Fillota Koruni: 1925, si erdhën avionët gjermanë për herë të parë në Shqipëri

Fillota Koruni: 1925, si erdhën avionët gjermanë për herë të parë në Shqipëri
INTERVISTË / Flet Fillota Koruni, një ndër specialistët e riparimit të avionëve luftarakë. Fluturimi i parë nga Vlora në Tiranë dhe linjat e shërbimit civil të pasagjerëve, që u ngritën në vitin 1925. Si erdhën avionët e parë nga Berlini, që bënin rrugën Korçë-Tiranë, për 50 minuta

Fillota Koruni ka qenë një ndër pionierët e specialistëve të riparimit të avionëve gjuajtës-bombardues. Ai e filloi këtë rrugë në dhjetor të vitit 1952, dhe e la në vitin 1985. Një rrugë e gjatë plot të papritura dhe mes shumë vështirësish, pasi në Shqipëri nuk kishte eksperiencë në këtë specialitet, nuk kishte pasur kurrë avion luftarakë dhe nuk kishte patur kurrë pilot të avionëve të tillë. Pra, çdo gjë filloi nga e para aq më tepër riparimi-avionëve që kërkonte specialistë të mirëfilltë, uzina për riparim dhe pjesë ndërrimi, por dhe inxhinierë të specializuar për këto armë të panjohura dhe të prodhuara jashtë.

Intervistoi për “Albanian  Free Press”: Albert Z. ZHOLI

Si lindi dashuria juaj për avionin dhe si u realizua kjo ëndërr?

Dëshira dhe pasioni im për aviacionin ka qenë e hershme, që në kohën e vegjëlisë, kur avionët e transportit ajror “Albatrosët” apo “Junkerët F-13” (që në atë kohë korçarët u kishin vënë nofkën “posta”) niseshin për në fluturim nga Tirana në Korçë dhe uleshin në aeroportin e vogël të Tebojës, që ndodhej poshtë varrezave të ushtarëve francezë të rënë në Luftën e Parë Botërore. Atëherë ne ish-fëmijët e vegjël të “kopshtoreve” apo “filloreve”, me vrap shkonim në Tebojë për të parë këto makina fluturuese që ngriheshin në ajër sikur të ishin zogj. Por ky pasion për këtë armë të bukur, krenare dhe njëkohësisht të “rrezikshme”, do të rritej së tepërmi kur mbi hapësirën ajrore të qytetit të Korçës do të fluturonin aeroplanët luftarakë, gjuajtës italianë (në vitet ‘39-40 ushtria italiane ngriti një aerodrom luftarak gjuajtës-bombardues në rrugën që të çon për në Boboshticë, tek kryqëzimi i rrugës së Drenovës).

Tashmë ne ishim rritur dhe me kënaqësi shikonim jo vetëm ngritjen e tyre nga pista, figurat e pilotazhit apo ndonjëherë dhe luftime ajrore midis pilotëve italianë dhe grekë (Lufta Italo-Greke në vitet 1940-1941).

Kur mori udhë ëndrra juaj dhe ku realizoheshin specializimet, sepse avionët prodhoheshin jashtë vendit dhe ne nuk kishim struktura arsimore për këtë armë zotëruese të ajrit?

Mesa duket, fati apo rastësia do të bënte që kjo armë e bukur e aviacionit të mos më ndahej tërë jetën time derisa u thinja! Në dhjetor të vitit 1952, së bashku me disa shokë korçarë shkojmë për të kryer shërbimin ushtarak në skuadriljen e parë të aviacionit në Tiranë, të krijuar në 24 Prill 1951. Më problematike për skuadriljen ishin specialistët e avio-motorëve (teknikë të avionëve). Një tekniku i takonte t’u shërbente 4-5 avionëve. Me urdhër të Ministrisë së Mbrojtjes krijohet pranë skuadriljes shkolla e parë e aviacionit për teknikë avionësh. Kursantët apo studentët ishin me arsim të mesëm, gjimnaz apo shkollë teknike, të ardhur nga qytetet kryesore të Shqipërisë. Ndër pjesëtarët e kësaj shkolle isha edhe unë. Në një periudhë njëvjeçare, nga viti 1953 deri në maj të ’54, mbaruam studimet dhe morëm diplomën e teknikut të aviacionit për avionët gjuajtës Jak-9-P. Nga viti 1954 deri 1955 shkova në Volck të Bashkimit Sovjetik për t’u specializuar për aeroplanët reaktivë Mig 15-BiS. Kurse në korrik të vitit 1959, për të dytën herë shkova në Bashkimin Sovjetik-Rusi, në “Sevaslejke”- Qarku Gorki, për t’u specializuar për avionët supersonikë, interceptues Mig-19PM të kompletuar me radarë dhe raketa të telekomanduara.

Pas prishjes me Bashkimin Sovjetik, në vitet 1969-1970 më dërguan në Kinë për t’u specializuar për avionët e sofistikuar Mig-21. Kam shërbyer pothuajse në të gjitha repartet e aviacionit, në Tiranë, Kuçovë, Rinas apo Gjadër (Zadrimë) dhe përsëri në Rinas me detyra të ndryshme në këto reparte, si shef armatimi në skuadriljet Mig-15, Mig-19P, shef armatimi në ofiçinat e riparimit të regjimenteve, inxhinier i armatimit në regjimente dhe në 10-vjeçarin e fundit, shef i laboratorëve të armatimit në Uzinën e Aviacionit Rinas.

Siç shihet, karriera ime në aviacion, si dhe kontributi im janë të lidhura ngushtë me krijimin dhe zhvillimin e reparteve të aviacionit shqiptar. Pra jam një dëshmitar okular i rritjes, zhvillimit dhe konsolidimit të aviacionit luftarak shqiptar. Të gjitha këto më obligojnë të pronocohem për këtë armë.

Si do t’i cilësoje pilotët e avionëve luftarakë dhe specialistët e mbajtjes në gatishmëri të tyre?

Në veçanti dua të theksoj kontributin e shquar të pilotëve tanë në mbrojtjen e hapësirës ajrore të Atdheut tonë, përkushtimin e efektivit inxhiniero-teknik (si dy shtyllat kryesore të aviacionit). Kontributi i këtyre të fundit ka qenë i jashtëzakonshëm për mbajtjen në gatishmëri dhe riparimin e teknikës së aviacionit, në veçanti në periudhat pas prishjes së marrëdhënieve me rusët apo kinezët.

Ju jeni me origjinë nga Korça, a ka pasur një histori për zhvillimin e aviacionit civil në Korçë?

Aeroplanët e parë të Transportit Civil mbi hapësirën ajrore të Shqipërisë, u ngritën nga Vlora dhe u ulën në aerodromin e Tiranës më 27 mars të vitit 1925. Ishte një eveniment i rëndësishëm historik për Shqipërinë dhe ajo u fut në Librin “Gines”, vetëm për faktin se vendi ynë, edhe pa patur asnjë km rrugë hekurudhore, me një industri dhe bujqësi të prapambetur, vendosi përdorimin e transportit ajror në shërbim të popullit. Lajmin mbi fillimin e fluturimeve në vendin tonë, në veçanti në Tiranë dhe Korçë, u përhap shumë shpejt dhe me gëzim. Banorët e këtyre qyteteve vraponin në fushat e blerta për të parë aeroplanët. Nga data 4 shtator 1924, ditën kur u nënshkrua marrëveshja për krijimin e shoqërisë shqiptaro-gjermane dhe deri më datën 27 prill 1925, kur aeroplanët erdhën në Shqipëri, “Gazeta e Korçës”, nuk ka reshtur së dhëni informacione të herëpashershme mbi akt - marrëveshjen, tipat e aeroplanëve, fluturimin në ajër nga Gjermania në shtetet europiane dhe deri në mbërritjen e tyre në Vlorë, Tiranë dhe Korçë. Më poshtë po citoj disa lajme apo artikuj të botuar në gazetën korçare të atyre viteve (Parë në Bilbiotekën “Thimi Mitko” në Korçë).

 

GAZETAT E KOHËS

1925, tri linjat e para ajrore për pasagjerë

Më datën 22 nëntor 1924, gazeta e Korçës boton artikullin: “Udhëtimi me aeroplan në Shqipëri”. Drejtori i Shoqërisë “Adria Aer Lloud”, zoti Haber Mellgh arriti në Korçë, në qytetin tonë, dhe pasi kqyri viset ku mund të qëndrojnë aeroplanët, u nis prapë në Tiranë. Ai është drejtor i shoqërisë dhe ka marrë konçesionin nga qeveria jonë për të punuar në Shqipëri për të shpënë postën edhe qytetarët. Pas saj mësojmë aeroplanët qendrën do ta kenë në Tiranë dhe do të fluturojnë në këto drejtime: Tiranë-Shkodër, Tiranë-Korçë dhe Tiranë-Vlorë. Fluturimi tani për tani do të bëhet me aeroplanë që transportojnë deri 800 kg, d.m.th. udhëtarë apo plaçka. Udhëtimi Korçë-Tiranë mban 50 minuta dhe çmimi do të jetë 3-4 napolona. Aeroplanët janë bi plane me shpejtësi 120 km në orë. Ata nisen më 20 të këtij muaji më 1924 nga Berlini, duke fluturuar mbi Zvicër-Austri-Itali dhe arrijnë pas katër-pesë ditësh në bregdetin e Shqipërisë. Një herë tjetër do të flasim për këtë çështje që ka rëndësi të posaçme për vendin tonë, sepse e lidh Shqipërinë me anë të erës me botën e jashtme”.

Por pas njoftimit zyrtar të kësaj gazete, d.m.th. nga 22 nëntori 1924 deri më 16 janar 1925, një heshtje në gazetën “Korça”, asnjë lajm për aeroplanët. Me sa duket trazirat që ndodhën në vendin tonë për të rrëzuar qeverinë e Fan Nolit, bënë që të shtyhej realizimi i marrëveshjes midis Nolit dhe shoqërisë ajrore gjermane. Dhe pas stabilizimit të vendit dhe marrjes së pushtetit nga Zogu, shohim se gazeta e Korçës datë 14 mars 1925, në lajmet e brendshme me titull “Aeroplanët…”, njoftonte se të gjithë po i presim me padurim aeroplanët. Puna e tyre qëndron kështu…” Kur aeroplanët ishin gati të fluturonin, mbi Serbi zunë mjegulla që e ndaluan fluturimin dhe kur u hoq mjegulla, kishte kaluar afati i lejës. Shoqëria kërkoi lejë të re, por kur pa se po zgjatej kjo punë, i zbërtheu aeroplanët dhe i dërgoi me anë të Triestes në Vlorë. Sot aty ka vajtur mekaniku i shoqërisë për t’i mbledhur copat dhe për t’i vënë në rregull (për të montuar aeroplanët) Kemi shpresa që së shpejti të fillojë fluturimi”.

Dhe ja lajmi tjetër i gazetës “Korça” të datës 28 mars 1925, me titull: “Fluturimi i aeroplanëve nga Vlora në Tiranë”: “…Dje gjithë populli i Tiranës së bashku me autoritetet e vendit kishin dalë për të pritur me padurim mbërritjen e aeroplanëve “Adria Aerlloud”. Lajmi i nisjes së tyre nga Vlora ishte përhapur si vetëtimë dhe kushdo vraponte në hangarin e aeroplanëve për të parë fluturimin e parë. Midis popullit ndodheshin gjithë zyrtarët e ministrive të ndryshme, po ashtu edhe përfaqësuesi i Shoqërisë Ajrore “Lufthansa”, i cili kishte përgatitur dy buqeta me lule, për t’ia dorëzuar aeroplanistit të parë që do të takonte. Aeroplanët me Nr. 125 dhe 151 arritën në orën 5 midis duartrokitjeve të popullit.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: