JO TAKSË TË SHESHTË PËR BANESAT! - OPINION NGA EDUARD ZALOSHNJA

JO TAKSË TË SHESHTË PËR BANESAT! - OPINION NGA EDUARD ZALOSHNJA
Eduard Zaloshnja

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Kushdo që e njeh realitetin shqiptar, e kupton se kurrizi i pensionistëve dhe i familjeve në nevojë, nuk mban dot rritje taksash. Por taksa e sheshtë e shtëpive, bazuar në vlerën e tyre të tregut (që pritet të hyjë në fuqi më 1 janar), do të sillte një barrë të shtuar tatimore, mbi këtë shtresë të vuajtur të popullsisë.

FMN-ja ka këmbëngulur me kohë që, në Shqipëri, të zbatohet një taksë e bazuar në vlerën e shtëpive, e jo një tarifë aforfe, bazuar në metrat katrorë të tyre. Në media, ka kohë që qarkullon një memo e FMN-së, ku jepen shembuj si mund të zbatohet kjo taksë, me dy përqindje të ndryshme të vlerës së shtëpisë – 0.075% dhe 0.15%. Dhe qeveria shqiptare mund të zgjedhë një përqindje, diku mes këtij intervali. Le të themi, 0.1%.

Kjo do të ishte një taksë e sheshtë mbi vlerën e shtëpisë. Pra, një çift pensionistësh, me një apartament të vjetër (me vlerë 30 mijë euro), dhe një oligark, me një super vilë (me vlerë 3 milionë euro), i bie të ngarkohen me të njëjtën përqindje – 0.1% të vlerës së pronës. Për çiftin e pensionistëve, kjo taksë do të ishte një barrë më se e rëndë. Nga ana tjetër, oligarku, ndoshta, jep më shumë bakshish për kamerierët në një vit, se sa mund t'i duhet të paguajë, taksë vjetore, për vilën e tij.

Pikërisht, për të adresuar probleme të tilla sociale, ka lindur edhe taksa progresive që, në rastin e taksës mbi pronën (ndryshe nga taksat mbi të ardhurat), mund të zbatohet relativisht pa vështirësi administrative dhe pa ndërlikime fiskale.

Por si mund t'i ndihmojë taksa progresive mbi pronën, pensionistët dhe familjet në nevojë? Duke vendosur një prag të pa tatueshëm vlere prone, të themi 30 mijë euro, deri në të cilin paguhet 0 euro taksë.  Më pas, taksa mund të ketë shkallëzime për vlerat 30-60 mijë euro, 60-120, e kështu me radhë. Në çdo shkallë mund të zbatohet një përqindje në rritje e taksës mbi pronën.

Le ta bëjmë më të qartë taksën progresive mbi pronën, me disa shembuj.

Shembulli 1

Një familje ka në pronësi një apartament që, sipas referencave fiskale të kadastrës, vlen më pak se 30 mijë euro. Kjo familje i detyrohet shtetit 0 euro për taksën mbi pronën.

Shembulli 2

Një familje ka në pronësi një apartament që, sipas referencave fiskale të kadastrës, vlen 54 mijë euro. Duke hamendësuar një taksë 0% për intervalin 0-30 mijë euro dhe 0.1% për intervalin 30-60 mijë euro, kjo familje i detyrohet shtetit, 0 euro për 30 mijë eurot e shkallës së parë dhe 2 euro në muaj për 24 mijë eurot e shkallës së dytë.

Gjithsej, kjo familje do t'i paguajë shtetit (përmes faturës së ujit apo të elektrikut), 2 euro në muaj, ose në një vit, 0.04% të vlerës së pronës.

Shembulli 3

Një familje ka në pronësi një apartament që, sipas referencave fiskale të kadastrës, vlen 110 mijë euro. Duke hamendësuar një taksë 0% për intervalin 0-30 mijë euro, 0.1% për intervalin 30-60 mijë euro dhe 0.125% për intervalin 60-120 mijë euro, kjo familje i detyrohet shtetit, 0 euro për 30 mijë eurot e shkallës së parë, 2.5 euro në muaj për 30 mijë eurot e shkallës së dytë, dhe 5.2 euro në muaj për 50 mijë eurot e shkallë së tretë.

Gjithsej, kjo familje do t'i paguajë shtetit (përmes faturës së ujit apo të elektrikut) 7.7 euro në muaj, ose në një vit, 0.08% të vlerës së pronës.

Shembulli 4

Një familje ka në pronësi një apartament që, sipas referencave fiskale të kadastrës, vlen 178 mijë euro. Duke hamendësuar një taksë 0% për intervalin 0-30 mijë euro, 0.1% për intervalin 30-60 mijë euro, 0.125% për intervalin 60-120 mijë euro dhe 0.15% për intervalin 120-180 mijë euro, kjo familje i detyrohet shtetit, 0 euro për 30 mijë eurot e shkallës së parë, 2.5 euro në muaj për 30 mijë eurot e shkallës së dytë, 6.25 euro në muaj për 60 mijë eurot e shkallë së tretë, dhe 7.25 euro në muaj për 58 mijë eurot e shkallës së katërt.

Gjithsej, kjo familje do t'i paguajë shtetit (përmes faturës së ujit apo të elektrikut), 16 euro në muaj, ose në një vit, 0.11% të vlerës së pronës.

Shembulli 5

Një familje ka në pronësi një supervilë që, sipas referencave fiskale të kadastrës, vlen 1 milion euro. Duke hamendësuar një taksë 0% për intervalin 0-30 mijë euro, 0.1% për intervalin 30-60 mijë euro, 0.125% për intervalin 60-120 mijë euro, 0.15% për intervalin 120-180 mijë euro, dhe 0.2% për vlerën mbi 180 mijë euro, kjo familje i detyrohet shtetit, 0 euro për 30 mijë eurot e shkallës së parë, 2.5 euro në muaj për 30 mijë eurot e shkallës së dytë, 6.25 euro në muaj për 60 mijë eurot e shkallë së tretë, 7.5 euro në muaj për 60 mijë eurot e shkallës së katërt dhe 137 euro në muaj për shkallën e pestë.

Gjithsej, kjo familje do t'i paguajë shtetit (përmes faturës së ujit apo të elektrikut), 153 euro në muaj, ose në një vit, 0.18% të vlerës së pronës.

Por si do të zbatohej taksa progresive mbi pronën, në rastet kur një familje ka në pronësi më shumë se një apartament apo një vilë? Normalisht, taksa progresive duhet zbatuar mbi vlerën totale që ka në pronësi një familje. Me fjalë të tjera, taksat që duhet të paguajë një familje me dy apartamente, nga 100 mijë euro secili, duhet të jetë e barabartë në total me taksën e një familjeje që ka në pronësi vetëm një apartament me vlerë 200 mijë euro.

Por në praktikë, një zbatim i tillë rigoroz i taksës progresive mbi pronat, mund të hasë në vështirësi administrative.

Së pari, një familje mund të ketë një apartament në Tiranë e një në Durrës. Në këto kushte, taksa e Tiranës do të faturohet çdo muaj nga Ujësjellësi i Tiranës, ndërsa ajo e Durrësit nga Ujësjellësi i Durrësit. Dhe koordinimi i tyre mund të mos jetë dhe aq i thjeshtë...

Së dyti, një familje mund të ketë në pronësi dy apartamente në Tiranë, por secilin në emër të pjesëtarëve të ndryshëm të familjes (burri e gruaja mund të mos kenë të njëjtin mbiemër, siç po bëhet e zakonshme kohët e fundit). Dhe identifikimi i apartamenteve si pronë e përbashkët e familjes, në këtë rast, do të përbënte një vështirësi jo të vogël administrative...

Përfundim

Taksa e sheshtë mbi pronën do të ishte një barrë e papërballueshme për shumë pensionistë e familje në nevojë. Taksa progresive mbi pronën do të ishte më e drejtë dhe shumë e thjeshtë për t'u zbatuar, për secilën pronë më vete. Për rastet e shumë pronësisë, duhet pritur ndoshta një moment i dytë, që të zbatohet e kombinuar shkalla e progresivitetit të taksës.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: