Gazsjellësi TAP sjell të gjitha tubacionet në Shqipëri, Greqi, Itali

Gazsjellësi TAP sjell të gjitha tubacionet në Shqipëri, Greqi, Itali
Ka përfunduar shpërndarja e të gjitha tubacioneve të nevojshme për ndërtimin e gazsjellësit Trans-Adriatik, TAP, në vendet pritëse të tij, Shqipëri, Itali dhe Greqi.

Lajmi është bërë me dije nga vetë konsorciumi, sipas të cilit, dërgesa e fundit e tubave prej çeliku mbërriti në Selanik të Greqisë më 10 tetor.

Transporti i 55.000 tubave dhe bendeve TAP u përfundua në afro një vit e gjysmë, teksa tubacionet e para të tij mbërritën në Durrës në prill 2016 dhe dërgesat në Greqi filluan një muaj më vonë, maj 2016.

Përafërsisht, u përdoren 55.000 tuba për të ndërtuar TAP-in,  prej të cilave 32.000 në Greqi, 13.000 në Shqipëri, 9.150 në det të hapur dhe 670 në Itali.

“Pesha e të gjitha tubacioneve arrin në 520,000 ton: ose rreth 71 kulla të Eiffel”, thuhet në njoftimin e konsorciumit.

“Kjo është një etapë tjetër kyçe drejt realizimit me sukses të projektit. I gjithë procesi i logjistikës për dorëzimin e tubave u krye në përputhje me afatet e projektit dhe sipas standardeve më të larta të sigurisë. Nëse marrim në konsideratë që secili tub është lëvizur rreth shtatë herë nga faza e prodhimit në fabrikë deri në fazën e mbërritjes në sheshet tona kryesore të magazinimit, ne jemi krenarë që ky operacion masiv u përfunduar pa asnjë incident sigurie në vendet tona pritëse. Dëshiroj të falënderoj kontraktorët dhe nënkontraktorët tanë që ishin përgjegjës për dërgesën, shkarkimin dhe transportimin e tubave të TAP-it për profesionalizmin e tyre, punën e madhe dhe angazhimin ndaj sigurisë”, ka deklaruar lidhur me një fakt të tillë, John Haynes, drejtor i projektit TAP.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: