Efekti “Domino”, veriu i Italisë kërkon më shumë pavarësi

Efekti “Domino”, veriu i Italisë kërkon më shumë pavarësi
Dy rajone veriore italiane, Lombardia dhe Veneto, po zhvillojnë një referendum, për të kërkuar më shumë autonomi.

Referendumet janë konsultative dhe, cilidoqoftë rezultati, nuk do të sjellin pasoja ligjore dhe kushtetuese.

Qëllimi i referendumit është t’u mundësojë dy rajoneve t’i kërkojnë qeverisë qendrore një autonomi më të madhe në menaxhimin e pasurive të tyre.

Në të dyja rajonet që kanë si kryeqendra Milanon dhe Venecian, qendrat e votimit janë hapur në orën 07.00 dhe do të qëndrojnë në pritje të votuesve deri në orën 23.00.

Pritet që shumica e votuesve të shprehen pro një autonomie më të madhe, duke llogaritur se në dy rajonet është përqendruar rreth 30% e gjithë pasurisë kombëtare italiane.

Në të dy rajonet, drejtuesit e tyre janë të partisë Lega Nord, e cila vazhdimisht ka denoncuar se “dërgojnë më shumë taksa në Romë, të cilat nuk kthehen në shpenzime publike” dhe kanë kërkuar që Jugu të ketë pavarësi financiare dhe të mos mbahet me paratë e Veriut.

Dy referendumet zhvillohen pas atij për autonominë e Katalonjës, ndonëse në Italinë e veriut diskutimi bëhet vetëm për autonomi financiare. /a.a/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: