Fehmi Hoshafi: Si i përgëzoi Ramiz Alia, filmat e mi

Fehmi Hoshafi: Si i përgëzoi Ramiz Alia, filmat e mi
 

INTERVISTË/ Flet regjisori dhe aktori, Fehmi Hoshafi: Pasi ishte shfaqur filmi “Thirrja” në bllok të udhëheqësve, më thanë: “Urime! Shoku Ramiz e pëlqeu shumë këtë film dhe pse këtu u kritikua disi. Ramizi tha se filmi është më i bukur se romani “Zjarret”, i Sterjo Spasses”.

 

Një rrugëtim i gjatë, i bukur, por, në të njëjtën kohë, edhe i vështirë, plot ngjarje në botën e bukur të teatrit dhe të kinematografisë. Ky është ai që regjisori dhe aktori Fehmi Hoshafi, rrëfen në një intervistë të posaçme për “Albanian Free Press”. Pasuar me mjaft mbresa dhe kujtime nga bashkëpunimet e tij, ndër vite, me regjisorët dhe aktorët më të njohur në vend...

 

 

Intervistoi për “Albanian Free Press”: Albert Z. ZHOLI

 

 

Cila është shfaqja e parë, që vutë si regjisor në Estradën e Elbasanit?

Shfaqja e parë në Elbasan, ka qenë me numrat e skeçeve të estradave tona, - më të zgjedhurat prej tyre, - të cilat i mora nga të gjitha estradat e Shqipërisë. Ishte një shfaqje me numra të përzierë nga më të zgjedhurit. Aktorët kryesorë ishin Hysen Biza, Ferit Xhevori, Agron Grasemi dhe të tjerë. Unë shkova aty, si regjisor i Estradës. Ishte viti 1961. Kjo premierë u prit mjaft mirë dhe pati sukses. Atëherë, estradat ndiqeshin me interes. Një nga numrat më të bukur, kishte të bënte me derrin. Në paraskenë, një aktor kalonte aty dhe i thoshte tjetit: “Çfarë derri!”. “Kujt i thua derr ti?”, - i thoshte aktori i dytë. “Jo, jo”, -i thotë aktori parë, - nuk të them ty, por derrit të klubit të gjuetarëve, që është i majmur”. Në atë kohë, Klubi i Gjuetarëve mbante një derr, i cili ikte nga mjediset e Klubit dhe dilte në qytet. Derri u bë problem për qytetarët. Atë kohë, anëtar i këtij klubi ishte dhe Sulo Starja, kryetar i Degës ë Brendshme, dhe bashkëshortja e tij, ishte Katina Starja, e cila ishte sekretare e Komitetit të Partisë. Ky u fye nga ky skeç. Filloi të mbante inat dhe të hakmerrej, Atëherë filloi t’u thoshte shokëve të vet dhe shokëve të mi që, Fehmiu të shikojë gruan e vet që vesh zhukon. Ishte  koha e zhukonëve, të cilat ishin ca funde të fryrë nga fundi. Ishin të modës, por në Elbasan nuk ishin futur ende. Ne vinim nga Tirana, më e civilizuar. Ndaj u tha “të lërë derrin tim dhe të shikojë gruan që vishet në mënyrë moderne”.

 

Kush ishte Sekretar i Parë, në atë kohë, në Elbasan dhe si ke bashkëpunuar me të?

Sekretar i Parë ka qenë Thoma Deliana. Ai ishte intelektual serioz dhe kam pasur marrëdhënie shumë të mira me të. Më ka pritur disa herë dhe më pati premtuar se do të krijonte kushte sa më të mira, për të pasur Estradë sa më të mirë dhe dinjitoze. Ishte njeri që dinte të sillej dhe komunikonte. Pas disa kohësh, pa dijeninë  e tij, mua më caktuan regjisor të teatrit të rrethit të Elbasanit.

 

Ç’do të thotë kjo, të rrethit?

Do të thoshte që duhej të interesohesha edhe për teatrin e qytetit, por njëkohësisht duhej të bridhja dhe nëpër fshatra për të ndërtuar teatro. Me një fjalë, duhej të isha natë dhe ditë në lëvizje. Ky emërim imi, u bë pa dijeninë e Thoma Delianës. Kjo u bë e padurueshme. Nuk mblidhesha në shtëpi. M’u bë jeta e vështirë. Atëherë shkova në degën e Kuadrit dhe u thashë që s’e bëj dot këtë punë, ndaj dua të iki në Tiranë. Ata më thanë kur të doni, mund të shkoni. “Largoheni kur të jeni të gatshëm, vetëm me një kusht, që aty të shkruhet: U largua me dëshirën e tij, jo të kuadrit”. “Dakord”, - u thashë. Ashtu u bë. Në librezë ashtu u shkrua: Sa më dhanë largimin, shkova me vrap në shtëpi dhe i thashë gruas me vrap “bëj plaçkat gati, se do ikim në Tiranë”. Morëm një makinë  që gjetëm dhe u kthyem.

 

A filluat punë në Tiranë, në këto kushte, dhe ku?

Në atë kohë, Ymer Minxhozi ishte nëndrejtor i Radio-Tiranës dhe i thotë vëllait im (kompozitor në atë kohë), “ta marrim Fehmiun në Radio, por duhet të pyesim Ministrinë e Arsimit”. Përgjigja e ministrisë ishte se Fehmiu ka braktisur punën në Elbasan, ndaj duhet të niset menjëherë aty. Unë e kundërshtova këtë deklarim, duke u thënë se cila ishte arsyeja. Por nuk më besonin dhe këmbëngulnin të kthehesha në Elbasan. Atëherë vendosa të takoj Enver Hoxhën. Rrija me orë të tëra afër lulishtes ku ai bënte xhiro, dhe zgjatesha mbi kangjellat e lulishtes se mos e takoja. Pastaj i dërgova letër, por përgjigje nuk mora. Këmbëngulja tek lulishtja dhe kangjellat sa, një ditë, rojat më thanë “është e ndaluar rreptësisht të qëndrosh këtu, prandaj mos u afro më!”. Të nesërmen, më thirrën në ministri. Thoma Deliana që ishte Sekretar i Partisë në Elbasan, kishte ardhur zv/ministër i Arsim-Kulturës në Tiranë. Ai, sa më pa, më thirri dhe më pyeti si ishte puna. Menjëherë më emëroi si asistent-regjisor në Kinostudio. U gëzova jashtëzakonisht! U plotësua ëndrra ime.

 

Kush ishte drejtor i Kinostudios në atë kohë, dhe si të priti?

Drejtor ishte Vaskë Aristidhi. Njeri pozitiv, shumë i mirë dhe i përgatitur. Por kur shkova, më priti me dyshim të madh. Menjëherë, më tha: “Je provist, - domethënë ke ardhur për provë - dhe nëse nuk e justifikon ardhjen, do largohesh”. “Dakord”, - iu përgjigja.

 

A të caktuan në ndonjë film?

Po. Më caktuan as/regjisor me Hysen Hakanin, në filmin “Toka Jonë”. Ishte film artistik ku luanin mjaft emra të njohur si Marie Logoreci, Loro Kovaçi. Hakani si regjisor nuk ka qenë aq i kompletuar. Kur po xhironim filmin, caktuan si operator Dhimitër Anagnostin. Dhimitri  sapo kishte mbaruar në Moskë, në shkollën më të madhe të kohës, së bashku me Viktor Gjikën. Në këtë shkollë, Anagnosti kishte marrë si mësim elementet e parë si regjisorë, nga pedagogë me famë. Kështu, në film, Anagnosti edhe pse operator, i kundërvihej Hakanit në zgjedhje dhe detaje. Kështu, filloi një grindje e madhe. Gëzim Erebara ishte asistent/regjisor i parë.  Ai filloi të mbante anën e Anagnostit. Në këto kushte, Hakani e përzuri Erebarën dhe më tha mua që do t’isha i vetmi asistent- regjisor në film. Në këtë film, desha s’desha, mbajta anën e regjisorit Hysen Hakanit. Por në këtë film, ai më mbingarkoi deri në grykë. Do të bëja jo vetëm rolin e asistent-regjisorit, por edhe mjaft punë të tjera, të mbysje dhe qentë apo të bëja rolin e rekuizitierit. Sa bija për të fjetur, në orën 4 të mëngjesit, vinte drejtori i filmit, Shyqyri Beri, dhe më thoshte: “Çohu, se ke gjithë këto detyra për të bërë!”.

 

Si doli filmi “Toka jonë”. A pati sukses apo u kritikua?

Të them të drejtën, nuk pati atë atmosferë që pati “Toka jonë”  në teatër. Domethënë, regjisori u mundua shumë, por mungonte jeta, atmosfera, lëvizja reale e saj. Filmi doli pak i ftohtë. Por, me thënë të drejtën, unë mësova shumë dhe njoha realitetin. Kjo ishte ajo që mua më gëzoi, pasi, mes shumë vuajtjesh, mësova plot gjëra.  Pas filmit, shkova në kuadër  dhe u thashë: “A do më mbani tani, apo të shkoj të gjej punë gjetiu?”. Të gjithë të kuadrit, më thanë: “Jo vetëm që do të të mbajmë, por edhe do të të lavdërojmë, pasi ti ke punuar me përkushtim dhe ke mbajtur një peshë të madhe në film. Ndaj  do ta vazhdosh punën  si asistent-regjisor me Kristaq Dhamon”.

 

Kristaq Dhamo, ndër regjisorët e parë shqiptarë. Emër i madh në kinematografinë shqiptare. Mendimi juaj? Çfarë filmi realizove me të?

Me Kristaq Dhamon, filluam të realizojmë filmin “Vitet e para”, sipas romanit “Këneta”, ku fatkeqësisht u sëmura, - pasi mora një të ftohtë të madhe dhe u shtrova në Sanatorium. Ky film u xhirua në Maliq, në kënetën e tij. Ishte ftohtë kur luhej roli. Në atë film, ne kishim marrë dhe gra figurante, të cilat duhej të futeshin në ujë, edhe pse disa ishin me barrë. Ato kishin frikë mos dështonin dhe futeshin, pasi thërrisja disa herë. Kështu e mora edhe unë të ftohtin. Atëherë, figurantët merrnin 150 lekë. Për mua, Kristaq Dhamo mbetet regjisori më ideal. Ai ishte njeri dhe regjisor i mrekullueshëm, nga të gjitha pikëpamjet. Unë, në 80-vjetorin tim, kam thënë për të këto fjalë: “Përse Fehmi Hoshafi u bë regjisor? Janë disa arsye. Së pari, se regjisorët e brezit të vjetër që kishin studiuar jashtë, si Kristaqi, Anagnosti, Pirro Milkani, etj., na mbanin afër, na mësonin. Kur shkruanin skenarin tekniko-regjisorial, na mbanin ngjitur, që ta shkruanim së bashku, që ne të mësonim, të njiheshim me këtë pjesë kryesore të filmit. Në sheshin e xhirimit, na mbanin gjithmonë pranë, duke na dhënë detaje rreth xhirimeve. Na jepnin të xhironim edhe gjëra të shkurtra. Kur bëhej dublimi i zërit, na merrnin në dublim. Kur bëhej montazhi, na merrnin në sallën e tij. Të gjitha  proceset e filmit, i mësuam në saj të këtyre regjisorëve të mëdhenj. U jam mirënjohës regjisorëve si Dhamo, Anagnosti dhe Milkani! I jam mirënjohës edhe Gëzim Erebarës, i cili përktheu  nga frëngjishtja materiale teorike, ku mësuam  se çfarë është kinematografia, ç’është figura kinematografike e cila dallon rrënjësisht nga figurat e tjera letrare, teatrale etj. Duke bashkuar anën teorike me anën praktike, fut brenda edhe talentin, kështu, Fehmi Hoshafi u bë regjisor”.

Por ende pa u bërë regjisor, i ndjeri Vaskë Aristidhi, drejtori i Kinostudios, u thotë regjisorëve: Kam ndërmend që Fehmi Hoshafi, meqë ka qenë regjisor estrade, të na xhirojë një kino-spektakël me skeçe dhe kuplete, nga estradat tona të vendit. Ju, çfarë mendimi keni? Kristaqi u ngrit i pari dhe tha: “Fehmiu është i përgatitur dhe do na bëjë një film shumë të mirë. Ky film pati sukses. Një film që të gjithë e përkrahën dhe e duartrokitën. Po të mos kishte qenë  kjo përkrahje, po të mos ishin fjalët e mira për të në kolektiv, në Këshillin Drejtues, atë Artistik, por dhe nga spektatorët që qeshnin me lot, Fehmi Hoshafi nuk do të bëhej regjisor. Filmi u titullua “Estrada në ekran”. Ishte ky film, ishte ky realizim ku unë bashkova skeçet më të bukura nga të gjitha skeçet dhe kupletet e vendit, që drejtori të më ngarkonte realizimin e filmit “Xha Sulua”, ose “Kapedani”, siç u emërtua më vonë.

 

Të ndalemi në bashkëpunimin me Kristaq Dhamon. Latë në mes filmin “Këneta”. Në bashkëpunim me të, nuk keni pasur asnjë film tjetër?

Kam pasur. Kemi realizuar një film shumë të vështirë, filmin “Gjurmët”, ku ai është sjellë jo si regjisor, por si bashkëregjisor, ku edhe më thoshte të caktoja rolet apo aktorët  që duhet të merreshin në film. Në shumë role më la mua t’i zgjidha aktorët. Një besim që nuk di si t’ia shpërblej. Në këtë film mora Demir Hyskën, Edi Luarasin, ndërsa Naim Frashërin dhe Margarita Xhepën i mori ai vetë. Kur i kam shkuar në shtëpi dhe i thashë që “unë kam qenë asistenti yt në filmi “Gjurmët” dhe ta di për nder që më afrove”, ai më tha “ti ke qenë bashkëpunëtori im”. Vetëm një njeri me vlera të mëdha si ai mund t’i thotë këto fjalë. Unë nuk ta harroj bashkëpunimin e sinqertë. Kristaq Dhamo, kur u bë udhëheqës artistik në Kinostudio, i ndihmonte të gjithë asistent-regjisorët në detaje. Ai i ndihmonte në skenarin regjisorial që është pjesa më e vështirë. Shkonte në shesh të xhirimit dhe u jepte mësim të gjithëve se si xhirohej, si vendosej kamera, si vinte drita etj... Një njeri i pashoq dhe i thjeshtë si ai. Jo vetëm unë, por të gjithë regjisorët e brezit tim nuk ia harrojnë kurrë këto mësime që na ka dhënë me gjithë zemër dhe me thjeshtësi.

 

Po me Dhimitër Anagnostin si i ke patur marrëdhëniet?

Unë nuk kam qenë asnjëherë asistent i tij, por ai indirekt më ka ndihmuar shumë. Njëherë na bëri presion Vangjush Zallëmi, drejtori. U tremba. Nuk doja të shkoja në televizion se nuk kishte hapësira. Do mbetesha një regjisor pa filma. Shkova menjëherë në redaksi dhe  hapa sirtarin. Rastësisht, gjej një skenar me fletë rozë. E lexoj dhe më pëlqeu shumë. Shkoj me vrap tek drejtori dhe i them se e sigurova skenarin. “Çfarë skenari”, më tha. “Sigurova një skenar të Sabri Godos që flet për Ksamilin, qytezën e punëtorëve të rinj”. “Shumë  mirë, shpëtove nga televizioni, tani shko dhe përgatit grupin e xhirimit dhe fillo të xhirosh”, ma ktheu. Dhimitër Anagnosti në atë kohë nuk xhironte filma artistikë. Por ç’bëri ai? Thirri Sabri Godon, më thirri dhe mua e mori skenarin letrar dhe e ka shkruar nga e para në dramaturgji kinematografike. Kjo për mua ishte ndihma më e madhe, sepse mua më dha skenar dramaturgjik të gatshëm, që është pjesa më e vështirë në realizimin e filmit. Por unë në këtë  film bëra një gabim. Mora për xhirim një operator të ri, i cili u kritikua se nuk xhironte mirë. Nga ana tjetër, kam patur shumë debate dhe me Sabri Godon, që ishte njeri me ekuilibër në jetë. Ai kishte një rol të një doktoreshe në film. Më thotë që për këtë rol do të marrësh Elida Cangonjin. Ia preva se “jam unë regjisor i filmit. Ti e mbarove punën tënde si skenarist. Tani është puna ime. Unë do të marr atë që më mbush mendjen time”. Dhe në këtë rol mora zonjën Kumbaro nga Gjirokastra. Më bëri presion disa ditë për këtë. Por kur mbaroi filmi, u thanë fjalët më të mira. Dhe kur ai po diskutohej në Këshillin Artistik, u ngrit dhe e hodhi filmin poshtë nga inati që nuk mora në rol atë që donte ai. Por për fatin tim të mirë, drejtori Vangjush Zallëmi i tha: “Ne skenarin tënd letrar e njohim shumë mirë, por filmi qëndron shumë më lart se ai. Ndaj mos fol kështu”. Filmi u titullua “Dritat e qytezës”.  Ishte një film me një dramë shumë të thellë.

 

Ju këtë film e realizuat pasi u kthyet nga riedukimi?

Po, për nj vit më çuan në Zall-Dajt për riedukim. Punë të thella që nuk i interesojnë lexuesit. Dhe nëse ky film do hidhej poshtë, unë do të humbisja shumë.

 

Po pas këtij filmi, si vazhdoi prodhimtaria regjisoriale?

Pas këtij momenti, më dhanë romanin “Zjarret” të Sterjo Spasses. Këtë roman kishte dhënë porosi Mehmet Shehu që të bëhej patjetër film. Drejtori ma caktoi mua këtë film duke më dhënë si ndihmës në skenar djalin e Sterjo Spasses, Ilidenin dhe Kujtim Gjonajn. Të tre shkruan skenarin letrar për të xhiruar filmin “Thirrja”. Ky film ishte kundër kishave dhe xhamive. Bëhet fjalë kur PPSH-ja lëshoi thirrjen kundër fesë. Ishte viti 1967. Ky film kishte një konflikt  shumë të madh e të rëndësishëm. Në rolet kryesore kisha Ndrek Lucën, Justina  Aliajn, të cilën ma hoqën për paraqitjen që bëri në Festivalin e 11-të, gjoja festival modern. Në vend të saj mora Liri Lushin. Kisha edhe Nikolin Xhojën etj. Ishte film dramatik, me shumë konflikt. Në kolektiv pati kritika pasi unë i mëshova më shumë kishës dhe priftit. Kristaq Dhamo që ishte udhëheqës artistik tha se “i ke dhënë shumë hapësirë kishës dhe priftit e mos ngjall nostalgji për fenë e për të mos ngjallur këtë nostalgji mendoj ta shkurtojmë këtë pjesë”. Në atë kohë, ne në Kinostudio kishim një Qafok që shfaqte filmat për udhëheqjen. Pasi kishte shfaqur filmin “Thirrja” në bllok të udhëheqësve, ai vjen dhe më përqafon duke më thënë: “Urime! Shoku Ramiz e pëlqeu shumë këtë film dhe pse këtu u kritikua disi. Ramizi tha që filmi është shumë më i bukur se romani “Zjarret” i Sterjo Spasses”. Pra, një vlerësim që se prisja pasi shokët kishin rezerva.

 

Po me udhëheqësit e tjerë a ke pasur ndonjë takim apo debat?

Unë nuk kisha lidhje me udhëheqësit, por kur u xhirua filmi “Përse bie kjo daulle” po ju them një parantezë. Në këtë film unë kam rolin e bashkëpunëtorit shkencor. Pra, si aktor. Ky skenar është bërë sipas romanit “Dasma” të Ismail Kadaresë. Ky film u prit mirë. Unë kisha një ndër rolet kryesorë. Kur shkoi delegacioni i Kinostudios tek Ramiz Alia për të bërë raportimet mbi filmin ishin mes të tjerëve Viktor Gjika, Pirro Mani dhe të tjerë. Pas filmit, kur erdhën dhe më takuan për të më thanë mbresat e Ramizit për filmin, kurse Viktori gjysmë me dashamirësi, gjysmë me ironi më thotë: “Më ka ardhur inat kur shoku Ramiz pyeti: këtë bashkëpunëtorin shkencor e luan Fehmiu? Pra, nuk përmendi mbiemrin, që do të thoshte e njoh mirë”. Ishte hera e parë që Ramiz Alia për një aktor flet vetëm me emër pa mbiemër, sikur ta ketë mik. “Mirë bëtë që ia besuat Fehmiut, e ka luajtur shumë bukur”, shtoi ai.

 

Kush kanë qenë bashkëpunëtorët e tu më të mirë në xhirime?

Bashkëpunëtorët e mi kanë qenë operatorët e filmave. I pari ka qenë Ilia Terpini, të cilin në filmin “Kapedani” e kam pasur si ndihmës-regjisor. Ilia më qëndronte afër dhe më jepte disa mendime që kishte nga eksperienca e tij. P.sh. xhironim në bulevardin kryesor të Tiranës” Dëshmorët e Kombit” dhe unë thashë të fillonim xhirimet kur në bulevard nuk kishte asnjë makinë. Në këtë moment ndërhyn Ilia: “Jo, -më thotë, -jo. Nuk duhet, Fehmi. Filmi do shkojë në botë dhe do thonë në këtë vend nuk ka jetë, nuk ka lëvizje, nuk ka makina, nuk ka gjallëri, vend i vdekur”. Kishte të drejtë. E dëgjova këshillën e tij. I dyti operator ka qenë Bardhyl Martijani që e kam pasur tek filmi “Thirrja”.

 

 

 

LETËRSIA

 

“Tre libra me poezi në emigracion”

 

“Do të duket e jashtëzakonshme se prirjet e mia të para për letërsi artistike ishin që fëmijë, pa shkuar ende në shkollë. Mendimet që më vinin në kokë në formë poezish, fillova t’i shkruaj  në ajër, pra me duar bëja lëvizje sikur shkruaja për të hedhur mendimet, pavarësisht se nuk dija të shkruaja ende. Më vonë, kur shkova në shkollë dhe mësova shkrim e këndim, çanta më mbetej tek tabelat e dyqaneve ku lexoja emrat e dyqanxhinjve dhe profesionet e tyre. Këtë gjë bëja edhe kur vija nga shkolla. Pra, isha i interesuar të dija profesionet dhe të thurja poezi për çdo profesion. Isha tepër kureshtar. Por një ditë kur po vija nga shkolla dhe bëj të njëjtin veprim duke lexuar me imtësi tabelat e dyqaneve rashë në një pusetë të asaj kohe. Dyqanxhinjtë sa më panë, u turrën me vrap dhe më nxorën prej saj. Pas një ore, erdha në vete. Por prirjet e mia për letërsinë i përcjell edhe në një mënyrë tjetër. Të gjitha poezitë që botoheshin në librat shkollorë, unë i mësoja të gjitha përmendësh. I mësoja kaq mirë, saqë kur i recitoja, më dukeshin sikur ishin poezitë e mia. Mësueset thoshin në mes të klasës, që hartimet e Hoshafit janë më të mira në shkollë.  Kur kalova nga adoleshenca, unë fillova të shkruaja dhe botoja poezi në të gjitha organet e shtypit që botonin poezi asokohe. Konkretisht, fillova të botoj në “Nëntori”, “Zëri i Rinisë”, “Ylli”, “Drita”, “Letrari ri”, “10 korriku”, etj. Por të them të vërtetën, ndihmën më të madhe për botimin e tyre ma ka dhënë i famshmi Llazar Siliqi, një poet i madh, një njeri shumë i mirë. Ai më ndihmonte, më jepte shtysë, kishte një zemër bujare. Ia di për nder edhe sot.  Ai më thoshte se me punë bëhesh poet i mirë. Njerëz si ai nuk vijnë më.

Ja një poezi e asaj kohe:

 

“Rend e trembur prej agimit,

Nata perçe e zezë,

Dridhet dielli nga gëzimi,

Rrezet tej i ndez”.

 

Kështu filloi rruga e poezisë sime.

Por për shkak të impenjimit  si aktor dhe regjisor, unë e lashë poezinë. Nuk e di pse. Në moshën 65-vjeç, për shkak të problemeve të shumta në Shqipëri, unë bashkë me familjen u detyrova të emigroj në Greqi. Aty u ndjeva i huaj. Më kaploi një mërzi dhe një vetmi e pashoqe. Nuk po e gjeja veten në atë realitet. Kisha një tronditje të brendshme pasi isha mësuar me jetë, gjallëri, jetë aktive, me shoqëri, miqësi, me punë. M’u duk vetja i tepërt në atë ambient. Duhej të shkundesha, duhej që të filloja të bëja diçka. Një natë në errësirë i thërras vetes: A duhet të filloj të shkruaj poezi? Iu drejtova pastaj vetë poezisë: A mund të vish prapë tek unë? Dhe ajo, muza e poezisë u ul tek unë në gjunjë dhe më tha: “Po, Fehmi dhe në këtë moshë, poezitë e tua do të jenë shumë më të mira, shumë më të bukura, më të pjekura,  pasi ke bagazh jetësor”. Kështu fillova të mendoj ditë për ditë dhe natë për natë mbi poezitë e mia të ardhshme, të cilat i përpunoja një kohë të gjatë në mendje e pastaj i çoja tek gazetat shqiptare në Athinë. Pra, në emigracion për një kohë të gjatë fillova  të merrem me poezi dhe t’i harroj të gjitha hallet që kisha në emigracion. Kështu botova librin e parë me poezi “Dashuria ime e parë”. Më vonë botova vëllimin e dytë “Ky populli im në këngë djepi” dhe më vonë  në bazë të një filmi që xhirova me Albert Vërrinë me një tufë bagëtish arrita të shkruaj një vëllim në prozë që titullohet “Çobani, cjapi dhe gruaja e çobanit”. Tani kam vëllimin e katërt me poezi me titull intrigues “Një agjent fort i rrezikshëm”. Kjo ishte prirja për letërsi, por prirja ime që ka përcaktuar në mënyrë deçizive të ardhmen time si artist ka qenë instinkti teatral. Ne mblidheshim si kalamaj në sallat e lagjeve dhe erdhi Drejtoresha e Teatrit të Kukullave dhe i tha  regjisorit që “Fehmiun kur të rritet, do ta marrim në teatër”. Ai i tha që Fehmiut i mbahet goja. Ajo iu përgjigj: “Edhe Kadri Roshit i mbahet goja, por në skenë është bilbil”. Kurse një prirje e tretë e imja ishte ajo që unë kisha marrë nga babai, zërin e bukur dhe të fortë, ndaj mora pjesë në korin pionierëve”.

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: