka marrë vendim që, duke filluar nga viti i ardhshëm, kjo pagesë të ndryshojë dhe të shkojë në vlerën e një page që kanë mjekët në Itali. Kjo formë do të aplikohet deri në momentin që Universiteti i Mjekësisë të nxjerrë specializantët të cilët, aktualisht, janë në vitin e dytë të studimeve. Ky kontingjent mjekësh është i gatshëm të lidhë kontrata me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale vetëm në janar të vitit 2019, për të punuar si mjekë specialistë në rrethe.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: