“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Edi Rama i premton Erdoganit: Ditmir Bushati do këndojë për ty këngën e Osman Agait

“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Edi Rama i premton Erdoganit: Ditmir Bushati do këndojë për ty këngën e Osman Agait
Rubrika jonë, sot po sjell bashkëbisedimin telefonik të Kryeministrit tonë, me Presidentin e Turqisë, shokun Taip Erdogan. Ne nuk kemi mundur të kapim gjithë telefonatën, ama në pjesën që mbërthyem, dëgjuam shqetësimin kryeministror të shokut Edi, lidhur me problemin e  thithjes së investimeve turke.

Ja bashkëllafosja e bërë midis këtyre dy drejtuesve të rëndësishëm ballkanikë:

Taip Erdogani: ...Edi! Si je? Si shkon me ndërtimin e asaj shtëpisë në formë kështjelle në Surrel? E mbarove, apo akoma jo?

Edi Rama: Çok gjyzel! Marshallah jam. Kështjellën e mbarova. Kam bërë edhe një sokak me kalldrëm aty. I kam bënë edhe dy tabela që nuk lejojnë asnjë makinë tjetër veç times, që të futet.

Taip Erdogani: Përse flisni me fjalë turqisht, e jo shqip, arkadashi im?

Edi Rama: E po me gjithë këto telenovela turke që shfaqen në televizionet tona, edhe unë kam filluar të mësoj turqisht.

Taip Erdogani: Përse më more në telefon? Ke ndonjë problem?

Edi Rama: Të pashë në televizor, që ishe për vizitë në Serbi. Marshallah! Vërejta me emocion të veçantë momentin kur Ministri i Jashtëm i Serbisë këndoi këngën e Osman agait.

Taip Erdogani: Po, po isha për vizitë në Serbi me disa biznesmenë turq, që do investojnë atje. E vërtetë! Më pëlqeu shumë kur Daçiç këndoi këngën e Osman Agait. Ishte një surprizë e këndshme.

Edi Rama: Atë këngë e këndojmë edhe neve këtu në Shqipëri, miku im Tahip.

Taip Erdogani: Ashtu?! Nuk e dija këtë fakt. Gjithsesi nuk është çudi. Kemi pasur histori të përbashkët, prej qindra vjetësh.

Edi Rama: Nëse pranoni që biznesmenët turq të investojnë këtu, unë jam i gatshëm që...

Taip Erdogani: -I dashur arkadash! Kjo nuk varet nga unë. Duhet të krijosh një klimë të suksesshme për biznes. Ndryshe, biznesmenët turq nuk më dëgjojnë. Ti e di që ata më shumë dëgjojmë armikun tim, Gylenin, sesa mua.

Edi Rama: E di, e di! Gjithsesi ti mund të bësh diçka. Unë, po deshe, vë Ditmir Bushatin që ta këndojë atë këngë. Ai e këndon më mirë se homologu i tij serb. Hajde, e do e dëgjosh me veshët e tu!

Taip Erdogani: Është marrë me muzikë, Ditmiri?

Edi Rama: Ka një javë që përgatitet. Sa i thashë që Daçiç këndoi këngën e Osman agait për nder të Taipit, iku e nuk e kam parë më. Kur e telefonova dhe e pyeta se ku ishte, më tha që po merrte mësime muzike. Hajde shoku Taip dhe do e shikosh sa mirë do e këndojë Ditmiri atë këngë!

Taip Erdogani: Unë vij, por investitorë nuk sjell dot. Siç të thashë, nuk më dëgjojnë fare mua. Ata duan kushte, që të investojnë. Ndryshe, nuk lëviz paraja.

Edi Rama: Kushte për investime nuk ju krijoj dot menjëherë. Dua edhe ca mandate. Katërvjeçarin e parë që isha Kryeministër, nuk më la Iliri. Ti dhe gjithë shqiptarët që më dhanë tepsinë, e dini. Iliri ja kishte lidhur duart Ahmetit, fare.

Taip Erdogani: Për cilin Ahmet e keni fjalën?

Edi Rama: Ben Ahmetin pra, që kisha Ministër të Ekonomisë herën e parë. E ke harruar me ç'shoh. Kushedi sa të kanë dhënë për të pirë në Serbi, që harron. Nejse, të bëftë mirë!  Nëse do, i jap urdhër Ditmirit të këndojë për ty. Arnautëve do ju them që ti dhe biznesmenët turq nuk erdhët mandarin e parë, se ju ka mbetur qejfi me tekstin e këngës së Osman Agait.

Taip Erdogani: Më ka mbetur qejfi me tekstin e Osman Agait? Pse, çfarë thuhet aty?

Edi Rama: Më vjen keq të ta them i madhi Taip, por aty thuhet: "...herë me pare, e herë pa pare, o Osman aga".

Taip Erdogani: Jazëk! Si mund të thuhet për një aga turk, që nuk ka pare!

Edi Rama: Po pra, jazëk! Do ju them këtyre arnautëve që, Tahipit dhe biznesmenëve turq ju ka mbetur hatri që shqiptarët këndojnë në këtë mënyrë për Osman again. Si është e mundur, do ju them që, një aga turk të jetë edhe me pare edhe pa pare. Ndaj edhe turqit nuk investojnë në Shqipëri, do them, se hatri është i madhe.

Taip Erdogani: A do ju besojnë arnautët, nëse ju thoni këtë shkak, arkadash Edi?

Edi Rama: Nuk ka gjë që nuk më besojnë mua. Taip. Po deshe, i them Ben Ahmetit të këndojë bashkë me Ditmirin, kur të vish...

Taip Erdogani: Di ky Ahmeti të këndojë?

Edi Rama: Ç'është kjo pyetje, Erdogan aga! Si nuk di të këndojë Beni! Ai edhe kur m'i dorëzon paratë, këndon. Bile këngë të gëzueshme. Vallahi po t'i dorëzonte me këngë vajtimi, nuk do e vendosja prapë ministër. Hajde Taip, investo në Shqipëri!

Taip Erdogani: Meqë ma kërkon ti, do vij. Në shejtan vaftë klima e investimeve! Do ju them biznesmenëve të vijnë në Arnautistan. Ama me një kusht. Që Ditmiri të këndojë për mua këngën e Osman Agait. Në rregull?

Edi Rama: A ta vë edhe Benin të këndojë? Pas këngës, t'i kthehet detyrave që i kam lënë...?

Taip Erdogani: Jo, jo, arkadashi im! Benin vazhdo mbaje për ato që bën më mirë. Më mjafton të këndojë vetëm Ditmiri...

Shpërndajeni me miqtë tuaj: